UBT

Llashtica kërkon që të nderohet figura e dëshmorit, mësuesit dhe martirit Selami Shabani

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Fshati Llashticë kërkon nga institucionet komunale, drejtoria e arsimit që ta nderojnë figurën e martirit të kombit dhe mësuesit shumë të dashur e të respektuar Selami Shabani, i vrarë nga forcat serbe më 30 prill të vitit 1999.

Fshati Llashticë duke parë kontributin meritor të ish mësuesit Selami Shabani i bënë apel institucioneve komunale, që ta nderojnë këtë figurë martire, me një bust ose lapidar kudo në Llashticë ose në shkollën e fshatit.

Nehat Shabani drejtor i shkollës në Llashticë tha për rajonipress se figura e Selami Shabanit meriton të nderohet sepse ishte një mësues i dashur e fort i respektuar.”Ne të gjithë kemi nostalgji për mësuesin Selami sepse ka lënë vepra të mira, ishte shumë i edukuar dhe i dashur për kolektivin e shkollës” tha Shabani.

Edhe Shaban Shabani ish mësues dhe koleg disa vjeçar i Selami Shabanit thotë se ta nderosh këtë figura atdhetare do të thotë ke nderuar pjesën më të ndritur të shoqërisë, ata që ishin me ditar në dorë në kohët më të vështira.”Selami Shabani ishte i tillë dhe punoi deri në frymën e fundit duke rezistuar ndaj forcave çetnike serbe. Jam shumë krenar që isha koleg i Selamiut, por do të isha edhe më krenar nëse Selamiut ia ngrisim një bust si dëshmi se këta njerëz nuk i ka harruar dhe nuk do t`i harrojnë kurrë as shteti e as shoqëria” tha Shabani.

Biografia e ish arsimtarit Selami Rifat Shabani

Mësuesi i ynë – martir Selami Shabani u lind më 02. dhjetor 1954 në Llashticë, nga babai Rifat Shabani poashtu martir dhe nëna Habibe, bijë pasardhëse e familjes patriotike të kreshnikut të maleve të Karadakut – Idriz Seferit. Fëmijëria e Tij ishte po ajo e fëmijëve të lagjes së tij të fshatit të tij të asaj kohe. Katër klasë të fillores i kreu në vendlindje, katër të tjera në Pisjan, ndërsa shkollën e mesme të mësuesisë, përkatësisht normalen e kryen në Gjilan në vitin 1974, e më vonë edhe akademinë pedagogjike në vitin 1983/84.
E zgjodhi profesionin e mësimdhënësit, të humanistit, të edukatorit të brezave të reja, sepse e deshi qysh kur ishte fëmijë.

Karrierën e tij të mësuesit e filloi po atë vit kur e kreu normalen, në vitin 1974/75 diku në thellësi të maleve të Karadakut, saktësisht në fshatin Depcë, ku punoi më se dy vite me radhë.

Vendlindjen e deshi aq shumë, prandaj edhe që nga viti shkollor 1978/79 e gjejmë të punoj në Llashticë, në fillim mësues i lëndës së kimi-fizikës, e më pastaj edhe mësues klasor. E deshi saktësinë, prandaj edhe vite me radhë ua mësoi nxënësve matematikën, me mjaft sukses.

E deshi shumë profesionin e edukatorit, punoi me pasion e përkushtim të madh, për nxënës ka qenë i dashur e i afërt. Nxënësve ua përcolli diturinë me kujdesin më të madh.

Eco Higjiena


Në personalitetin e të ndjerit Selami, si mësues, vërehej një karakteristikë dalluese, një karakteristikë e mos ngurrimit të kërkimit të rrugëve të metodave të mësimdhënies dhe mësimnxënies së suksesshme, karakteristikën e këmbimit të përvojave profesionale, kërkoi ndihmë nga të tjerët, por edhe i ndihmoi të tjerët kur e kërkuan ndihmën e Tij.

Prandaj edhe u çmua e u vlerësua nga të gjithë si punëtor i mirë e edukator i kompletuar. Këtë po e them sot para jush familje e nderuar dhe para këtij tubimi përkujtimor me bindje se të gjithë ata që kaluan nëpër duart e mësuesit Selami do ta përkujtojnë me respekt.

Selamiu ishte i lidhur shumë me shkollën, shkollën e pati shtëpi të Tij të dytë. Pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi, këtu në lokalet e kësaj shkolle.

Selami Shabani ishte edhe përgjegjës i shkollës në kohën kur shkolla jonë ishte paralele e ndarë e shkollës së atëhershme “Bashkimi” e sot “Agim Ramadani” në Zhegër të cilën detyrë e kreu me sukses deri më 1985, pastaj kur shkolla e Llashticës bëhet tani paralele e shkollës së Pasjanit, ku edhe për një kohë e kryen këtë detyrë të përgjegjësit të shkollës, deri në pavarësimin e shkollës sonë më 1992 për të cilën nuk u ndal së bashku me kolegët e tjerë të punës deri në arritjen e qëllimit të pavarësimit të shkollës sonë nga Pasjani. Së fundmi ishte edhe kryetar i Këshillit të shkollës, detyrë e obligim që e kreu me nder e përkushtim.

Ne kolegët e Tij, Selamiun e përkujtojmë edhe si mikpritës të mirë, me bujarinë e Tij na nderoi shumë shpesh me bukë e kripë e zemrën e bardhë të Tij, mirëpo në këtë e pati edhe mbështetjen e babait të tij axha Rifatit i cili me kujdes më të madh na ofroi mirëkuptim, ndërsa ne e mbajmë në kujtesë axha Rifatin për ndihmën që na ofroi me të dhënat nga e kaluara e afërt dhe e largët e këtij fshati.

Poashtu edhe nëna Habibe e cila ndërroi jetë para afër tri vitesh dhe e cila ishte një nënë bujare dhe nënë e qëndresës krenare që të pat ty dhe gjithë familjen tuaj të lavdishme, për qëndrimin e saj burrëror edhe në çastet më të rënda të jetës së saj, e cila humbi nga kjo luftë bashkëshortin Rifatin djalin Selamiun, rejën Zjaveren nipat Fisnikun dhe Lirimin dhe diti të na pranoj si është më së miri, e forte dhe e dashur për të gjithë.

Edhe në këtë rast përkujtimi në emër të nxënësve e të mësimdhënësve të shkollës sonë familjen Shabani dhe familjet Hyseni, Ibishi e Berisha i ngushëllojmë nga thellësia e zemrës, ndërsa emri i mësuesit tonë Selami do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona.
I paharrueshëm qoftë kujtimi për ta!
Përherë paçin lavdi!

Nehat Shabani, drejtor i shkollës në Llashticë