UBT

Lirije Kajtazi: Bujar Bukoshi s’mund ta udhëheq LDK-në

/ 9 minuta lexim

Vetëvendosje e ka rastin të bëhet pjesë e Qeverisë dhe ta shohë fuqinë e vet përballë qytetarëve të Kosovës. Nëse s’hyn në Ekzekutiv, VV pashmangshëm do t’iu kontribuojë kushtëzimeve të partive tjera. LDK është e gatshme për zgjedhje të brendshme partiake. Por, këtë parti s’mund ta udhëheqë Bujar Bukoshi, i cili s’është anëtar i LDK’së dhe e ka sabotuar këtë parti.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK’së, Lirije Kajtazi, flet për Express.

Express: Cilat janë pritjet e LDK’së për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e PDK’së për kushtetutshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës?

L. Kajtazi: Zakonisht thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk është mirë të komentohen, megjithatë, në një kohë aq të shkurtër të ekzistencës, ajo si institucion nuk ka qenë nën nivelin çfarë duhet të jetë një Gjykatë Kushtetuese e një vendi që pretendon të zhvillojë demokracinë, të mbështetur në votën e lirë të qytetarit. Është perceptim i përgjithshëm se Gjykata Kushtetuese e Kosovësështë e ndikuar politikisht nga një parti dhe kjo prishë balancat e jetës plurale dhe jetës demokratike në përgjithësi.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është një ndër aktet që ka tejdukshmëri kristali dhe mund ta komentojnë edhe juristët me përvojë fillestare në shkencën juridike. Nuk ka, qoftë edhe një hapësirë të vogël, e cila gjatë seancës së konstituimit dhe zgjedhjes së zotit Isa Mustafa për Kryetar të Kuvendit që është jashtë procedurave të parapara me ligj dhe rregullore. Në qoftë se edhe kësaj radhe Gjykata Kushtetuese e fut vendin në krizë institucionale atëherë para qytetarëve të Kosovës, institucioneve që prodhojnë jetën politike duhet t’u shtrohet pyetja: në funksion të kujt është në të vërtetë kjo gjykatë, apo këta njerëz që paguhen nga taksat e qytetarëve?

Express: Pas vendimit të Gjykatës pritet të themelohen institucionet e reja duke përfshirë edhe Qeverinë. Dihet koalicioni i ndërtuar mes LDK’së, AAK’së dhe Nismës. Mirëpo, a do të bëhet pjesë e këtij koalicioni edhe Vetëvendosje, e cila ka disa kushte për koalicionin tri partive?

L. Kajtazi: Vetëvendosje ka shansin e fundit të artikulohet politikisht vetëm nëse bëhet pjesë e qeverisë dhe fillon të merret me problemet e vendit që janë të shumta. Në përvijimet e reja gjeopolitike të botës, Kosova si vend i vogël mund të ballafaqohet me kriza të natyrave të ndryshme politike, ekonomike dhe të sigurisë. Që nga viti 1989, në Kosovë kohë pas kohe janë shfaqur individë dhe grupime politike të cilët kanë shikuar nga “tribunat” dhe pa guxuar të hyjnë brenda në lojë për të marrë mbi vete peshën e situatës. Kushtet dhe limitet krijohen gjatë “lojës” dhe aty krijohet pesha e lojtarit të vërtetë. Vetëvendosje ka këtë shans, ta shohë fuqinë e vet dhe Kosovës, në dallgët globale.

Express: Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë thënë se nëse nuk i pranoni kërkesat e tyre, atëherë Qeveria e re do të varet nga kushtet e Listës “Srpska”?

Uji Dea

L. Kajtazi: Pavarësisht cilësimeve të ndryshme, mendoj që ne si grupim politik i LDK-së në legjislaturën e kaluar kemi qenë në nivelin e detyrës. Po të shikohet numri i ligjeve të aprovuara, del që ato janë më shumë se në të gjitha legjislaturat e mëparshme. Na është thënë se “Kuvendi nuk e ka kontrolluar qeverinë po ka ndodhur e kundërta”. Kjo është në ndërgjegjen e deputetëve të pozitës pasi qeveria është e tyre dhe niveli i kontrollit të qeverisë varët nga kjo. E rëndësishme është se gjatë këtij mandati nuk ka pasur aderime nga pjesa e opozitës tek pozita, por ka ndodhur e kundërta gjë që ka sjellë edhe zgjedhjet e parakohshme. Krejt këtë e thashë me qëllim për të vënë në spikamë angazhimet tona për ta çuar vendin në zgjedhje pa vendet e rezervuara për pakicat, gjë e cila i ka shkaktuar dëme zhvillimeve demokratike në Kosovë. Kushtëzimet e mëdha të cilat Kosovës i shkaktojnë probleme të listave apo “Listës Srpska” ia kemi hequr. Përfundimisht, në këtë moment kur bota po hyn në një fazë të re të zhvillimeve politike, kur aleatët tanë po ballafaqohen me kriza dhe probleme të nivelit global, Vetëvendosje ose duhet të bëhet pjesë e institucioneve të vendit duke marrë përgjegjësitë e veta dhe të kapë peshën të cilën populli i ka besuar me votë. Përndryshe, në kaosin që do të kapërdi vendin, trysnia e listave do te ketë efektet e veta negative. Rrëshqitshëm, Vetëvendosje do t’i kontribuojë kësaj.

