Mobi Casa

Lindja e mesme dhe kiameti

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Përkundër parashikimeve të shumta për fundin e botës, duke filluar nga ai i Majave, e deri te parashikimet e Nostradamusit, bota nuk u shkatërrua në vitin 2012. Sidoqoftë, Lindja e Mesme po vazhdon të “flirtojë” me kiametin.

Revolucionet dhe konfrontimet, të cilat po ndodhin tani që nga Sahara, e deri në Hindukush, po dobësojnë qeveritë kombëtare dhe po vënë në pikëpyetje kufijtë, të përcaktuar në periudhën kur fuqitë evropiane ndanë rajonin pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ajo që po ruan tani ende hartën ka të bëjë më shumë me frikë, se sa që ka të bëjë me shpresë dhe nëse rregulli i vjetër dështon, shumë njerëz në Lindjen e Mesme frikësohen se në fund nuk do të ketë më fare rregull.

“Rajoni ka një respekt të çuditshëm për kufijtë dhe vijat territoriale. Këto vija karakterizojnë një stabilitet pervers. Ajo që ka mbajtur njerëzit në vijë ka qenë tirania. Nuk po them se rajoni po shkon drejtë një katastrofe, por jemi në atë periudhë të historisë, gjatë së cilës ndodhin ndryshime rrënjësore, të cilat ne nuk jemi të përgatitur që ti kuptojmë”, thotë Aron David Miller, nga qendra Woodrow Wilson në Washington.

Epiqendra e krizës më urgjente aktuale është Damasku. Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, tërhoqi vërejtjen se fundi se “lufta qytetare në Siri mund të jetë akti i fundit në rrëfimin e dezintegrimit të Lindjes së Mesme siç e njohim ne”. Por frika më e madhe është se mund të jetë ky akti i parë. Mozaiku i religjioneve dhe popujve në Siri tashmë është dërrmuar për shkak të luftimeve. Turqia, Libani, Jordania dhe Iraku po “thithen” ne këtë konflikt, në momentin kur vala e refugjatëve po lëvizë në drejtim të territoreve të këtyre shteteve dhe në momentin kur palët ndërluftuese po shfrytëzojnë territoret e këtyre vendeve.

Fuqitë rajonale dhe fuqitë e mëdha po trajtojnë luftimet si një luftë të autorizuar, duke mbledhur pikë kundër njëri-tjetrit mbi kufomat e fëmijëve sirianë. Në anën e kryengritësve janë turqit, sauditët dhe katarafit, së bashku me SHBA-në, Britaninë, Francën dhe evropianët tjerë. Regjimi i Assadit përkrahet nga Irani, nga Hezbollahu në Liban dhe nga Rusia. Izraeli do të bënte mirë që të qëndronte jashtë konfliktit, por kufijtë verior të këtij vendi tashmë gjinden në vijën e parë të frontit.

Kundërthënësit mbetet roli i luftëtarëve të huaj radikalë, të cilët simpatizojnë Al Qaedën. Ata po mbështesin kryengritësit në luftë, por po e minojnë besueshmërinë e revolucionarëve jashtë vendit dhe po ju vështirëson atyre përpjekjet për të siguruar furnizim me armatim.

Krahas luftës qytetare në Siri, ekziston edhe rreziku tjetër nga sulmet parandaluese të Izraelit kundër Iranit, për të parandaluar përpjekjet e mullahëve për të prodhuar bombën bërthamore. SHBA-ja ka punuar me zell, për të gjetur mjete tjera për të ndalur iranianët. Administrata e Barack Obamës ka marrë një qëndrim të ashpër publik, duke theksuar se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë prodhimin e bombës nga ana e Iranit.

Uji Dea

Vitin e kaluar, Mali u nda në dy pjesë. Qyteti legjendar Timbuktu tani është nën kontrollin e xhihadistëve radikalë. Gjenerali Carter Ham, kryesues i komandës amerikane në Afrikë, tërhoqi këtë muaj vërejtjen:”Për çdo ditë, Al Qaida dhe organizatat tjera po forcojnë pushtetin e tyre në veri të Malit”.

Në Sudan, ndarja e vendit në enklavat jugore dhe veriore ishte supozuar që të zgjidhte çështjen e kufijve, në një fund që ka vuajtur shumë kohë nga lufta qytetare. Por luftimet atje po vazhdojnë, përkundër marrëveshjes paqësore, referendumit dhe pavarësimit të Sudanit të Jugut. Somalia është copëtuar dhe ka dështuar para një dekade dhe tani po përpiqet që të vendos rregull në disa fusha, me sukses të kufizuar. Në Libi, qytetet e vjetra rivale, Bengazi dhe Tripoli, ende po luftojnë për pushtet, në kurriz të qeverisë së dobët qendrore.

Palestina, me shtetësinë e saj tani të njohur nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së, në rastin më të mirë është një shtet konceptual. Pjesa më e madhe e territorit, të cilin e pretendojnë palestinezët, mbahet ende nën okupim nga Izraeli.

Një vit pasi që amerikanët i dhanë fund pushtimit të tyre të përgjakshëm të Irakut, ky shtet mezi po mbahet. Forcat e qeverisë, të dominuar nga shiitët, janë të ngujuar në një konflikt të tendosur me luftëtarët peshmerga nga rajoni autonom kurd, përreth qytetit të kontestuar, Kirkuk. Kurdët në Irak po bëhen më të pasur dhe më të fuqishëm, falë burimeve të naftës. Dhe sa më të fuqishëm që bëhen, aq më shumë do të inspirojnë kurdët në Siri, Iran dhe Turqi.

Popullata sunite në Irak po përcjellë me vëmendje luftën në Sirinë fqinje. Nëse sunitët arrijnë të përmbysin Assadin, me ndihmën e elementeve xhihadiste, atëherë padyshim se do të vie deri te ringjallja e Al Qaedës edhe në Irak.

Nëse ekziston një dritë e shpresës në këtë errësirë në rajon, atëherë kjo dritë është Egjipti. Edhe atje ka probleme. Presidenti Mohammed Morsi dhe Vëllazëria Myslimane, pas triumfit në zgjedhjet këtë vit, treguan se fituesi i merr të tërat. Megjithatë, Morsi tregoi aftësi në manovrimin e korridoreve të pushtetit. Pas revolucionit, si fuqi politike në sipërfaqe dolën edhe femrat në Egjipt.

Vetëm Egjipti ka mundësitë, disa e konsiderojnë këtë edhe si obligim të vendit, që ta udhëheqë botën arabe drejtë një të ardhme demokratike, në të cilën qeveritë do të vijnë dhe shkojnë, por me këtë rast nuk do të vihet në pyetje legjitimiteti i shtetit dhe i pushtetarëve. Vetëm atëherë stabiliteti pervers do të zëvendësohet nga stabiliteti i vërtetë dhe vetëm atëherë do ta lëmë kiametin me të vërtetë prapa nesh. (Newsweek)