Fundamenti

Lubishta kërkon ujë, kanalizim e rrugë të asfaltuar

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Me qëllim të planifikimit të buxhetit komunal për periudhën 2014-2016, Komuna e Vitisë ka mbajtur një diskutim publik me banorët e fshatit Lubishtë, ku vet banorët kanë përcaktuar prioritetet e fshatit për investime kapitale për vitin në vijim.

Ndonëse në listën për investime kapitale për vitin 2014 si propozim figuron ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në këtë fshat disa nga banorët e cilësuan më të nevojshme asfaltimin e rrugës së fshatit si dhe disa të tjerë furnizimin me ujë të pijshëm.

Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë Abdyl Bajrami duke folur para banorëve të fshatit Lubishtë lidhur me rëndësinë që kanë diskutimet publike për planifikimin e buxhetit u shpreh se kjo behët me qëllimin më të mirë që investimet nëpër fshatra të bëhen me vullnetin e vet banorëve. “Më parë lista për investime kapitale është hartuar brenda komunës, por tani përcaktimi se cili projekt apo investim është më i nevojshëm për fshatin e bëjnë vet banorët, dhe kjo bëhet me qëllimin më të mirë që ju që jetoni në këtë lokalitet të përcaktoni se cilat janë nevojat e juaja” u shpreh Bajrami.

Bajrami ka kërkuar nga banorët që të japin propozime konkrete lidhur me investimet në këtë fshat.

UBT

Ndërsa Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Islam Jashari prezantoi para banorëve shpenzimet e komunës të bërë për 6 mujorin e parë të këtij viti si dhe propozim listën për investime kapitale për vitin 2014.

Jashari tha se për fshatin Lubishtë është paraparë sistemi i kanalizimit. Disa nga banorët kërkuan nga përfaqësuesit institucional që të shikohen mundësitë që problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Lubishtë të zgjidhët sa më parë ndërsa disa të tjerë kërkuan që të bëhet ri-asfaltimi i rrugës në këtë fshat pasi e cilësuan rrugën në gjendje jo të mirë.

Në këtë takim përveç banorëve të këtij fshati ka marrë pjesë edhe kryetari i fshatit Burim Mustafa i cili i ftoj banorët e këtij lokaliteti që të jenë më aktiv dhe të arsyeshëm në kërkesat për fshatin Lubisht./rajonipress/