Uji Dea

“Liria mbi të gjitha”, libri për Mustafë Shalën të përkushtuarin e çështjes shqiptare

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Libri i Ismet Rashitit me titull:”Liria mbi të gjitha”, përfshinë jetën, aktivitetin dhe tërë veprimtarinë patriotike e atdhetare të Mustafë Shalës dhe familjes së tij. “I frymëzuar nga babai im Selim Shala dhe atdhetari Hysen Tërpeza, vepra e tyre më bëri të kuptoj se sa e kemi për detyrë ta çlirojmë vendin nga okupatori serb, po aq kemi për obligim ta ndërtojmë një shtet të pavarur e evropian, me një ushtri moderne dhe me institucione të forta demokratike. Ky ka qenë motivi që më ka shtyrë të ndihmoi aty ku kam mundur dhe aty ku më është kërkuar, përgjatë gjithë këtyre viteve” ka shkruar me këtë rast Mustafë Shala në hyrje të librit.

Janë plotë 215 faqe të librit “Liria mbi të gjitha” që flasin për jetën, veprën dhe kontributin e madh që ka dhënë ndër vite Mustafë Shala dhe familje e tij.

Autori Ismet Rashiti i cili e ka njohur nga afër Mustafë Shalën, me të dhëna faktike i ka ofruar lexuesit të gjithë të panjohurat për familjen Shala, duke filluar nga atdhetarizmi, dashuria ndaj atdheut, kontributi i tyre para dhe pas luftës, investimet e tyre në Kosovën e pas luftës, çmimet e fituara dhe mirënjohjet e shumta të fituara dhe dorëzuara nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Mustafë Shala padyshim që mbetet figura kyçe në jetën politike, institucionale dhe kombëtare në formimin e institucioneve të pas luftës dhe si i tillë ka pasur të tregoj shumëçka në librin “Liria mbi të gjitha”.

“I frymëzuar dhe edukuar nga vepra atdhetare e paraardhësve të mi: Ismajl, Emin e babait Selim Shala – Poneshi dhe nënës, Naxhije Hajrullah Tërpeza, kam bërë gjithçka që është e mundur për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Gjithnjë jam krenar me dajën tim, plakun e urtë e trim, Selim Murtezi Tërpeza dhe me atdhetarin e flaktë dhe luftëtarin e Shqipërisë Etnike, Hajrullah Tërpezën, i cili gjithë jetën punoi e luftoi për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe demokratike. Vepra e tyre më bëri të kuptoj se sa e kemi për detyrë ta çlirojmë vendin nga okupatori serb, po aq e kemi për obligim ta ndërtojmë një shtet të pavarur e evropian, me një ushtri moderne dhe me institucione të forta demokratike. Ky ka qenë motivi që më ka shtyrë të ndihmoi aty ku kam mundur dhe aty ku më është kërkuar, përgjatë gjithë këtyre viteve” ka shkruar Mustafë Shala në hyrje të librit.

Shala gjithashtu si frymëzim atdhetar i ka pasur edhe luftëtarët dhe ideologët e mëdhenj të çështjes kombëtare, si Adem Demaqi, Metush Krasniqi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Zijah Shemsiu, dhe udhëheqësi i rezistencës paqësore Presidenti Ibrahim Rugova dhe komandanti Adem Jashari.

Kurse, Rrahim Sadiku redaktor në parathënien e librit ka thënë se Mustafë Shala u krijua si njeri i mësimeve nga jeta dhe nga ata që me vepra treguan se si duhet, nderohet dhe forcohet ndjenja atdhetare.
“Mustafë Shala ishte nga ata afaristë të cilët kuptuan, që në nismën e tyre këto rrjedha dhe u bë pjesë vepruese dhe kreative e tyre dhe me të gjitha mundësitë e tij nisi të punonte e ndihmonte që të funksiononte pushteti paralel si në arsim e shëndetësi. Mustafa ishte ndër ata që u dalluan me kontributet dhe angazhimet për UÇK, pothuajse dy vite ka qenë i kyçur në radhët e tyre, madje duke ndihmuar edhe me kontribute të gjithanshme dhe ndihma të shumta materiale për UÇK. Për më shumë se pesë vite është angazhuar në shoqatën “Miqtë e TMK-së duke ndihmuar në të gjitha frontet ndërtimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës” ka shkuar Sadiku.

Fundamenti

Edhe recensenti i librit Shefik Shkodra ka shkruar se në librin e Ismet Rashitit janë thënë të gjitha ato që nuk mund t`i mohojë e nuk mund të abstenojë dhe të krijojë indiferencë askush për personalitetin dhe veprimtarinë nëpër ngjarjet e kohës.

“Është dëshmuar se Mustafë Shala ka dhënë nga vetja mjaft, duke filluar nga mjetet financiare dhe ndihmat tjera paralufte, gjatë luftës dhe menjëherë pas çlirimit. Evidenca e tyre është e gjatë dhe kjo sot mbetet një faqe e ndritshme krenarie për Mustafë Shalën. Është një shembull rrallë i përsëritshëm. Është krenari edhe për Gjilanin dhe gjithë vendin” ka shkruar Shkodra.

Ndryshe në librin e Ismet Rashitit ka mjaft materiale, dokumente arkivore, nga jeta, aktiviteti dhe veprimtaria e Mustafë Shalës dhe familjes së tij.

Libri përmban kapituj që i kushtohet familjes Shala, pastaj kapitull i veçantë “Portreti i njeriut të sukseseve” dhe “Të tjerët për Mustafë Shalën”.

Ndryshe autori i librit Ismet Rashiti është gazetar e publicist i spikatur i cili ka punuar gjatë gjithë jetës së tij për çështjen kombëtare.

Ka punuar në disa media serioze në Zvicër, Kosovë e Shqipëri. Për shkak të aktivitetit të tij politik të asaj kohe është përndjekur vazhdimisht, derisa ka kërkuar edhe azil politik në Zvicër.

Padyshim është një krijues e publicist modern që shkruan vazhdimisht për të mirën e Kosovës dhe për të gjitha ecuritë e mërgatës së atjeshme./rajonipress/