Uji Dea

Limaj: Serbia s’do të ndalet me kaq, sulme të tilla mund të përsëriten – hetimi ndërkombëtar i domosdoshëm

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka quajtur agresion i Serbisë ndaj Kosovës sulmin në Banjskë. Sipas Limajt, Serbia nuk do të ndalet me kaq dhe se sulme të tilla mund të përsëriten.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i Nismas ka thënë se Serbia ka pasur për synim ndryshimin e realitetit të Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratike.

Limaj e sheh edhe si tendencë për të okupuar territore në Kosovë, teksa grupet terroriste i sheh se janë mbështetur nga shteti serb.“Ai është një agresion, nuk është thjesht një sulm ndaj Policisë së Kosovës por është agresion ndaj shtetit të Kosovës. I planifikuar, i mirë menduar me objektiv të qartë politik dhe në mbështetje të fuqishme logjistike siç e kemi parë nga shteti serb. Agresion i Serbisë në drejtim të Kosovës për të ndryshuar realitetet, me objektiva të qarta territoriale për të provokuar një luftë ose konflikt në Kosovë, për ta destabilizuar këtë vend dhe mundësisht për të okupuar pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Limaj për EO.

Uji Dea

Teksa ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Limaj pajtohet që të ketë hetim ndërkombëtar.“Ajo që ka ndodhur është fillimi i atij planifikimi, kështu që natyrisht duhet një hetim i gjithmbarshëm dhe besoj se institucionet tona të sigurisë kanë bërë dhe janë duke bërë hetime, për ta zbardhur deri në fund këtë agresion dhe për ta vënë në tavolinën e akuzës Serbinë. Pra për ta bërë ndërlidhjen e qartë e cila dihet që është, e cila dihet që është, me fakte dhe prova. Kush qëndron prapa këtij agresioni dhe siç e ka thënë edhe Parlamenti i Kosovës na duhet urgjentisht një hetim ndërkombëtar për të fituar kredibilitetin e nevojshëm ky hetim. Kosova është e interesuar dhe ka nevojë që këto prova të marrin vlerën kredibile dhe të testohen nga një hetim ndërkombëtar. Është interes jetik i Kosovës që ky hetim të përfshihen akterët në këtë hetim dhe përfundimisht të dihet saktë ajo çfarë ka ndodhur dhe po ndodh”, u shpreh Limaj.

Ish-zëvendëskryeministri u shpreh se Serbia ka ndryshuar diskurs në raport me Kosovën. Thotë se nga politikat për të kundërshtuar pavarësinë, ka hyrë në një fazë të agresionit.“Për mua ky është vetëm fillim i asaj. Serbia ka hyrë në një fazë tjetër në drejtim të agresionit të Kosovës. Deri tani ne e dimë se në çfarë forma Serbia ka funksionuar në raport me Kosovën duke mohuar nga vetë, lirinë dhe shtetësinë e saj dhe nuk ka lënë asgjë pa bërë për ta anuluar realitetin që është krijuar. Tani ka kaluar në një fazë tjetër, të gjitha ato mekanizma i kanë dështuar, tash ka kaluar në një fazë të agresionit të hapur territorial ndaj Kosovës dhe kjo duhet të faktohet dhe provohet”, u shpreh Limaj.