Loja me Ushtrinë
Qeveria e Kosovës është duke e planifikuar mbajtjen e një tryeze gjithëpërfshirëse, përmes së cilës beson se do të arrijë ta sigurojë mbështetjen e Listës Serbe për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).
Megjithatë, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së thonë se kjo është një lojë e koalicionit qeverisës me Ushtrinë e vendit, pasi, sipas tyre, Ushtria nuk bëhet duke organizuar tryeza të tilla.
Ata, madje, thonë se i tërë procesi për shndërrimin e FSK-së në FAK është lojë e Qeverisë së kaluar dhe e kësaj aktuale, pasi konsiderojnë se ndërrimi i emrit është i panevojshëm. Opozitarët thonë se FSK-ja vetëm duhet të pajiset me armët e nevojshme dhe të përgatiten ligjet, të cilat e bëjnë atë ushtri të vërtetë.
Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, ka thënë për “Zërin” se kjo Ministri është ende në fazën ideore për këtë tryezë. “Sa i përket mbajtjes së tryezës së diskutimit në MFSK, është në fazën ideore. Ende nuk kemi ndonjë zhvillim të ri. Për zhvillimet e reja konkrete do t’ju njoftojmë me kohë dhe paraprakisht”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër, anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Rexhep Selimi, ka thënë se Qeveria “Mustafa”, ashtu si edhe ajo “Thaçi” më parë, po bën lojë me çështjen e Ushtrisë.
“Është e ditur se Lista Serbe nuk pajtohet me çështjen e krijimit të FAK-ut, por kanë luajtur lojëra të tilla, saqë të krijohet huti në opinion se gjoja po bëjnë përpjekje për të bindur serbët për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Zyrtarët qeveritarë janë pajtuar me Listën Serbe që këta të fundit të mos pajtohen me krijimin e FAK –ut”, ka deklaruar Selimi./zeri/


