Ligji që nuk zbatohet

Nga Delvina Boletini – Pirja e duhani është një dukuri negative, e cila fatkeqësisht po shënon trend të rritjen në shoqërinë tonë, ndërsa shumë shqetësues është fakti se grup-mosha që konsumojnë duhan është e re. Këtë nuk po e themi duke u bazuar në ndonjë hulumtim empirik, por nga një vëzhgim i thjeshtë në lokalët e qyteteve, e veçanërisht Prishtinës.
Edhe pse më parë pirja e duhanit ka qenë e praktikuar nga burrat dhe në shoqërinë tradicionale shqiptare pothuajse të gjithë meshkujt që kanë kaluar fazën e adoleshencës kanë filluar që të pinë duhan. Por aktualisht kjo ka ndryshuar. Tashmë të rinjtë janë ata që konsumojnë me të madhe duhanin.
Duke marrë parasysh pasojat e shumta që shkakton konsumimi i duhanit, direkt tek ata që e konsumojnë, por edhe tek rrethi, edhe pse me vonesë me sponzorizimin e Ministrisë së Shëndetësisë është miratuar Ligji për Duhanin. Por fatkeqësisht ky ligj ka mbetur vetëm në letër, pasi që nuk po gjen zbatim as të përafërt.
Një tavolinë pihet në tjetrën jo!
Kur është miratuar Ligji për Duhanin (2005) dhe kur janë bërë disa ndryshime në vitet e fundit edhe me ndikimin e medieve se ky ligj do të jetë i ashpër e pati ndikimin e tij në shumë lokale. Fillimisht në disa ambiente publike u vendosen shenja që ndalonin duhanin, dhe kjo e pati efektin e vetë. Por pasivizimi i inspektorëve në këtë drejtim ndikoi që këto shenja të mos respektoheshin fare.
Gjeja më skandaloze në këtë ligj është ndarja e hapësirës me përqindje në ambientet publike. Kjo ndarje nuk është bërë përmes ndarjes fizike të lokaleve dhe kushteve të ventilimit, por është bërë vetëm përmes ndarjes së tavolinave. Si pasojë e gjithë kësaj, aktualisht brenda lokaleve një tavolinë lejohet pirja e duhanit e në një tjetër jo, ndërsa ambienti është i njëjti pa asnjë ndarje fizike.
Edhe kjo situatë është një stimulim për konsumim të duhanit, ndërsa në anën tjetër kemi edhe ide tjera që fliten në opinion për moskonsumimin e duhanit, e që ka të bëjë me shtrenjtimin e çmimit të duhanit. Ndoshta shtrenjtimi i çmimit të duhanit do të ndikonte tek një pjesë e të rinjve që të heq dorë nga konsumimi i duhanit. Por faktori kryesor që do të ndikonte në ndalimin e konsumimit të duhanit në hapësirat publike është edhe masa e ndëshkimit për ata që shkelin ligjin. Pasi që praktikimi i gjobave nga ana e inspektorëve do të kishte efekte në këtë drejtim.
Duke marrë parasysh situatën aktuale jo të mirë dhe moszbatimin e Ligjit për Duhanit, tashme është krijuar një grup brenda Ministrisë së Shëndetësisë, i cili do të bashkëpunojë edhe me aleatët e “Koalicionit antiduhan” që është nënshkruar kohë më parë midis institucioneve dhe shoqërisë civile, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe e UNICEF-it, që të përgatis koncept-dokumentin, për ndryshimin e këtij ligji në vitin 2012.
Me këtë ndryshim të ligjit në fjalë parashihet që të mos jetë ndarja e hapësirave në lokale 70/30 (70 për qind hapësirë pa duhan dhe 30 për qind hapësirë ku mund të pihet duhani nën kushtet e një ventilimi të mirë dhe kushtet e tjera), por që me Ligjin e ri të Duhanit që pritët të nxirret pas këtyre ndryshimeve, konsumimi i duhanit do të ndalohet 100 për qind në hapësirat publike. Edhe për ndryshimet e Ligjit për Duhanin është duke u bërë një debat në lidhje me disa detaje që kanë të bëjnë sidomos me reklamimin dhe disa detaje tjera.
Mbetët që të shihet se sa do të ndikojë miratimi i Ligjit të ri për Duhanin në rregullimin e kësaj dukurie, ndërsa institucionet përkatëse që kanë për detyrë të mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, duhet të jenë shumë më rigoroze në këtë drejtim.
(Autorja është studente në drejtimin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)