Luani: Krasniqi shpejt kampion botëror, Seferi i fortë

Luan Krasniqi i ka lavdëruar boksierët shqiptarë, të cilët po luftojnë me sukses në majat e boksit profesionist ndërkombëtar.
Ish-boksieri i njohur kosovar e ka lavdëruar Nuri Seferin, të cilin e konsideron boksier të fortë, ndërsa beson shumë tek kushëriri i tij, Haxhi Krasniqi.
“Jo vetëm që besoj, por edhe mendoj se Haxhiu është në formë tejet të mirë për ta arritur titullin e kampionit botëror. Në momentin që ndodh kjo, unë do të jem tejet i lumtur sepse një bashkëvendës i imi, e arrin atë që deri më tash nuk e ka arritur asnjë bashkëkombës. Kjo do të ishte një mrekulli”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për “Zërin”.
“Sukseset e dhjetëra emrave të boksierëve shqiptarë që ngjiten aktualisht në ringjet e shumë vendeve, është dëshmi më e mirë për vlerat sportive që kanë dhe talentin që posedojnë. Unë uroj që të gjithë këta të mos ndalem në përpjekjet për të arritur qëllimin. Por, nuk duhet të harrojnë, se me punë dhe angazhim intensiv, ia mundësojnë vetes të jenë ata që duan”, ka vazhduar Luan Krasniqi.