Fundamenti

Liderë të pasinqertë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Naser Sertolli – Në festat tona, sikur 28 Nëntori – më e madhja ditë e shqiptarëve, drejtuesit shtetërorë përveç urimeve e nderimeve, për të rënët e të gjallët, do të duhej të reflektonin rreth angazhimit të tyre, se çfarë kanë bërë dhe a kanë mundur të bëjnë më shumë.

Pra, do të duhej t’i bënin një bilanc punës së tyre qoftë edhe nëse një ditë të vetme e kanë kaluar në pushtet.

Por, për fat të keq, liderët tanë aktualë, këta në dy shtetet shqiptare, siç ua ka ëndja të thonë në kohë festash e ngjarjesh të karakterit historik, por edhe ata që janë në pozita në trojet e tjera etnike, por të cilat interesat gjeostrategjike të të mëdhenjve i kanë lënë të ndarë, nuk kanë shumë arsye për t’u mburrur.

Politika të dobëta, liderë jokredibilë, e sidomos të korruptuar, po i bëjnë shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës e të Malit të Zi, që mbijetesën fizike të mos e shohin në vatrat e tyre kuqezi.

Para interesit të njerëzve që përfaqësojnë, pothuajse të gjithë udhëheqësit e etnikumit shqiptar kanë vendosur atë personal. Ndryshe nuk ka si kuptohet fakti që ndërkohë që popullata po varfërohet përditë e më shumë, e pasuria e tyre sa vjen e shtohet.

Po të kishim burrështetas patriotë të vërtetë, të cilët do ta shfrytëzonin për mbarë resursin më të madh që ka kombi – rininë, shqiptarët e gjithë rajonit në vend të ngecjes, ose të përparimit me hapa të kërmillit, në planin ekonomik, shumë lehtë do të përfundonin ndër vendet që do të mundë të shiheshin si shembull të zhvillimit.

Por, ç’e do kur në pozita drejtuese, sidomos në Kosovë, vihen njerëz jokompetentë, pakurrizorë, të shantazhueshëm, jaranë e jaranesha të filanit e fistekut, puthadorë, e sidomos aso që postin e shohin veç si mundësi të artë për t’u pasuruar dhe për t’ia hequr zhigun pijeve, qebapëve e mishrave të tjerë që janë në menynë dhe ëndrrat e llaskuçit.

Eco Higjiena

Se, sa për shtet e komb, nuk e çan kokën asnjëri.

Nuk kanë lënë asnjë sferë të jetës, asnjë sektor – shtyllë të shtetit, pa e degraduar, pa e devalvuar.

Kujtojeni se në ç’gjendje të mjerë e kanë sjellë arsimin – shtyllën kurrizore të një kombi, për të cilën një shekull më parë, patrioti i vërtetë e i madh, Hasan Prishtina, shkriu pasurinë personale, duke u siguruar bursa për shkollim dhjetëra studentëve shqiptarë.

Edhe shëndetësinë, në vend që ta shërojnë, e kanë bërë për spital, me kancer e për stenta. Pacienti nuk shihet ndryshe pos si deng monedhash. Për ta rrjepur shtetin e për ta mbushur xhepin, faqezinjtë mantelbardhë, sigurisht jo të gjithë, vjedhin buxhetin për të shëruar, merreni me mend, edhe pacientë, të cilët ka kohë që kanë ndërruar jetë.

Ç’të thuhet për aspektin social. Pasqyrë më e mirë për politikat shtetërore në këtë drejtim janë familjet, lagje e katunde të tëra, që për çdo ditë po ikin nga Kosova dhe jo vetëm. Më mirë se në fshatrat e qytetet e tyre gjendja ose jetesa po u duket nën ura, në salla sporti e në kampe azilkërkuesish në vendet perëndimore.

Për zhvillim ekonomik më mirë të mos flitet. Zhvillimi këtu nënkupton shitjen për një grusht euro të aseteve të vendit. Ose, koncesionimin, qysh po përdoret shprehja ekonomike për t’u hedhur hi syve qytetarëve nga pushtetarët tanë, të cilët në fakt po ia falin turli tyxhari pasuritë tona, të tundshme e të patundshme. Duke mos harruar asnjëherë në këto procese të famshmen dhe të pashmangshmen – përqindjen.

Të gjitha këto të meta, intelektuale, menaxhuese e gjithçka tjetër, të liderëve tanë do të mundë të kapërdiheshin sikur të bëheshin të sinqertë në një pikë – t’ua tregonin qytetarëve formulën se si brenda një kohe shumë të shkurtër pasuria t’u shtohet me përqindje edhe katërshifrore sikur e tyrja.