Lojë palaçosh
Nga Milaim Shefkiu – Deputetët e Kuvendit dhe gjithë politika në Kosovë ka kohë që është shndërruar në një cirk palaçosh autodidaktë, që bëjnë skena çuditërisht “interesante”.
Këto skena jo që ta nxjerrin gazin nga sarkazmi dhe satira, por nga irritimi i diletantizmit dhe lojës së pakuptimtë ndërmjet taborëve. Ngjarjet e fundit, si këto të së enjtes, u bënë top-lajm nëpër shumë medie ndërkombëtare.
Gati të gjitha raportuan se si opozita është çoroditur dhe për realizimin e qëllimeve politike, ka hedhur bomba gazi lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës. Ky është episod më i shkallëzuar i rrëfimit nga java e kaluar, e cila nxori në pah shumë paqartësi dhe infantilizëm nga të gjitha segmentet e shtetit.
I pari në këtë mesele, është kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili po tregohet i paaftë për të menaxhuar seancat plenare. Përveç që nuk po arrin të bisedojë me opozitën për t’i relaksuar raportet, nëpërmjet mazhorancës Veseli po mundohet ta tejkalojë problemin, duke u munduar ta minimizojë atë. Kjo në shikim të parë i bie, sikurse një njeri që e ka këmbën numër 45 t’i blejë këpucët me numër 42. Logjikisht, kjo praktikë pune nuk funksionon.
Javën e kaluar mazhoranca u mundua t’i kontrabandojë disa ligje me turbo-mekanizëm në Kuvend, por prapë nuk ndezi. Dje i shtuan masat e sigurisë, me skanerë sikur në aeroport, për t’ia pamundësuar opozitës ta fusë gazin lotsjellës, por ishte e kotë. Opozita u tregua më e zgjuar, kësaj radhe ia ndezi fitilin dy bombave dhe në start neutralizoi seancën.
Në mbledhjen e Kryesisë që u mbajt të martën, Kadri Veseli tha se ka qenë në dijeni për skenarin e “Vetëvendosjes” për ndezjen e gazit lotsjellës në seancë, ndërsa dje u tregua shumë i painformuar. Kjo nënkupton se për tejkalimin e krizës kërkohen mekanizma politikë, në kuptimin e dialogut dhe jo veprime të dhunshme që krijojnë kundërefekt.
Hisedare në këtë dështim është edhe presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, e cila po sillet si spektatore, sikurse nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë. Vetëm thirrjet, si ato të Nasradinit në pazar, nuk vlejnë në kuptimin e daljes nga kriza, e cila po përshkallëzohet për çdo ditë, duke vënë shtetin në rrezik të daljes nga binarët.
Presidentja e cila për katër vjet ka qenë shumë neutrale ndaj të gjitha zhvillimeve, kësaj here është momenti që ajo të luajë rolin e ndërmjetëses. Të paktën të mbahet në mend që e ka kryer një punë për 5 vjet. Nuk është situata e relaksuar sa që problemet e ligjvënësve të zgjidhen në Kuvend (siç po pretendon presidentja), por janë dukshëm më të thella që e kanë bazamentin aty në bllokun VLAN.
Pas presidentes, janë dy liderët që drejtojnë koalicionin e madh, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, që po tregohen sa komod aq edhe cinik, karshi situatës. Ata janë të vetëdijshëm se “Zajednica” nuk zhbëhet dhe për këtë e kanë mbështetjen ndërkombëtare.
Por, një gjë duhet ta kenë të qartë: se më nuk mund të luajnë guxhas me Kuvendin, sikurse kanë luajtur gjatë 15 vjetëve të kaluar, sepse tashmë kanë një front opozitar që sfidon komoditetin e tepruar.
Para se me dalë te opozita e cila, po shihet se është e organizuar në bllokimin e shtetit, duhet të ndalem të Policia, e cila lëshoi një deklaratë të marrë. Thanë se janë në nivelin e detyrës dhe po kryejnë punën me përpikëri. Ata mohuan që janë bashkëpunues me opozitën sa i përket futjes së gazit brenda. Ata po harrojnë objekti i Kuvendit monitorohet 24 orë nga Divizioni i Sigurimit dhe përgjegjësia për gazin lotsjellës bie mbi ta.
Gazi ka hyrë… duhet të pranohet dështimi. Policia nuk e ka parë bombën, por tymin e ka parë sepse e ka parë gjithë bota. Kjo është e vërtetë. Policia e Kosovës nuk e ka parë as kush i ka vjedhur dëshmitë, drogën dhe paratë në Dhomën e Dëshmive.
Ndërsa sa i përket opozitës ata edhe ashtu janë bërë horë. Tani për ta këto situata janë krejt normale, sikurse ai personi që bie në pus, nuk e ka dert sa bie shi. Opozita ka rënë në pus, dhe tani e vazhdon derisa ta mbajnë këmbët…
Me këto paqartësi të mëdha, mosmarrëveshje ordinere, kryeneçësi dhe dështime nga të gjitha anët, Kosova ka ardhur në stadin më kritik nga 17 marsi 2004. Prandaj, është momenti më delikat, kur të gjithë duhet të mendojnë racionalisht dhe si patriotë, për tejkalimin e situatës. Në të kundërtën krejt përfundojmë në cirkun e palaçove.


