Luan Krasniqi: T’i tregojmë botës se jemi mikpritës
Për ndeshjen futbollistike Shqipëri-Serbi ka komentuar edhe boksieri i njohur kosovar, Luan Krasniqi, që pak orë para ndeshjes ka kërkuar prezantim dinjitoz të futbollistëve shqiptarë dhe qëndrim sportiv të fansave.
Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se qëndrimi sportiv i futbolldashësve shqiptarë do të ishte mesazh i fuqishëm për botën se shqiptarët janë paqësorë.
“Miq të mi, ndodhemi në prag të një loje sportive aq shumë të pritur që zhvillohet në Elbasan në mes të kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë. Uroj sukses dhe prezantim si gjithnjë dinjitoz të futbollistëve shqiptarë dhe njëkohësisht jam i bindur se futbolldashësit do të dëshmojnë qëndrim sportiv për të patur lakmi, që do të jetë në funksion të avancimit të virtyteve sportive dhe vlerave civilizuese, tolerancës dhe respektit, mikpritjes dhe ngadhënjimit në fushën e gjelbër. Këto do të jenë mesazh i fuqishëm për botën nga Elbasani i vendit të shqipeve, nga shqiptarët sportdashës dhe paqësorë. Ndaj, të mundësojmë që kryetitujt e gazetave në botë të mbajnë titullin: Shqipëria e mikpritjes”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
http://koha.net/?id=6&l=78383


