Limaj: Demonstratat e ’81-ës kanë avancuar statusin politik të Kosovës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar demonstratat studentore të vitit 1981.
Ai ka thënë se demonstratat e vitit 1981 kanë qenë avancim i statusit politik të Kosovës nga anatomia në Republikë,shkruan Gazeta Express.
“Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 dhe demonstratat e mëvonshme të atij viti shënuan kthesën e madhe në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. Në këtë ditë të rëndësishme ne kujtojmë dhe nderojmë me sinqeritetin më të madh të gjithë ata protestues, të cilët me vendosmëri dhe guxim të lartë artikuluan të drejtën e qytetarëve të Kosovës për Republikë”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.
Më tutje Limaj ka thënë se sot bëhen 40 vjet nga organizimi i demonstratave studentore të vitit 1981, ku mijëra studentë anekënd vendit, profesorë universitarë dhe qytetarë të shumtë zgjodhën rrugën e protestës kundër shtypjes, që u bëhej nga regjimi i asaj kohe, si dhe për të kërkuar avancimin e statusit politik të Kosovës nga autonomia në Republikë.


