UBT

Ligji i turpshëm për pagat, politikanët ia rrisin rrogat vetes

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Drafti është skandaloz, duhet rishikuar tërësisht

“Klasifikimi i bërë në Projektligjin për pagat ka nxitur pakënaqësi, sidomos të mësimdhënësve dhe të mjekëve. Ata kërkojnë trajtim më të dinjitetshëm dhe ngritje të koeficientit të pagës. Nga 12 koeficiente, sipas renditjes në Projektligj, mësimdhënësit e kanë koeficientin e pagës nën 3. Ndërkohë që është presidenti i vendit që e ka koeficientin më të lartë të pagës, që vlerësohet me koeficientin 12. Ai do të ketë pagën 2.868 euro, që i bie rreth 196 euro më shumë se që e ka aktualisht, e që është 2.672 euro. Kjo edhe është arsyeja se përse Projektligji i ri për pagat, i propozuar nga Qeveria ‘Haradinaj’, ka shkaktuar pakënaqësi të shumta, gjë që ka bërë që sektorë të ndryshëm të hyjnë në grevë”, shpjegoi eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”

Përfaqësues të Sindikatës, deputetë të opozitës dhe analistë të ekonomisë shumica sish janë të habitur se përse Qeveria “Haradinaj” nuk po tërhiqet nga Ligji për pagat, që ka krijuar pakënaqësi te shumë shtresa, ku shoferët e Qeverisë paguhen më shumë se arsimtarët. Deputetët dhe analistët pyesin se si ka mundësi që këta qeveritarë mendojnë vetëm për pagat e tyre të larta, ku presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri paguhen shumë më tepër sesa homologët e tyre të rajonit. Lideri i BSPK-së, Avni Ajdini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kjo çështje e ka zanafillën nga viti i kaluar, kur u bë nivelimi i pagave që ka pasur defekte. “Kam thënë se shtëpia ndërtohet nga themeli e jo nga kulmi. Qeveria ka bërë shkelje kur u bë ngritja pagave dhe tash kur mori 30 këshilltarë që paguhen nga buxheti, Koeficienti duhet të ndryshojë dhe në këtë hartim ligji duhet që të punojnë njerëzit ekspertë që e njohin këtë lëmi e jo njerëz që punojnë sipas qejfeve të koalicionit. Prandaj, duhet që të hartohet një ligji për shtetin e për të ardhmen që mos të ketë probleme. Ngritja e pagave duhet të bëhet, por ajo duhet që të bëhet doemos në raport me rritjen ekonomike dhe mos të ketë diskreditim të askujt”, potencoi ai.

Pabarazi dhe padrejtësi me pagat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Ali Lajçi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Ligji për pagat ka qenë kaherë i domosdoshëm për Kosovën dhe kjo ka bërë që të kemi një anarki dhe kaos buxhetor. “Por, ky ligj i vonuar u ka dhënë shansin të gjitha qeverive të pasluftës që t’i rrisin pagat me disa akte qeveritare. Dhe, në këtë rast ndodhi kësisoj edhe kur Qeveria ‘Haradinaj’ e bëri një rritje të tillë të pagave për vete, ndonëse nuk kishte asnjë mbështetje ligjore, pra nuk kishte ligj për pagat. Sepse, po të kishte Ligj kjo do të ishte antikushtetuese dhe kësisoj kanë luajtur edhe Isa Mustafa, edhe Ramush Haradinaj, dhe kjo ishte bizare. Prandaj, e them se Ligji që po vjen do të jetë kaotik, sepse është punuar në bazë të interesave të klaneve, klientelizmit, interesit të koalicioneve dhe grupeve të interesit”, vlerësoi ai. “Në këtë Ligj gjithçka është kaotike, sepse koeficientet nuk janë dhënë në mënyrë adekuate, madje as kuotizimet nuk janë bërë si duhet dhe në shumicën e rasteve ka diferenca të mëdha. Kjo, sepse i diplomuari dhe magjistri janë të injoruar, sikurse edhe titujt akademikë që janë kaotikë dhe si i tillë është bukur vështirë që të harmonizohet, ndonëse është i domosdoshëm”, vijoi më tej Lajçi. “Ligji duhet që të punohet si duhet dhe tashmë ai ndodhet për debate nëpër grupet parlamentare, por paraprakisht duhet që të bëhen këto kategorizime që duhet marrë përgjigjen në bazë të meritave dhe të vlerës dhe barazive buxhetore. Prandaj, pa eliminimin e këtyre defekteve që u cekën gjendja do të jetë kaotike dhe këtë mund ta dëshmojnë vetëm protestat, ndonëse e kanë edhe anën politike. Në këtë rast edhe protestat e mantelbardhëve, arsimtarëve e mësimdhënësve, e mbase edhe ato të shërbyesve civilë po e dëshmojnë këtë dhe po i dëshmojnë këto pakënaqësi e padrejtësi me këtë Ligj”, vlerësoi ai.

