Eko Higjiena

Lojërat e Ramizit

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Në librin e tij, “100 vjet 1912-2012”, Blendi Fevziu, mes tjerash, zbulon edhe një lojë të Ramiz Alisë në bursë, në vitin 1988, e cila Shqipërisë i kushtoi me humbjen e 4,072 kilogramëve ar, gjegjësisht të mbi 158 milionë dollarëve.

“Me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu, për të u hap udha si pasardhës. Ramiz Alia do të ishte njeriu që do të udhëhiqte vendin pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, deri në ndërrimin e sistemeve”, shkruan gazetari Fevziu në librin e tij “100 vjet 1912-2012″, në të cilin rendit disa nga lëvizjet e gabuara dhe shanset e humbura të Ramiz Alisë, përfshirë këtu edhe humbjen e shansit për t’iu bashkuar Perëndimit para rënies së Murit të Berlinit. Kjo për shkakun se ai nuk pranoi ndihmën gjermane, përderisa tentoi pa sukses për të dalë nga rrënimi ekonomik, në të cilin ishte zhytur vendi.

Një lojë e tillë në bursë, do ta dërrmonte edhe më tej arkën e shtetit, shkruan gazeta Panorama, duke u thirrur në librin e Fevziut.

Nga hetimet e bëra në fillim të viteve të 90’a, del se “humbja e shtetit shqiptar nga këto operacione në tregun botëror ishte 4,072 kilogramë ar, ose 158,624,000 dollarë amerikanë, sipas kursit të sotëm”.

Dilema e liderit të fundit komunist të Europës Lindore

Pas vdekjes së Mehmet Shehut, Hoxha ishte marrë fare pak me punët e shtetit. Vendin e drejtonte zëvendësi i tij, Ramiz Alia, i cili që prej vitit 1982 mbante edhe postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Hoxha e kishte parë fillimisht Alinë në vitin 1942, në shtëpinë e Syrja Selfos, një mik ky i tij të cilin e pushkatoi gabimisht pas lufte, siç dëshmon edhe njeriu që më pas ia prezantoi atë, Zeqi Agolli. Ata u takuan pikërisht në shtëpinë e tij.

Mobi Casa

“Ne po rrinim në oborr bashkë me Ramiz Alinë kur Enveri, që nga kati i dytë i banesës na shikonte me vëmendje, në pasditen që e vrojtoi Ramizin teksa bisedonte me mua në oborr, më thotë:

“Atë djalin e imët e kam parë dhe një ditë te shtëpia e Selfajve, ku pozonte për bustin e të vëllait të vdekur të Syrjait. Kush është ai?”

Enveri shkonte shpesh tek Selfot. Një ditë, ai kish parë Ramizin që po pozonte në oborr për një bust, për vëllain e vdekur të Syrjait. Ramizi ngjante jashtëzakonisht shumë me të vëllain e Selfos, që i kishte vdekur.

“Quhet Ramiz Alia”, i thashë unë.

“Është me origjinë nga Shkodra dhe shok e djalë i shkëlqyer… Është prush kur bie fjala për pushtuesit italianë. Në mësime është absolut. Është tip inteligjent, i zgjuar dhe shumë i gojës”.

Hoxha u takua me Alinë dy ditë më vonë. As njëri e as tjetri nuk mund ta merrnin me mend se 43 vjet më pas, ata do të bënin rokadën e madhe të pushtetit.