Lidershipi i paaftë e zbehu vendimin e GJND-së

Kosova pësoi regres, në vend që të vilte frytet nga suksesi në Gjykatën e Drejtësisë
Njohës të rrethanave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe qytetarë të vendit janë të mendimit se Kosova dështoi që ta shfrytëzojë si duhet vendimin e GJND-së, që ta legalizojë e ta ndërkombëtarizojë pavarësinë e plotë, të cilën tash Hashim Thaçi po përpiqet që ta cungojë me negociatat e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin. Tetë vjet më parë, Kosova arriti suksesin më të madh pas shpalljes së pavarësisë, duke marrë mendimin këshillues pozitiv nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pas padisë që bëri Serbia. Analistët pyesin se nëse vetë GJND-ja e konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, që nënkupton sovranitet dhe integritet territorial, përse tash u dashka një lider ta vërë në rrezik këtë arritje kolosale të Republikës?! Njohësit e politikës pyesin se përse nuk u shfrytëzua si duhet Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Kosova mbeti e izoluar, nuk arriti të anëtarësohej në organizata botërore, vazhdoi të ketë telashe me njohjet, e të cilat i sollën vetë shefat komplotistë të Kosovës. Sipas analistëve, sot si asnjëherë më parë po rrezikohet stabiliteti kushtetues, rendi juridik dhe territori i shtetit, sepse fati i Kosovës është i lidhur me fatin e një lideri komplotist me detyrime ndaj Serbisë, i cili fat po përjeton krizën më të thellë dhe dëshiron me çdo kusht e çmim, të dalë i palagur nga kjo histori komplotiste e tradhtare ndaj shtetit që po udhëheq.
Aventura e presidentit Eksperti i Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se Kosova pas pavarësisë dhe fitores së madhe të GJND-së e pati një shans të madh, por ajo nuk diti ta shfrytëzojë. “Hashim Thaçi, për ta shpëtuar kokën e vet, është në gjendje ta shesë Kosovën. Një gjë të tillë e kemi edhe me kryeministrin, një bodigad që e turpëron Kosovën me qeverisjen e tij dhe kryetarin e Kuvendit, që është i përfshirë në afera të privatizimit”, u shpreh ai. “Edhe pas vendimit të GJND-së kemi një tentativë aventureske të presidentit Thaçi për ta rritur rolin e tij po duke e vënë Kosovën në kaucion dhe në shërbim të shpëtimit të tij nga Gjykata Speciale. Këtë po ndihmon edhe bodigardi Ramsuh Haradinaj. Prandaj, e shoh si një akt patriotik dhe shpëtim pakënaqësinë qytetare që duhet t’i rrëzojë nga postet Presidentin,Qeverinë dhe Kuvendin, në mënyrë që të shpëtohet sadopak, përndryshe do të jetë shumë vonë”, ka potencuar Kelmendi.
Politologu Albinot Maloku, për gazetën”Kosova Sot’, tha se opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i lëshuar tetë vjet më parë për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës padyshim që patentoi shtetësinë edhe në nivelin e së drejtës ndërkombëtare, por nuk u shfrytëzua sa duhet e si duhet nga Prishtina zyrtare. “Efekti i këtij dokumenti u provua të minohej nga Serbia në të gjitha mënyrat, ndërsa Kosova nuk e promovoi me insistim. Se pse nuk u bë kjo, shpjegim kryesor ngeli paaftësia e kësaj dhe qeverive të tjera në Prishtinë. Kosova doli e suksesshme edhe në nivelin e së drejtës ndërkombëtare më 22 korrik të 2010, mirëpo si pasojë e qasjes pakurrizore e insistim të prerë ajo u fut në dialogun e imponuar nga Serbia dhe Bashkimi Evropian, e i cili dialog ende po zgjat”, u shpreh ai.
