Limaj: Specialen le ta themelojë OKB-ja, nëse mundet
Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se ajo që e kthen Kosovën 16 vjet prapa është prekja dhe kufizimi i sovranitetit, duke iu përgjigjur kësisoj indirekt deklaratës së kryeministrit Isa Mustafa se mosthemelimi i Gjykatës Speciale, e kthen Kosovën 16 vjet prapa.
“Prekja dhe kufizimi i sovranitetit e kthen Kosovën 16 vite mbrapa në protektorat, dhe ju që po negocioni për këtë çështje duke mos pasur mandat dhe legjitimitet për një gjë të tillë, e dini mirë çfarë dëmi mund t’i shkaktohet konsolidimit tonë shtetëror”, ka thënë Limaj.
Ai u ka bërë thirrje krerëve të shtetit që, siç ka thënë, të kthehen në mandatin që ua jep Kushtetuta dhe obligimet që dalin nga kompetencat e tyre shtetërore.
“Ndërpritni këto negociata dhe të gjithë miqve tanë t’u thuhet: Po, ne jemi të hapur për të gjetur rrugë dhe opsion kredibil për adresimin e të gjitha dyshimeve të dala në raport, por pa prekur sovranitetin e shtetit tonë. Nëse nuk ka mirëkuptim atëherë kjo çështje le të shkojë edhe në OKB, me mesazhin e qartë, se ne nuk votojmë kufizimin e sovranitetit të vendit tonë.
Duke mos dashur që këtu të flas se a mundet apo jo OKB-ja të krijojë një gjykatë të tillë, por hajt të themi se edhe mund ta formojë”, ka thënë Limaj.
“Por atë le ta bëjë për të gjitha krimet e supozuara që janë bërë gjatë luftës në Kosovë, dhe në asnjë mënyrë krijimi i kësaj Gjykate të ketë njëanshmëri, por të ketë gjithëpërfshirje”, ka shtuar më tej ai.
http://koha.net/?id=9&l=61927


