Mobi Casa

Lirohet kunati i Dajtit: Tmerri i 7 gushtit 2009, civilët më vranë shokun

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Tiranë – Ergest Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit u thotë “lamtumirë” qelive të burgut. Pas tri vite e dhjetë muajsh, prej ditës kur përfundoi në pranga me akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”, Xhoxhi rifitoi lirinë.

Vetëm pak orë pas daljes nga burgu, ai ka rrëfyer në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” përjetimet e tij për çdo minutë të kaluar në qeli. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngjarja e gushtit të vitit 2009, Ergesti nuk ka harruar asnjë moment shokun e tij të vrarë, Ledion Marën. “Një shok i vrarë dhe unë që sapo kam rifituar lirinë që akoma nuk e di përse ma hoqën”, ky ka qenë bilanci trishtues që ka përjetuar Egesti pas lirimit nga burgu. Por, jo vetëm kaq, pasi Ergest Xhoxhi ka treguar edhe njëherë gjithë versionin e tij për ngjarjen ku humbën jetën katër policë dhe shoku i Xhoxhit. Për Ergestin, fakti që është kunati i Dritan Dajtit rëndon shumë më pak se sa ideja se ai tashmë mund të ishte i vdekur.

Ju sapo keni fituar lirinë. Si ndiheni pas kaq kohësh në qeli?

Në këto momente ndjenjat e mia janë ende të ftohta. Bilanci është tepër trishtues. Një shok i vrarë dhe unë që sapo kam rifituar lirinë që akoma nuk e di përse ma hoqën.
A është treguar e drejtë me ju drejtësia shqiptare?

Me kë është treguar e drejtë drejtësia shqiptare, që të tregohej me mua.

Sa ju ka rënduar fakti që jeni kunati i Dritan Dajtit?

Mijëra herë më pak se sa fakti që mund të isha i vdekur.

Çfarë ndodhi më 7 gusht 2009 në Durrës?

Uji Dea

Atë që ndodhi në Durrës e kam parë vetëm në filma dhe nuk do ta harroj kurrë. Kam qenë së bashku me Ledion në mes të një rrugice që të nxjerr në plazhin “Iliria”. Të mbështetur pas murit po bënim shaka me Ledion në një kohë që Tuaregu dhe Tani brenda në të ndodhej i parkuar 20 metra larg nesh. Ne nuk mund ta shihnim pasi ai qe parkuar në kthesë. Pa pritur u shfaqën duke vrapuar 10-15 civilë me maska dhe të armatosur me pistoleta dhe automatikë. U drejtuan për tek ne dhe me një fjalor rruge shanin e ulërin nga nënat e nga motrat. I frikësuar u shtriva menjëherë në trotuar, ndërsa Ledio qëndroi në këmbë. Ndërkohë dëgjova një krismë të vetme. Ledio filloi të rrëshqasë pas murit dhe ra në trotuar pranë meje. Më pas kjo lukuni vazhdoi në drejtim të vendit ku qe parkuar Tuaregu dhe pas 5 sekondash shpërthyen breshëritë.
Kush e qëlloi atë?

Njëri prej civilëve të armatosur me pistoletë që tregova më lart.

Keni marrëdhënie me familjen e tij?

Sigurisht. E kam pasur shok fëmijërie.

MASAKRA, U VRANE 4 POLICE

Më 7 gusht 2009, pranë pistës “Iliria” u ekzekutuan nga Dritan Dajti, katër oficerë të skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan t`i vinin prangat pas shtatë vitesh në arrati. Të vrarë mbetën Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj.

TE DYSHUARIT E NGJARJES

Përveç Dritan Dajtit, policia arrestoi edhe ish-policin Mariglen Muçaj, për të cilin dyshohej se ndihmonte Dajtin duke i komunikuar informacionet gjatë kohës që ai ishte në kërkim. Ndërkohë, në prangat e policisë ka përfunduar edhe Ergest Xhoxhi, i cili dyshohej se e ka përkrahur Dajtin. (BW)