Livoqi i Ulët kërkon të nderohet figura e Islam Islamit
Gjilan – Banorët e një lagjeje në fshatin Livoq i Ulët i kanë shkruar Lutfi Hazirit dhe komisionit për emërtimin e rrugëve që ta nderojë figurën historike të Islam Islamit njëri nga ballistët kryesor të asaj kohe. Bajram Islami djali i tij thotë se do të ishte nder që një rrugë të paktën ta mbante emrin e këtij heroi dhe njeriu që luftojë gjithmonë për kauzën kombëtare.
Islam Islami nga Livoqi i Ulët i lindur në vitin 1920 dhe i vdekur në vitin 1954 nga torturat çnjerëzore të policisë sekrete serbe të asaj kohe është njëri nga figurat e rralla të lëna pasdore nga historiografia kosovare.
Islam Islami një ballist i përbetuar dhe një luftëtar i paepur kundër pushtuesit e dhunuesve serb do të mbetet gjatë në kujtesën e banorëve të Livoqit të Ulët të cilët tani me të drejtë kërkojnë që të nderohet figura e tij duke i lënë emrin e një lagjeje në këtë fshat.
Banorët e Livoqit të Ulët tashmë kanë deponuar edhe deklarata e nënshkrime në adresë të Lutfi Hazirit dhe të komisionit për emërtimin e rrugëve që të vendosin drejt dhe mos të bien pre e manipulimeve duke vendosur emra krejt të panjohur dhe të dyshimtë për të kaluarën e tyre.
Bajram Islami është djali i Islam Islamit i cili edhe sot kur rrëfen për torturat e babait të tij nis të qajë dhe ndalet e kujton fjalët që ka dëgjuar nga më të moshuarit. “Babai im ishte ballist një kohë në Drenicë e më vonë në tërë Kosovën. Ka luftuar kundër partizanëve dhe ishte i vendosur që të vdes për komb e atdhe në çdo kohë” nis rrëfimin e tij Bajrami.
Bajrami thotë se ka vendosur që të flas dhe të mos heshtë sepse ka parë që në listat për emërtimin e rrugëve ka emra që vërtet nuk meritojnë të hyjnë në një kategori me prindin tij.”Babai im është torturuar në mënyrën më çnjerëzore nga një person i quajtur me emrin Pera i Pisjanit. E kanë rrahë me dru deri në alivanosje sa që i është dashur muaj të tërë të shërohet me lëkurë të deles. Babën madje as që e kishin njohur fqinjët tanë kur erdhi nga stacioni policor i Zhegrës”.
Bajrami gjithashtu ka një porosi për Lutën.”Mos shkelni mbi këta luftëtar e trima që u harruan vetëm pse kështu deshti UDB-ja serbe. Babai im meriton të paktën një rrugë ta ketë emrin e tij. I kemi të gjitha nënshkrimet dhe kemi përkrahje të madhe nga të gjithë që emrin e rrugës në lagjen tonë ta mbajë “Islam Islami”.
Bajrami thotë se nuk dëshirojnë që të përçahet fshati e as lagja, por kësaj radhe vërtet jemi të vendosur që të shkojmë deri në fund.”Islam Islami është figurë e pastër morale e kombëtare, atdhetar e njeri i dashur për të gjithë. Trim e njeri i fjalës e i besës. Atëherë pse mos ta mbajë emrin e një rruge kur të gjitha atributet pozitive i ka në biografinë e tij” shprehet Bajram Islami. /rajonipress/


