Lladova e Nasala: Kjo qeveri nuk e meriton asnjë sekondë

Gjilan – Asnjë sekondë nuk e meriton kjo qeveri të jetë në komunë. Kështu kanë thënë sot banorët e fshatrave Lladovë e Nasalë, gjatë bashkëbisedimit me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ata u ankuan se që nga viti 2007 nuk është investuar asgjë në këto fshatra, përderisa mungon infrastruktura rrugore, kanalizimi, ujësjellësi dhe ndriçimi publik.
“Kam ardhur për ta ndarë me ju shqetësimin për gjendjen e rëndë. Ata kanë hyrë në mes të vllaznillëkut këtu. I kanë dalluar, i kanë ndarë, i kanë diskriminuar me do ‘investime’ të vocrra. Por, e di që ju nuk do të mashtroheni më. E di që ju do t’i ndëshkoni. Ata e kanë humb rrugën në oborr. Sallat tona po mbushën, ndërsa sallat e tyre po zbrazen. Prezenca e juaj këtu dëshmon besimin tuaj ndaj nesh, prandaj ju falënderoj shumë”, u ka thënë Haziri qindra të pranishmëve në sallë.
Haziri u ka premtuar banorëve të Lladovës dhe Nasalës investime të mëdha në infrastrukturë, në ujësjellës në kanalizim e në ndriçim publik.
Duke folur për programin e LDK-së për bujqësinë, zoti Haziri u ka premtuar atyre subvencione për bujqit, për pemëtarët, perimtarët e për bletarët, në mënyrë që t’i stimulojë në punimin e tokës sa më shumë thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/