Lidhjet klienteliste shpëtojnë abuzuesit e drejtësisë
Sistemi i drejtësisë, i varur nga politika dhe grupet e interesit. ZPD-ja dhe KGJK-ja amnistuan zyrtarët recidivist
Sipas analistëve, një pjesë e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë qenë indiferentë ndaj partive politike dhe njerëzve me ndikim të fuqishëm në politikën kosovare, të cilët kryesisht janë mbi rendin dhe ligjin. Si rrjedhojë, kur ata bëjnë shkelje, mekanizmat ndëshkimorë i falin
Veç disa rasteve tepër të vogla, nuk ka pasur ndonjë rast tepër të madh të ndëshkimit, suspendimit apo largimit nga puna të ndonjë gjykatësi dhe prokurori, të cilët dyshohen se kanë rënë ndesh me ligjin. Kjo çështje edhe e ka ngjallur debatin e njohësve të kësaj fushe, se për sa ka qenë efektive ZPD-ja, por edhe KGJK-ja në marrjen e këtyre masave ndaj atyre që kanë shkelur rregullat ligjore dhe kodin e etikës. Sipas rezultateve dhe asaj që është parë në opinion, duket se institucionet e lartpërmendura janë një veçse dekor, që punojnë së koti dhe që nuk i shërbejnë qëllimit për çka edhe janë krijuar.
Kjo lë dyshime se këto dy organizma, që përkujdesen për ruajtjen e ligjshmërisë së tyre, janë vënë kryekëput në shërbim të gjyqtarëve e prokurorëve shkelës e recidivistë të ligjit. Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se janë disa faktorë të cilët kanë ndikuar që të mos e kryejë punën siç duhet ZPD-ja, as task forca e dikurshme, por as KGJK-ja, që të marrin masa ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët kanë qenë të inkriminuar në vepra penale qoftë me palë të ndryshme me kompani, por edhe me individë të ndryshëm. Në këtë drejtim, Burjani thotë se janë lidhur disa situata shumë interesante, pasi, siç thotë ai, një pjesë e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë qenë indiferentë ndaj partive politike dhe njerëzve me ndikim të fuqishëm në politikën kosovare që kryesisht janë mbi rendin dhe ligjin, e që, sipas tij, kjo ka qenë pak e çuditshme.
Presioni nga jashtë i oligarkisë kriminale
Burjani nënvizon se të njëjtat nuk kanë mundur të kenë rezultat, për shkak të ndikimeve dhe faktorëve të jashtëm që ka pasur në KGJK, pasi, siç thotë Burjani, kjo e fundit, kryesisht është jashtëzakonisht inerte, por nganjëherë edhe dogmatike, pasi flet në mënyrë përshkruese, ashtu sikurse edhe Prokuroria e Shtetit që flet për masat që ka ndërmarr dhe punën që ka kryer, gjersa në anën tjetër nuk kemi parë ndonjë përmirësim në rend dhe ligj.
“Pra, dështimi ka ardhur për shkak të ndikimit të jashtëm, por edhe për shkak ta quaj kushtimisht edhe bizneseve që ka pasur një pjesë e gjyqtarëve me kompanitë private dhe njerëzit e fuqishëm nga politika, dhe kësisoj është e kot të bëhen task forca, pasi gjyqtari, ashtu si edhe prokuroi, sot nuk është i pavarur, ngase ata kanë nga dy kontrata e disa edhe nga tri kontrata nëpër kolegjet dhe universitetet publike, gjë kjo që ata janë shndërruar në njerëz të biznesit, duke e shikuar edhe ata biznesin, pasi e kanë parë se ekziston një anarki e madhe”, tha ai. Rrjedhimisht, Burjani thotë se, duke pasur parasysh këtë lloj biznesi që bëhet në këtë vend prej atyre njerëzve të fuqishëm politikë, e deri te lidhjet që kanë me biznesin apo me njerëzit, të cilët paraqesin një klasë të lartë ekonomike, kësisoj edhe rendi dhe ligji nuk po mund të funksionojë./kosova sot/


