Lufta e humbur e opozitës

Partitë opozitare nuk po “luftohen” vetëm nga partitë në pushtet, por së fundmi betejën më të ashpër po e zhvillojnë mes vete. Ish-partitë e bllokut opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja dhe “Nisma”, pas zgjedhjeve të qershorit 2014 u bënë bashkë për t’i kundërshtuar partitë në pushtet dhe më vonë edhe marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, si dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Ky unitet i tyre zgjati deri në mars të këtij viti, kur edhe partitë e bllokut u përçanë mes vete. Tashmë këto subjekte që janë në opozitë i janë vërsulur njëra-tjetrës për të marrë degë në qendra të ndryshme të vendit, si dhe duke shkëmbyer akuza të rënda mes vete. Më e dëmtuara nga kjo “luftë” ka mbetur subjekti më i vogël parlamentar, “Nisma për Kosovën”, që udhëhiqet nga Fatmir Limaj dhe AAK-ja.
Derisa nga partia e Fatmir Limajt pati largime të kryetarëve të degëve, kryesisht në Lëvizjen “Vetëvendosje”, te kjo e fundit së fundmi kaloi edhe shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Edhe subjekti politik që drejtohet nga Visar Ymeri mbeti pa një deputet, Ilir Dedën, ndonëse ai nuk shkoi te opozita, por njoftoi për formimin e një subjekti të ri politik./zeri/