Zyrtarët kosovarë, të parët në rajon për rroga të larta

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se Qeveria “Haradinaj” duhet që ta tërheqë Ligjin e ri të propozuar për pagat, sepse është pikërisht ky Ligj që ka krijuar pakënaqësi te shumë shtresa, sikurse që janë mantelbardhët, arsimtarët, e madje edhe tek shërbyesit civilë, që kanë paralajmëruar protesta e duan rritje të pagave. “Andaj, e them me bindje të plotë se një Ligj i tillë është i padrejtë, sepse në këtë Ligj është paraparë që shumë nga shoferët e Qeverisë do të paguhen më shumë sesa arsimtarët”, u shpreh ai. “Në cilësinë e deputetit të Kuvendit që jam, unë po pyes se si ka mundësi që këta qeveritarë të tashëm, por edhe ata të mëhershmit mendojnë vetëm për paga e tyre të larta. Veç saj, pyetja ime e radhës është se përse Qeveria nuk po i rrit pagat në raport me gjendjen ekonomike. Prandaj, e tërë e keqja është se që nga pas lufta e deri më sot, çdo Qeveri që po vjen në pushtet po i shikon vetëm interesat e saj, pa harruar këtu edhe shumë privilegje që ata i marrin”, vlerësoi ai. “Po e marr vetëm një shembull të këtij Ligji të pagave, ku qartë shihet se si presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri i Kosovës paguhen tepër shumë dhe atë shumë më shumë sesa kolegët e tyre të rajonit. Krahasuar me pagat e shefave të qeverive në Ballkanin Perëndimor, del se kryeministri Ramush Haradinaj ka pagën më të lartë në rajon. Sepse, me vendimin e fundit të Qeverisë paga e kryeministrit do të jetë 2950 euro. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pagën mujore e ka 1.700 euro. 400 euro pagë më të vogël sesa të Ramës e ka kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, me 1.300 euro. Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, e ka pagën 1,130 euro, ndërsa Ana Bërnabiq, shefja e Qeverisë serbe paguhet vetëm 1.000 euro në muaj”, ka shpjeguar Salihu. Sipas tij, Projektligji i ri për pagat i propozuar nga Qeveria “Haradinaj”, ka shkaktuar pakënaqësi të shumta, gjë që ka bërë që sektorë të ndryshëm të hyjnë në grevë.

Fundamenti

Puna bëhet në privat, pagat më të larta në shtet

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Qeveria në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqet nga Ligji për pagat. “Është koha e fundit që edhe kjo lëmi të rregullohet një herë e mirë me ligj. Sikurse Ligji që po hartohet për Qeverinë, edhe Ligji për pagat duhet të votohet sa më parë. Kanë kaluar gati 20 vjet qeverisje dhe këto fusha nuk kanë qenë të rregulluara me ligj. Kur hartohen ligjet është e natyrshme që dikujt nuk i konvenon. Ka njerëz që dëshirojnë që në Kosovë të dominojë anarkia e jo ligji. Unë mendoj se pagat në sektorin publik në Kosovë janë më të mirat në rajon dhe të gjithë duhet që të jenë të kënaqur me pagat që i marrin, përfshirë këtu edhe arsimtarët. Nëse i krahasojmë pagat e sektorit publik me sektorin privat, atëherë shohim se në sektorin privat punohet shumë më tepër për paga goxha më të ulëta sesa ato në sektorin publik, ndërkohë që sektori privat është kontribuuesi kryesor i buxhetit të Kosovës. Arsimtarët dhe grevistët e tjerë janë të manipuluar dhe po angazhohen që ta dobësojnë shtetin e Kosovës në këtë përballje përfundimtare me shtetin serb”, vlerësoi ai.

Nuk udhëhiqet kështu shteti

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe Ballkan ku nga presidenti e deri tek kryeministri kanë pagat më të larta. “Mendoj që këtyre politikanëve duhet dikush t’u tregojë se në këto forma shteti nuk udhëhiqet dhe se me rritjen e pagave për vete, duke i lënë anash sektorët dhe ministritë e tjera, kështu nuk bëhet ligji. Andaj, do të ishte e udhës që Gjykata Speciale e Kosovës të marrë masa kundër këtyre politikanëve, të cilët dita- ditës po e varfërojnë qytetarin me këto lloj diskriminosh dhe me këto ndryshime të ligjit që po i bëjnë qysh kujt po i konvenon”, u shpreh Grapci.

Pasojat mund të jenë katastrofale

Edhe eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk dyshon aspak se Ligji për pagat është shumë i padrejtë dhe se vërtet as që e meriton që të quhet ligj. “Ligji për pagat, që së shpejti do të aprovohet në Kuvendin e Kosovës, është hartuar aq keq, dhe mbi të gjitha është i padrejtë, sepse diskriminon mizorisht disa kategori shoqërore e profesionale, ndërsa, favorizon disa të tjera të cilat u përkasin kryesisht kategorive të të fortëve nga kasta e pushtetarëve dhe të të gjitha partive politike. Dhe, ky ligj, si i tillë, nëse hyn në fuqi, do të ketë pasoja katastrofale për shtetin dhe shtetarët e tij, sot dhe në të ardhmen”, theksoi Halimi.

(Kosova Sot)