Hidromorava

Lidershipi braktis unitetin për xhepin

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Sado që zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe përreth tij, provokimet serioze që i inskenoi shteti serb imponojnë nevojën e unifikimit të skenës politike, gjasat për një reflektim të tillë pozitiv të lidershipit kosovar për të arritur një kompromis për tema kyçe në interes të shtetit dhe qytetarëve duket se janë fare pak të mundshme.

Lufta për pushtet e nxjerr në plan të fundit shtetin

Sado që zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe përreth tij, provokimet serioze që i inskenoi shteti serb imponojnë nevojën e unifikimit të skenës politike, gjasat për një reflektim të tillë pozitiv të lidershipit kosovar për të arritur një kompromis për tema kyçe në interes të shtetit dhe qytetarëve duket se janë fare pak të mundshme. Një optimizëm i matur mbretëron te pozita, derisa opozita dhe analistët politikë konsiderojnë se ndarjet janë aq të mëdha, saqë është gati e pamundur që fryma e bashkëpunimit dhe dialogut të kthehet në një nivel normal dhe të bashkimit për bashkëveprim në një pikë të përbashkët strategjike. Deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati, konsideron se ajo fryma e reagimit të unifikuar politik, pozitë dhe opozitë, karshi zhvillimeve të fundit mund të duket, nëse ka një vullnet politik edhe të opozitës, dhe kjo formë bashkërendimi do të ishte në interes jetësor për ecjen përpara dhe zhvillimin demokratik të vendit. “Ka çështje, të cilat e unifikojnë shumicën e spektrit politik në vend, prej rasti në rast, dhe ajo tregon që me kalimin e kohës patjetër që edhe subjektet tona politike edhe liderët tonë do të tregojnë një pjekuri më të madhe dhe do të mund ta tejkalojnë të bërit politikë me një ndarje bardhë e zi, po shpresojmë që ka situata, të cilat mund të krijojnë një unifikim politik për interesin qytetar”, theksoi Ferati.

Pushtetarët t’i kryejnë detyrat

Eco Higjiena

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, konsideron se dëmi që i ka sjellë koalicioni i tanishëm qeverisës vendit, është vështirë i riparueshëm, prandaj çdo veprim që institucionet marrin në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të shtetit është veprim që duhet të përshëndetet nga të gjithë, sepse ai është interesi qytetar, kurse ata që kanë marrë besimin për të qeverisur me vendin, e kanë obligim ta zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën, pavarësisht se si shihen nga spektri politik opozitar. “Në zhvillimet e fundit, Policia e Kosovës i ka kryer dhe po i kryen obligimet e veta mbi bazën e ligjit dhe Kushtetutës në fuqi, së bashku edhe me institucionet e tjera, të cilat edhe në të ardhmen duhet të veprojnë, të ndërmarrin masa dhe ti kryejnë punët e veta me përgjegjësi të plotë, ndryshe gjithmonë populli i Kosovës ka përkrahur veprimet, të cilat kanë qenë në dobi të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës, prandaj edhe më tutje secili duhet t’i kryejë detyrat e veta sipas ligjit dhe Kushtetutës”, tha Isufi. “Ata që kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur me shtetin duhet t’i kryejnë obligimet shtetërore, sepse ka shumë çështje, të cilat janë shumë të ndërlikuara në Kosovë, pikërisht për shkak të bisedimeve që ka zhvilluar Qeveria e Kosovës dhe tani po shihet qartë se deri ku e ka futur popullin, derisa populli po reflekton i bashkuar, por politika qeverisëse e Kosovës duhet të jetë ajo që tani ta dëgjojë zërin e qytetarëve të Kosovës”, tha Ahmet Isufi.

Qeveria tregohet kryeneçe

Njohësi i afërt i zhvillimeve politike në vend, prof. Riza Smaka, ishdeputet i Kuvendit të Kosovës, konsideron se lidershipi kosovar jo vetëm referuar ngjarjeve të fundit, të cilat ishin të dimensionit shtetëror, por në të gjitha temat e tilla, të karakterit të përgjithshëm, do të duhej të kishte qëndrim konsekuent, të sinkronizuar e të harmonizuar në bazë të parimeve fundamentale në të mirë të pavarësisë, integritetit territorial e sovranitetit shtetëror, por është pozita ajo që nuk po reflekton. “Tema të tilla vetëm gjatë mandatit aktual të Qeverisë e Kuvendit të Kosovës kishte jo pak, në radhë të parë përkitazi me rregullimin shtetëror të ndryshuar me Marrëveshjen për Asociacionin, e cila edhe sipas Gjykatës Kushtetuese doli të ishte antikushtetuese, Marrëveshjes për Demarkacionin, e cila qartazi rezulton e tillë, për të cilat Qeveria kokëfortësisht e për aq në dëmin e interesave shtetërore insiston që po ato akte edhe si të tilla të ratifikohen. Pra, në radhë të parë Qeveria do të duhej që të bashkëvepronte sinqerisht me opozitën parlamentare e ashtu edhe Kuvendi jo vetëm për temat në fjalë, por për të gjithat, të karakterit dhe dimensionit shtetëror. Pikërisht në këtë sferë konsiston kryeneçësia qeveritare, madje në kolizion të theksuar me interesat shtetërore”, u shpreh më tej ai .

“Vendit tonë i nevojitet legjislatura dhe ekzekutivi bashkëpunues jo vetëm me opozitën parlamentare, por edhe me klasën akademike e shoqërinë civile, veçanërisht në çështjet e interesave të përgjithshme, platforma e përbashkët e të cilave do të duhej që në saje të studimeve serioze e të thella të përcaktohej dhe të përfillej me konsistencë në të gjitha situatat e rrethanat”, tha prof. Smaka./kosova sot/