RCCOLA

Limaj: Deputetëve me vota të vjedhura t`u merret mandati

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Prokuroret kanë hetuar shumë persona për manipulim të votave, por kanë dështuar ta hetojnë krimin e organizuar në zgjedhje dhe të ndjekin qoftë edhe një politikan të vetëm për vjedhjen e votave. Ka pasur vjedhje të organizuar të votave dhe se pjesa dërmuese e vjedhje të votave është bërë brenda partive dhe se tani në Kuvendin e Kosovës ka deputetë si rezultat i votave të vjedhura, gjë që ka cenuar legjitimitetin e deputeteve të Kuvendit.

Kështu u tha të martën në një konferencë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Friedrich Ebert Stiftung me temën “Krimi i organizuar në zgjedhje, roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve”.

Fatmir Limaj, nënkryetar i PDK-së, tha se subjektet politike janë të interesuar, për një sistem zgjedhor normal dhe se Kosova ka dhënë shembull të mirë në të kaluarën në organizimin e zgjedhjeve. Por ajo që ndodhur në zgjedhjet e vitit 2011, sipas tij, ka dëmtuar jo vetëm imazhin e Kosovës, por dhe demokracinë në këtë vend. Limaj po ashtu tha se nga ajo që është parë deri më tani, del se manipulimi më i madh është bërë brenda një grupi politik, brenda një partie politike dhe në të gjitha partitë politike dhe se këto manipulime i ka stimuluar edhe sistemi zgjedhor.

“Do të doja shumë që organet kompetente, nëse themi se ka pasur devijim të votës nga një kandidat në kandidatin tjetër, unë do të doja dikujt që t’i merret mandati. Është pyetja a ka deputet që sot që është me vota që s’janë të tij në parlamentin e Kosovës. Nëse ka dhe vërtetohet se ka, atij duhet t’i merret mandati dhe aty e tutje mund të diskutojmë. Unë mendoj se kjo i shërben procesit të ardhshëm”, tha ai.

Ndërsa Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se në zgjedhjet e kaluara është vërtetuar se ka pasur vjedhje masive të votave dhe se kjo duhet të jetë një vërejtje e madhe për shoqërinë në Kosovë, partitë politike dhe KQZ-në, e cila është e obliguar ta bëjë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Manipulimi zgjedhor ka degraduar politikën vendore në përgjithësi dhe pa arsye ka barazuar keqpërdoruesin dhe ata që janë zgjedhur me votën e lirë. Sepse në parlamentin e Kosovës kemi deputetë që kanë mund të fitojnë sepse janë figura politike dhe mund të jenë të përzgjedhurit. Por, kemi edhe deputetë të cilët as atyre vetë nuk ua ka marrë mendja që mund të jenë as këshilltar komunal e le më deputet. Vjedhjet në fakt kanë cenuar legjitimitetin e deputeteve të Kuvendit”, pohoi Isufi.

Por Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili bëri prezantimin e raportit për politiken e ndjekjes së krimit të organizuar në zgjedhje tha se është vërejtur një hezitim i prokurorëve për zbardhjen e këtyre krimeve.

Fundamenti

“Pas manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2010 është fajësuar sistemi zgjedhor. Mirëpo ne mendojmë se nuk është fajtor sistemi zgjedhor por faktori njeri. Pra kanë qenë përgjegjës ekzekutuesit e manipulimi të zgjedhjeve që kanë qenë përfaqësues të partive politike. Meqenëse në kaluarën nuk i kemi ndjekur dhe gjykuar vjedhjen e votave që ka ndodh si në vitin 2004, 2007 dhe 2009, atëherë është mbërri kulmi i manipulimeve në zgjedhjet e vitit 2010, ku u zgjuan edhe të vdekurit dhe votuan”, pohoi Musliu.

Ndërsa hap pozitiv dhe të rëndësishëm Musliu e quan faktin se manipulimet që kanë ndodhur në këto zgjedhje po trajtohen si lëndë prioritare. Megjithatë, sipas tij, politika e ndjekjes dhe e dënimeve, deri tani bazuar në këtë analizë është joadekuate.

Edhe Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit e cila foli se si është zhvilluar ndjekja për këto raste të manipulimi të zgjedhjeve tha se prokurorisë së shtetit i kanë arritur 91 raste përmes së cilave subjektet politike, kandidatët dhe shoqëria civile dhe vëzhgues të zgjedhjeve, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullësitë që kanë shënuar zgjedhjet. Ajo tha se Prokuroria e Shtetit i ka dhënë prioritet këtyre lëndëve dhe se prej marsit e vitit 2011 e deri më tani janë akuzuar 1500 persona.

“Është për t’u habitur se gjetjet e QNR-së kanë shërbyer si prova të pakontestueshme për prokurorinë, ngase auditimi i formularëve të rezultateve kanë qenë kryesisht për kandidatë dhe deputetë të parlamentit të Kosovës. Kur kemi pasur me subjekte politike, nuk kemi pasur ndryshim të votave. Kurse për kandidatët për parlamentit kemi pasur numër drastik të ndryshimit të votave”, tha ajo.

Ndërsa Valdete Daka, gjyqtare e Gjykatës Supreme tha se këto vepra penale, janë duke u shqyrtuar si prioritet, për shkak se për herë të parë në Kosovë ka qenë një numër kaq i madh i lëndëve gjyqësore nga zgjedhjet. Ajo tha se për fat të keq politika ndëshkimore s’ka qenë shumë e qartë dhe se të gjithë ata që janë ndjekur penalisht, janë gjykuar me dënime me kusht he me gjoba, mirëpo falë qëndrimit të Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor, është kërkuar të bëhen ankesat nga prokurorët e qarkut dhe Prokuroria e Shtetit dhe pas ankesave të gjitha dënimet me kusht dhe me gjoba janë konvertuar ne dënime me burg efektiv.

Nga kjo analizë del se prokurorët deri më tani kanë ngritur akuza për 221 raste, ku përfshihen një mijë e 516 persona, ku nga ky numër gjykatat komunale, kanë konfirmuar 94 raste. Sipas të dhënave të gjykatave komunale të Kosovës, deri më tani në punë janë 154 raste ku janë zgjidhur vetëm 41 sosh, ku përfshihen 191 persona. Por Musliu thotë se gjykatat komunale në rastet e zgjidhura kanë zbatuar një politikë jomeritore, për shkak se në 70 për qind të dënimeve, janë shqiptuar dënime me gjobë dhe këto janë dënime qesharake, duke marrë parasysh dëmin e madh që është shkaktuar nga vjedhja e votave dhe se vetëm 10 për qind e dënimeve janë me burgim efektiv.