Fusnota, vulosi rrugën e gabuar Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Blerim Burjani, për “Kosova Sot”, tha se në Kosovë nuk ka pasur shumë interesim që të avancojnë dhe afirmojnë vendimin e GJNDsë, ndaj për këtë arsye edhe ka pasur regres në politikën e bërë. “Dështimi më i madh ishte fusnota që zbehu Vendimin e GJND-së, sepse këtë të arritur kapitale nuk arriti që ta afirmojë dhe ta avancojë në raport edhe me shtetet e tjera që ende nuk e njohën Kosovën e që janë anëtare të BEsë, ngase udhëheqja e Kosovës nuk ka pasur as strategji e asgjë, sepse gjithçka ka shkuar përmendësh dhe pa interesim në politikë të jashtme, sepse ka pasur gabime të vazhdueshme në këtë drejtim dhe paaftësi më tutje të afirmojë zgjidhjen dhe avancimin e njohjeve për Kosovën”, u shpreh ai. “Marrë parasysh tërë këtë proces, dështimi më i madh është pranimi i dialogut politik në vend që të ruajë dialogun teknik sipas rekomandimit të OKB-së për normalizim të raporteve me Serbinë. Sepse, këto dështime janë shpërfaqur edhe në drejtim të diskutimeve për Asociacionin, madje kohëve të fundit edhe për shkëmbim dhe ndarje territoresh”, ka vlerësuar Burjani. Ai shton se hapja e temave të tilla është e rrezikshme dhe regresive në raport me zgjidhjen sipas Planit të Ahtisarit. 6 pikëshi i Ban Ki- Munit, një kthim prapa
Edhe qytetarët tanë janë të pakënaqur me veprimet e lidershipit politik të shqiptarëve në bisedimet me Serbinë. Qytetari nga Prishtina, Qemajl Ahmeti, për gazetën “Kosova Sot”, tha se politika në Kosovë nuk është e koordinuar sa duhet dhe është e paharmonizuar në nivelin Qeveri- Kuvend-Presidencë, sepse çdo marrëveshje me Serbinë duhet që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. “Kjo sjellje e lidershipit tonë pas vendimit të GJND-së na tregon se kemi të bëjmë me një paaftësi totale të lidershipit tonë që është një paaftësi e të gjithëve kush më shumë e kush më pak. Kjo ngase në asnjë mënyrë nuk duhet devijuar nga platforma amerikane, sepse janë amerikanët ata që e çliruan Kosovën, kurse neve i kemi ndihmuar për aq sa kemi pasur mundësi”, u shpreh ai. “Në përvjetorin e pavarësisë edhe zëvendësi i Ahtisarit, austriaku, Albert Rohani e deklaroi qartazi se edhe Asociacioni i komunave serbe askund nuk thotë se duhet të ketë kompetenca ekzekutive, atë që po e kërkojnë serbët”, vlerësoi Ahmeti.
Ndërsa qytetari tjetër, Nazmi Halimi,për gazetën “Kosova Sot “, tha se GJND-ja ishte një instancë përfundimtare që e konfirmoi pavarësinë e ligjshme të Kosovës. “Ishte një Vendim shumë i madh i strukturave ndërkombëtare. Por, karshi këtij vendimi ishin kundër Rusia e Serbia dhe aleatët që iu drejtuan OKB-së që e nxori 6 pikshin e famshëm që nuk ishte gjë tjetër veçse një kërkesë e tyre që edhe një herë në OKB të bisedohet për Kosovën. Prandaj, institucionet e Kosovës të asaj kohe, por edhe ato të tashme, nuk kanë qenë dashur që ta pranojnë 6 pikshin e Ban Ki- Munit, ngase çështja e statusit të Kosovën tashmë ka qenë e përfunduar me një Vendim të Madh Ndërkombëtar të GJND-së, që ishte edhe Vendim obligativ për botën. Prandaj, situata e krijuar rishtas pas presionit të Rusisë me Serbinë,udhëheqja e Kosovës nuk ka qenë dashur që ta pranojnë dialogun e 6 pikëshit të Ban Ki- Munit”, ka theksuar ai. “Thënë troç, lidershipi i Kosovës nuk e shfrytëzoi pozicionin e favorshëm pas vendimit të GJND-së, pasi e pati një bazë të fuqishme ndërkombëtare dhe një testament të fundit të statusit të Kosovës”, vijoi më tej Halimi. Sipas tij, presidenti i mëhershëm Famir Sejdiu e diktoi tendencën e Rusisë e Serbisë, por edhe të një pjese të faktorit ndërkombëtarë, që u manifestua me 6 pikëshin e OKB-së, duke i thënë jo kësaj tendencë, por zhvillimet që ndodhën, e zbehën edhe më tej mendimin e GJND-së dhe e dobësuan pozitën e Kosovës.
(Kosova Sot)