UBT

Loja me ushtrinë, Thaçi i bën hesapet pa hanxhiun

/ 5 minuta lexim

Loja, të cilën e nisi kohë më parë ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tani president i vendit, që ta bëjë ushtrinë e Kosovës pa një garanci të plotë dhe konsensus gjithëpërfshirës politik, kur dihet se pa ndryshime kushtetuese, që varen edhe nga serbët, nuk mund të themelohet ushtria, po shihet si një aventurë e dëmshme për shtetin, që është filluar dhe po vazhdon për interesa elektorale, ndërsa e ka dëmtuar shumë vetë peshën që ka FSK-ja si simbol dhe bërthamë e ushtrisë së ardhshme.

Analistët konsiderojnë se nga padituria e madhe presidenti i tanishëm pësoi fiasko njëherë kur tentoi ta bëjë ushtrinë pa ndryshime kushtetuese dhe hasi në reagimin e fortë të ndërkombëtarëve dhe sot lëshon deklarata herë pas here vetëm për konsum publik dhe tani janë humbur të gjitha shpresat dhe parashikimet se kur do ta ketë Kosova ushtrinë e vet.

Analistët e bëjnë fajtore politikën e Thaçit pse tani në shtet e kemi të pakryer edhe punën e demarkacionit me Malin e Zi dhe vendi sot ka mbetur pa liberalizim të vizave pikërisht për shkak të nënshkrimeve të tij të dëmshme. Analisti politik, Florim Zeqa, thotë se deklarimet e kohëpaskohshme të presidentit Thaçi për bërjen e ushtrisë, janë boshe dhe demagogji e pastër politike.”Edhe përkundër dështimit skandaloz për bërjen ushtrisë “kokë në vete” muaj më parë, sërish ka filluar ofensivën mashtruese për opinionin vendor, se gjoja Kosova së shpejti do të bëhet me ushtri! Deklaratat për ushtrinë presidenti dështak i përdor vetëm për konsum publik, për të mbuluar dështimin e tij të parë në këtë drejtim dhe vargun e gjatë të dështimeve në qeverisjen e vendit”, u shpreh ai.

Shumica e dyfishtë në duart e serbëve

Sipas Zeqës, jo vetëm presidenti, por e gjithë skena politike e kanë të qartë se ushtria nuk mund të bëhet pa ndryshimet kushtetuese, të cilat ia heqin të drejtën e vetos dhe votës së dyfishtë pakicës serbe në Parlament, e drejtë kjo e garantuar me “Pakon (diskriminuese) të Ahtisarit”. “Ky do të ishte veprimi i parë i të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e tek pastaj nxjerrja e një ligji të posaçëm për krijimin e ushtrisë, respektivisht Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Pas demilitarizimit të UÇK-së, gjegjësit transformimit të saj në TMK nga Hashim Thaçi, transformimi i TMK-së në FSK (prapë nga Hashim Thaçi) e largon Kosovën akoma më shumë nga ushtria e saj. Shpikjet për FAK-un pa akronimin e “Republikës” nuk përkojnë me qasjen serioze për bërjen e Ushtrisë së Kosovës si vend i pavarur, por vetëm me improvizime e mashtrime të opinionit vendor…, për të gjetur më pastaj ‘alibinë’ se gjoja akoma nuk e kemi mbështetjen e miqve ndërkombëtarë për ushtrinë e Kosovës!”, vijoi më tutje ai. “Mbetja e shtetit pa ushtri, Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i komunave serbe në veri (Zajednica) dhe getoizimi i popullatës kosovare si pasojë e mos liberalizimit të vizave janë produkt i kësaj klase politike në krye me Hashim Thaçin, respektivisht nënshkrimeve të tij të dëmshme dhe të pariparueshme për vendin”, tha Florim Zeqa.

Uji Dea

Pengesa të forta për Kosovën

Kritika të ashpra vijnë edhe nga analisti Blerim Burjani. “Ushtria nuk mund të formohet me fjalë dhe me deklarata të pambuluara me veprime formale dhe juridike. Pra, duhet veprimet juridike të bëhen së pari, e pastaj duhen votat për ndryshimin e Kushtetutës në Kuvend për të përfunduar një histori e gjatë e paaftësisë politike në vend. Dihet se për çështje të ushtrisë përgjegjësi kryesor është loja e Beogradit me listën serbe që në vazhdimësi po i bëjnë shtetit të Kosovës bllokada në këtë, por edhe në procese të tjera. Për të gjitha këto pengesa, e me të gjithë këto lojëra, që i bën Beogradi kundër Kosovës, nuk e kupton askush dhe nuk mendon se si mund të normalizohen marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.”Serbia po e pengon Kosovën në cilindo hap ndërkombëtar apo iniciativë evropiane apo rajonale. Mendoj se këtu një pjesë të përgjegjësisë së madhe e ka edhe BE-ja që nuk është aktive shumë për t’ i bërë një presion përfundimtar Serbisë. Pra, vetë BE-ja nuk po duket e përkushtuar, nuk po duket e interesuar as e guximshme që njëherë e përgjithmonë të thotë që nëse Serbia e dëshiron paqen dhe integrimet evropiane duhet të heq dorë nga politika e bllokadës së Kosovës në rrugë- timin e saj të ndërtimit të identitetit të ri të brendshëm dhe të jashtëm, që është një realitet i pa kthyeshëm mbrapa”, shtoi më tej Burjani.”BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se Kosova duhet të jetë pjesë e OKB-së sa më parë”, ka potencuar ai.

Ndërsa, analisti Arsim Haziri thekson se formimi i ushtrisë si mekanizëm mbrojtës, mbështetur edhe në dokumentin bazë, Kushtetutën, kërkon pëlqimin e serbëve.”Edhe nëse iniciohet procesi për formimin e ushtrisë, rol fondamental gjatë procedimit të kësaj çështje do të ketë pakica serbe, sidomos kur dihet se ajo është fuqishëm nën direktivat e Serbisë”, u shpreh Haziri.

(Kosova Sot)