RCCOLA

Limaj e Krasniqi, e shkelën statutin

/ 4 minuta lexim

Kuvendi Zgjedhor i PDK’së mbahet sivjet. Kushdo që e meriton, mund të jetë kundërkandidat i Hashim Thaçit. Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi shkelën Statutin e partisë duke votuar si Vetëvendosja. Ka ardhur koha që të zyrtarizohet profilizimi ynë si parti e djathtë. Adem Grabovci, Shef i Grupit Parlamentar të PDK’së, flet për Express.

Express: Në seancat e fundit të Kuvendit është vërejtur se grupi juaj parlamentar nuk është aspak unik. Për rrëzimin e mocionit të opozitës për privatizimin, ju ndërtuat aleancë me partitë e opozitës. A mund të shkojë deri në fund të mandatit kjo Qeveri me mbështetjen e deputetëve të opozitës në Parlament, apo duhet të ridisenjohet koalicioni qeverisës?

A. Grabovci: Grupi Parlamentar i PDK’së është plotësisht unik, ose thënë ndryshe, në masën mbi 90 për qind të deputetëve të grupit që unë e udhëheq, e ka përkrahur procesin e privatizimit. Opinione të ndryshme për privatizimin kishte edhe brenda partive të tjera politike. PDK’ja e përkrah procesin e privatizimit që të shkojë sipas agjendës së paraparë. Vendimi ynë është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ekonominë e lirë të tregut, konkurrencën e lirë. Ky ishte pozicioni ynë kur ishim në opozitë, por edhe tash në pozitë.

Express:Si u bë që AAK’ja dhe disa deputetë të pavarur të shndërrohen brenda javës në partnerë të PDK’së në Parlament. A u keni ofruar diçka atyre, pasi që në bazë të deklaratave të deritashme të këtyre subjekteve, nuk duket të jetë mbështetje parimore?

Mobi Casa

A. Grabovci: Kjo mbështetje nuk ka qenë as personale, e as e pazareve. Prandaj, nuk bëhet fjalë për kurrfarë ofertash, për të cilat ju aludoni, e as për farë skemash konspirative për të cilat po gëlojnë disa media. Nuk kërsiti kiameti: AAK’ja e ka votuar vazhdimin e procesit të privatizimit, e disa kanë abstenuar, sepse ndoshta edhe ky subjekt politik mendon ngjashëm sikur ne kur është në pyetje procesi i privatizimit, apo edhe zhvillimi ekonomik në përgjithësi. Debatin mbi dhe rreth procesit të privatizimi, duhet shikuar më shumë si një pozicionim konceptesh. Dikush ia mbajti kah ekonomia e centralizuar dhe e kontrolluar nga shteti, kurse ne si PDK, dhe të gjithë ata që votuan për vazhdimin e procesit të privatizimit, i takojmë konceptit të ekonomisë së lirë të tregut, ku shteti nuk e kontrollon ekonominë, por krijon politika zhvillimore, e mbështetur në sektorin privat. PDK’ja qëndron kundër ndërhyrjes në ekonomi dhe burokracisë së madhe shtetërore. Pra, ishte një ballafaqim i dy koncepteve: konceptit të moderuar dhe të ekonomisë së lirë të tregut, përballë rrymës ekstreme dhe regresive ultramajtiste.

Express: Partneriteti juaj me AAK’në a do ta dëmtojë partneritetin që e keni me AKR’në?

A.Grabovci: Po them se kjo për çka po flisni ju hyn më tepër në zhanrin e teorive konspirative. Ne edhe para zgjedhjeve, edhe gjatë zgjedhjeve, e edhe tash po e përsërisim se nuk jemi një subjekt politik që kemi vija të kuqe, për asnjë subjekt politik. Sidomos jo për ato subjekte politike, që po aq sa PDK’ja janë meritore për të arriturat e Kosovës. Pa dyshim që edhe AAK’ja hyn në radhën e këtyre subjekteve politike. Si me AAK’në, si me LDK’në, ne mund të kemi thyerje konceptuale, apo edhe në politikën ditore, por nuk do të thotë se në një fazë të zhvillimit politik ne nuk i lëmë anash inatet ditore, kur është në shërbim zhvillimi i vendit. Mirëpo, asnjë partneritet nuk mund të ndikojë, e as nuk do ta ndikojë aleancën tonë me AKR’në. Ne e konsiderojmë AKR’në si një subjekt politik shumë serioz dhe mendojmë që bashkëpunimi të jetë i konsoliduar. Një miqësi e re nuk do ta dëmtojë një miqësi të vjetër, e as nuk duhet.