Limaj kërkon drejtësi pa ndikime politike

Ka vazhduar edhe sot dhënia e fjalëve përfundimtare të avokatëve të të akuzuarve në rastin “Kleçka”. Avokatët edhe sot kanë hedhur poshtë dëshmitë e dëshmitarit Agim Zogaj i njohur si “X”, duke thënë se ai ka gënjyer gjatë tërë kohës. Fjalën përfundimtare e ka thënë edhe vet i akuzuari në këtë rast, Fatmir Limaj. Ai ka kërkuar drejtësi nga Trupi Gjykues, duke u bazuar në standardet e vendeve të tyre prej nga vinë.
Limaj, gjatë fjalës së tij, ka thënë se shumë gjëra që ka thënë Agim Zogaj janë dëshmuar se janë gënjeshtra, por që, sipas tij, ai nuk është këtu për të rrëfyer se pse ka gënjyer. Limaj me tutje ka shtuar se ai dyshon se dëshmitari Zogaj gjithë këtë histori trillimesh e ka bërë vet, por se kjo ka mundur të jetë shtyrë edhe nga dikush, qoftë për motive politike, apo çfarëdo motive tjera, që Limaj ka thënë se nuk e dinë pse ka ardhur deri këtu.
“Kur Evropa kërcënohej përfundimisht, në kujtimet e tij, Winston Cherrchill ka thënë: Ka ardhur që Hitlerit t’i përgjigjemi me gjuhen që ai e kupton”, citoi Limaj.
Ish komandanti i UÇK-së ka shtuar se qendra e ndalimit në Kleçkë nuk ka pasur të bëjë asgjë me brigadën “121 Kumanova”, siç ka thënë dëshmitari Agim Zogaj, madje këtë e kanë dëshmuar edhe dy dëshmitarët: ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Bislim Zyrapi dhe ish shefi i departamentit ligjor të UÇK-së Sokol Dobruna.
Limaj ka vënë në dyshim ditarët e Agim Zogajt, duke thënë se si është e mundur që ditari të ketë vetëm data për njerëz që janë mbajtur në qendrën e ndalimit në Kleçkë, e të mos ketë asnjë rrëfim të tij ditor, aktivitete apo diçka tjetër, përpos çështjeve administrative që ka mbajtur si drejtor i burgut që ka qenë – siç e ka thënë edhe ai vet – e që i ka dhënë raport Sokol Dobrunës.
“Dyshimi është një mjegull që e mbulon pamjen e vërtetë të natyrës. Ne kemi parë në këtë kohë që akuza ka provuar të bëjë mjegull. Por, procesi i deritanishëm ka prodhuar dëshmi të mjaftueshme për juve Trup Gjykues, që të hiqet ajo mjegull”, ka thënë Limaj.
Po ashtu, Limaj tha se Agim Zogaj kurrë nuk kishte qenë dëshmitar në Hagë. Ndërsa, kryetari i Trupit Gjykues, Malkolm Simons, ka kërkuar nga Haga që të jap informacione nëse Zogaj kishte dhënë deklaratë në Hagë, gjatë periudhës 14 deri 30 nëntor 2006. Por, Haga i ka kthyer përgjigje – derisa po mbahej seanca e sotme – se Agim Zogaj nuk ka dhënë deklaratë në këtë kohë që ai ka kërkuar.
Limaj ka shpjeguar edhe hierarkinë udhëheqëse të UÇK-së, pozitat e tij që ka mbajtur gjatë tërë luftës dhe qëndrimin e tij në Shqipëri në përgatitjen e operacionit “Shigjeta”.
Në këtë seancë po ashtu deklaratat përfundimtare i kanë dhënë edhe avokatët mbrojtës të Shaban Shalës, Sabit Shalës, Refki Mazrekut dhe Besim Shurdhajt.
Haxhi Millaku, avokat mbrojtës i Refki Mazrekut ka thënë se në asnjë rast nuk duhet t’i besohet dëshmitarit Zogaj e as dëshmive të tij.
“Prokurori i kësaj çështje kërkon me çdo kusht ‘kokën e turkut’. Nuk mund ta akuzosh asnjë person për dikë që nuk është gjetur prova, por me supozimin se mund të ekzistoj”, ka thënë Millaku.
Millaku ka shtuar se ai ka pritur nga prokurori Salustro që të ndal fabrikimin e provave.
Artan Qerkini, avokat i Besim Shurdhajt, ka thënë se duke marrë parasysh provat e shqyrtuara para Trupit Gjykues, nuk janë dëshmuar akuzat e prokurorit të ngritura në aktakuzën e tij, e rrjedhimisht nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i pandehuri Besim Shurdhaj ka kryer veprat me të cilat akuzohet.
“Duke u mbështetur në gjithë tregimin dhe deklarimet e dëshmitarit Agim Zogaj dhe provat tjera të shqyrtuara në këtë procedurë, lehtësisht vërehet se Agim Zogaj ka tentuar t’i shantazhojë bashkëluftëtarët e tij me qëllim të përfitimit ekonomik”, ka thënë Qerkini.
Qerkini ka shtuar se dëshmitari “X” kishte edhe deklarata jokonsistente, pasi Sokol Dobruna, më 23 prill 2013 kishte thënë se Agim Zogaj ka qenë koordinator i burgut në Kleçkë. Dëshmitari “X” kishte thënë në deklaratën e tij me datën 16 korrik 2007 në Policinë e Kosovës se ai ka qenë ushtar i thjeshtë, ndërsa në deklaratën e dhënë prokurorisë kishte thënë se ka qenë roje burgu.
Po ashtu, edhe dy avokatët tjerë, Mexhid Syla e Taulant Hoda, avokatë mbrojtës të Sabit Shalës, përkatësisht Shaban Shalës, kanë kontestuar dëshmitë e Agim Zogajt duke thënë se janë të pabaza, të pavërteta dhe jo të argumentuara.
Në fund edhe, prokurori Salustro ka dhënë disa replika rreth atyre fjalëve përfundimtare të avokatëve që i kanë dhënë dje dhe sot, duke thënë se nuk qëndrojnë ato që kanë thënë.
Pas seancës avokati i Naser Shalës, gjermani Donald Event, ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur të gjejë prova tjera, e kjo do të thotë që duhet të bien të gjitha akuzat kundër të tij.
“Së pari nuk mund ta paramendoj që nën ato rrethana dikush ka qenë në gjendje të shkruaj ditar fshehtas, ta fsheh nga të tjerët. Kuk mendoj se kjo është e mundur. Kjo nuk ka mundur të ndodhë. Jam më se i sigurt për këtë dhe nuk kemi ndonjë shpjegim për këtë, madje as pyetje nga prokuroria se si ka mundur ta bëjë. Mendoj se kjo gjithashtu tregon se kemi pasur hetime të anuara”, ka thënë Event.
Avokati i Limajt ka thënë se tashmë i kanë përfunduar deklaratat e tyre përfundimtare të gjithë avokatët dhe se kryetari i Trupit Gjykues ka deklaruar se ky gjykim ka përfunduar dhe aktvendimi do të sillet me 17 shtator 2013. /Kosovapress/