UBT

Ligji mbi pagat e thellon pabarazinë sociale, e ngulfatë zhvillimin ekonomik…

/ 4 minuta lexim

Nga Sinan Sadiku – Më në fund u miratua ligji mbi pagat. Kushdo që e njeh realitetin në Kosovë dhe i ka përcjell diskutimet, debatet, kërkesat, protestat lidhur me këtë ligj e di se miratimi i ligjit në fjalë nuk i ka eliminuar dallimet e paarsyeshme në pagat e atyre që financohen nga buxheti i shtetit. Pra ligji në fjalë nuk e ka vendos parimin pagë të njëjtë për punën e njëjtë. Politikanëve: deputetëve, qeveritarëve, këshilltarëve politik dhe të punësuarve në institucione, agjenci dhe ndërmarrje publike në të cilat punojnë militantët e partive politike ju kanë vazhduar privilegjet aspak të merituara: pagat e larta dhe lloj-lloj shtesash. Sa ju përket privilegjeve të kategorive të lartshënuara Kosova njëmend i ka kaluar të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës!

Mund të them se në institucione, agjenci, ndërmarrje publike… ku pagat janë shumë të larta zakonisht punohet më së paku, ka dyfishim e trefishim të të punësuarve disa prej të cilëve nuk punojnë asgjë.

Nga diskutimet u pa që dallimet midis partive politike janë thuajse minimale, ndërsa diskutimet sa me i shit popullit “dushk për gogla”. Ligji mbi pagat vazhdon ta ruajë pabarazinë sociale në një nivel të cilin nuk e ka asnjë shtet i Evropës. Kjo pabarazi sociale tashmë e ka krijuar një raport johuman midis njerëzve, një pesimizëm te të rinjtë të cilët nuk lënë mundësi pa e shfrytëzuar për të ikur nga Kosova dhe për të shkuar në shtetet demokratike që kanë fytyrë njerëzore. Kosova mbijeton me produktet që i importon nga jashtë falë mjeteve që i sjell diaspora.

Gjeneratat e reja që tashmë po ikin nga Kosova nuk do të sjellin mjete të shumta në Kosovë, nuk do të ndërtojnë shtëpia trekatëshe, nuk do të blejnë toka, nuk do të bëjnë dasma në të cilat harxhohen nga 10, 20 apo 30 mijë euro. Pas disa viteve do të bie importi e bashkë me të edhe të hyrat nga doganat, por njëkohësisht do të bie edhe qarkullimi i mjeteve dhe të hyrat tjera.

KKGJILAN

Ka qenë koha e fundit për t`i ndërpre këto tendenca negative të cilat jo që nuk u ndërprenë por ndodhi e kundërta. Sa ju përket pagave që jepen nga buxheti i Kosovës në mënyrë që të zbuten dallimet e thella sociale, më të thella se në çdo shtet evropian, në mënyrë që të mos i zihet fryma sektorit privat zgjidhja e drejtë do të ishte: Paga më e lartë 1200 euro presidenti dhe më e ultë 350 euro punëtori teknik që i pastron hapësirat e brendshme të institucioneve publike. Midis këtyre dy pagave do të duhej të sistemoheshin të gjithë ata që marrin paga nga buxheti. Përveç pagave nuk do të duhej të kishte asnjë shtesë tjetër. Kuptohet nga buxheti do të paguheshin shpenzimet për të funksionuar institucionet, udhëtimet zyrtare etj.

Përveç shpenzimeve nuk do të duhej të kishte mëditje për ata që shkojnë në vizita pune jashtë shtetit të cilat vizita më së shpeshti bëhen për të marrë mëditje të majme. Jam shumë i bindur se po ta bënin këtë deputetët tanë do të gjenin mirëkuptim te të gjithë ata që punojnë në arsim, shëndetësi, administratë… sepse do të kënaqej ndjenja e drejtësisë, ngase shpesh njerëzit i lëndon më së shumti padrejtësia. Tani edhe me këtë ligj thuajse askush nuk është i kënaqur sepse është krijuar një atmosferë në të cilën tek njerëzit është zhvilluar së tepërmi instinkti për të marrë, për të rrëmbyer secili sa të mundet dhe si të mundet. Në këtë aspekt Kosova është shndërruar në një xhungël ku secili jeton duke e ngrënë tjetrin.

Shtetet krenohem me cilësinë e shërbimeve që ua japin qytetarëve të vet dhe jo me lartësinë e çmimit me të cilin qytetari i paguan ato shërbime, siç po ndodhë tek ne!/rajonipress/