Fundamenti

Limaj thotë se Kosova ka traditë të shkojë në zgjedhjë të jashtëzakonshme

/ 4 minuta lexim

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj thotë se për të shkuar vendi në zgjedhje duhet të “piqen” kushtet.

Sipas tij, kjo varet edhe nga puna që bën Qeveria e Kosovës, por Limaj gjatë intervistës për KP, vlerëson se aktualisht kjo e fundit është duke i kryer punët e veta.

“Zgjedhjet vijnë kur të piqen kushtet. Natyrisht me rregulla është zakonisht me afatet ligjore, çdo katër vite ka zgjedhje. Por, kjo nuk është diçka fikse, gjithmonë varet nga zhvillimet. Zhvillimet e gjithëmbarshme në vend, zhvillimet nga funksionimi i Qeverisë, nga puna që bën Qeveria e Kosovës nga detyrat që i kryen. Praktikisht, duhet të krijohen para kushte nëse do të ketë nevojë për zgjedhje, tani për tani Qeveria është duke i kryer punët e veta”, ka thënë Limaj.

Megjithatë, Limaj nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve. Sipas tij, Kosova ka traditë të shkuarjes në zgjedhje ende pa përfunduar mandati i saj.

“Aktualisht jo, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen mund të ndodhë. Procesi politik është i gjallë dhe varet se si punohet, punohet për të funksionalizuar dhe për të vazhduar qeverisjen apo në momentin kur Qeveria nuk punon si duhet, atëherë duhet t’i jepet mundësi zgjedhjeve. Kështu ka ndodhur gjithmonë në Kosovë në të kaluarën, bile për më tepër Kosova e ka një traditë që nuk e ka problem që të shkoj në zgjedhje, sikur vendet e tjera përreth. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin në tërësinë e vet, sepse janë pjekur kushtet dhe është vlerësuar që të shkohet në zgjedhje”, tha ai.

UBT

Pavarësisht kësaj, Limaj thotë se tani për tani nuk ka ndonjë sinjal që të shkojë vendi në zgjedhje.

Sa i përket deklaratave të opozitës, për rrëzim të Qeverisë, Limaj i quan normale kërkesa të tilla, madje thotë se sugjerimet e tyre i merr me shumë seriozitet. E sa i përket koalicioneve të mundshme dhe linjave të kuqe, Limaj thotë se është herët të flitet.

“Ajo çfarë ne i japim peshë është bashkim, bashkëpunim në shërbim të ndryshimit të gjendjes. Kështu që në këtë drejtim ne besojmë me të gjitha forcat politike mund të gjejmë gjuhën e komunikimit dhe bashkëpunimit dhe ndërsa për partneritete të ardhshme është tash herët të flitet”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nisma-s gjatë kësaj interviste ka pohuar se qeverisja në koalicion është duke u përballur me vështirësi, e në mënyrë që ajo të funksionojë si duhet duhet të mirëmbahet.

“Nuk është lehtë qeverisja në koalicion. Natyrisht, gjithmonë ka vështirësi dhe unë nuk do të isha i sinqertë nëse them që nuk ka vështirësi në funksionimin e koalicionit, duke marrë parasysh edhe synimet. Ju e dini që ne kemi edhe programe të ndryshme, jemi pajtuar për të ndërtuar një program qeverisës. Ne për shkak se dallojmë, jemi tri grupe të ndryshme politike dhe përpjekja në koalicion është që ju duhet të punoni shumë, të bashkëbisedoni, dhe të negocioni për të ndërtuar qëndrime të përbashkëta ose për t’i përafruar qëndrimet. Deri më tani nuk është që nuk ka pasur vështirësi, por koalicioni ka funksionuar. Ajo që unë zakonisht vlerësoj është se asnjë koalicion dhe partneritet nuk mundet të funksionojë nëse nuk mirëmbahet çdo ditë”, tha Limaj./express/