Loja e dyfishtë e Thaçit me FAK-un!

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, po pret vulën përfundimtare nga ana e Kuvendi të Kosovës. Ky institucion duhet të votojë për 13 amendamentet e Qeverisë që kanë të bëjnë me këtë çështje, të cilat po ashtu kanë marrë dritën jeshile edhe nga Gjykata Kushtetuese. Por si duket në këtë drejtim po dalin telashe të reja.
Paralajmërimi i minoriteteve se nuk do të votojnë për FAK-un pa ua vazhduar vendet e rezervuara, po e çojnë këtë proces drejt një bllokade totale. Pavarësisht kësaj, kryeministri Hashim Thaçi në deklaratat e tij vazhdimisht potencon se kjo çështje është punë e kryer.
Së fundi edhe në shënimin e gjashtëvjetorit të Kushtetutës paralajmëroi votim të shpejtë për FAK-un, madje qysh në seancës e së enjtes së kësaj jave, por askush nga Qeveria apo grupi parlamentar as që u mor me këtë çështje. Burime të gazetës Tribuna kanë bërë të ditur se kryeministri Thaçi është i vetëdijshëm për situatën dhe kushtëzimet e minoriteteve, por kartën e FAK-ut po e përdor për deklarata politike.
“Kryeministri e di se nëse sot hyn për votim ky dokument, mund të dështojë të marrë votat e kërkuara për shkak të minoriteteve. Prandaj ai po bën lojë të dyfishtë. Në publik po thotë që kjo do të kryhet shpejt dhe në anën tjetër po e udhëzon grupin e tij parlamentar që të mos insistojë për këtë çështje në Kuvend. Kjo është parë më së miri edhe në seancën e së enjtes kur nuk u kërkua fare që të diskutohet kjo çështje” , ka thënë burimi…(Tribuna).