Express: Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione për arrestimin e të dyshuarve për terrorizëm. Si i keni parë këto arrestime dhe a rrezikohet Shteti i Kosovës nga këto grupe radikale?

L. Kajtazi: Policia duhet ta bëj punën e vet duke u mbështetur në ligj, prandaj të presim edhe pak kohë për të parë se si ka funksionuari gjithë ky proces. Esenca e pyetjes tuaj mbi rrezikimin e shtetit të Kosovës nga grupet radikale duhet shtruar në një rrafsh më të gjerë e i cili ka prodhuar radikalizma, eku ky “islamik” po duket tani më shumë. A nuk janë grupe radikale ato që janë pasuruar brenda natës? A nuk janë grupe radikale ata që shesin diploma, tituj akademik nëpër universitetet tona? A nuk janë grup radikal ata që në mënyrë të paligjshme e shitën pasurinë e Kosovës në emër të privatizimit…? Jemi në një situatë ku ajo që është vlerë shoqërore e një shoqërie më nuk është vlerë. Antivlera ka zënë vend dhe është ulur këmbëkryq në pjesën më të madhe të institucioneve tona. Tani më në shkolla tona dhe fakultete ligjërojnë persona me tituj të lartë shkencorë e me dije më të ulët se e një gjimnazisti të dikurshëm. Në shkolla dhe institucione mënyra së si vishet personeli më shumë të përngjan me plazhin se me institucionin etj etj. Natyrisht se kjo prodhon një gjendje as pak të këndshme për një pjesë të popullatës e cila këtë e manifeston në mënyra të ndryshme; një pjesë e manifeston në heshtje, në pjesë është duke kërkuar rrugë që të largohet nga vendi drejt perëndimit dhe një pjesë duke u futur në organizata politike, sekte fetare radikale. Këto që kanë të bëjnë me fenë në hapësirat shqiptare jashtë Shqipërisë janë më joshëse dhe të ndikuara nga momenti historik. Faktorizimi i Kishës Ortodokse Serbe brenda Kosovës si institucion me privilegje të veçanta shtetërore është njëri nga faktorët. Këto ditë ne patëm rastin që nga mediet të njihemi me kampet stërvitore ushtarake të Kishës së Vërtete Ortodokse Serbe që kishte organizuar në Serbi ku në to stërviteshin ideologjikisht dhe ushtarakisht të rinj serb. Duke parë shovinizmin në kontiunitet që vazhdojnë ta prodhojnë qarqet kishtare serbe në drejtim të shqiptarëve, nuk ka se siqë kjo të mos shkaktojë efekte te një pjesë e popullatës tonë e cila rrëshqet në organizata dhe grupime për të cilat ata mendojnë se në një moment do të gjejnë mbrojtjen.

Express: Në vjeshtë pritet të mbahen zgjedhjet e brendshme në LDK. Ka pasur disa emrat për kandidat të mundshëm për Kryetar të LDK’së, në mesin e të cilëve edhe Bujar Bukoshi, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu etj… Kush prej këtyre apo dikush janë këtyre emrave duhet të udhëheqë LDK-në?

L. Kajtazi: Mendoj që LDK ka dhënë provimin në zhvillimin e demokracisë së brendshme. Vetëm ne si parti organizojmë zgjedhje në nivel të nëndegës, degës dhe në qendër ku zgjedhim përfaqësues dhe drejtues. Edhe në këtë rast mendoj që nuk do të dështojmë. Çka nuk do të dëshironte anëtarësia e gjerë e partisë, edhe unë aty, është që në kreun e partisë të mos vijnë njerëz të rritur politikisht në hijen e kopshteve të ambasadave ndërkombëtare, por njerëz të pjekur në diellin kosovar, të përkushtuar, të cilët krijojnë relacione të shëndosha me miqtë dhe jo afera. LDK e ka një kryetar të mirë, ndërsa, sa u përket emrave që ju përmendët, këta edhe mund të jenë të mundshëm përpos Bujar Bukoshit që nuk është anëtar i LDK dhe i cili në vazhdimësi e ka sabotuar dhe i ka shkaktuar probleme kësaj partie.Disa nga minuset e LDK-së që nga paralufta janë pjesë e hileve të tij.

Express: Si e shihni mundësinë që përsëri në krye të LDK’së të jetë Fatmir Sejdiu?

L. Kajtazi: Thashë edhe më lart LDK ka dhënë provimin, ish presidenti Sejdiu është kryetar nderi i LDK dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Deri më sot nuk kam parë ndonjë njoftim të tij se ka dalë nga partia. Në LDK vendos vota, të gjithë anëtarët e LDK të devotshëm dhe me kapacitete për t’i ofruar partisë dhe vendit kanë shanse të barabarta dhe janë të nevojshëm për Kosovën.