ARKATANA

Libri që iu ka dashur Gjilanit dhe Anamoravës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Libri që i ka munguar Gjilanit dhe, Krahinës së Anamoravës, vjen falë punës 11 vjeçare të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, si një adresë e duhur në kohë të duhur, për t’i zbardhur sadopak gjurmët e lashta arkeologjike, arkitektonike, ato të kultit si dhe gjurmët shpirtërore të këtij populli ka thënë Sabit Rrustemi.

Veprimtarinë e saj prej njëmbëdhjetë vitesh, Qendra Rajonalë për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit, e kurorëzon më një botim që i ka munguar kësaj krahine të Kosovës, Anamoravës.

“Trashëgimia kulturore e Rajonit të Gjilanit” përmbledh në vete gjetjet dhe ndriçimet e deritashme , që nga prehistoria e deri në ditët tona.

Përmes dhjetë kapitujve, për herë të parë në mënyrë më të plotë, shpërfaqen gjurmët e gjetjeve arkeologjike që nisin me Nekropolin tumular të Llashticës, pastaj Kalanë e Pogragjës si dhe kishat paleokriistinae të Paldenicës, Laçit, Rezhanës e Seçishtes, po edhe të Kishës së Shën Varvarës në Kmetoc, manastirin e Moçarit në Kamenicë dhe të Manastirit të Shën Mëhillit në Buzovik të Vitisë.

Kapitujt dy dhe tre përqendrohen në objektet e kultit të krishterë dhe atij islam, objekte këto si më të hershme, të ruajtura deri në ditët e sotshme dhe të përshkruara në detaje, të cilat falë edhe përkujdesjes së kësaj Qendreje, gjenden nën mbrojtje të përkohshme të shtetit.

KKVITI

Në këtë botim të rrallë, të ilustruar dhe me dhjetëra e dhjetëra pamjesh me ngjyra, një vëmendje të posaçme, iu përkushtohet edhe objekteve publike dhe atyre banesore, të cilat i shpëtuan dhëmbit të kohës dhe sot gjithashtu gjenden nën mbrojtje të përkohshme si dëshmi e mënyrës së zhvillimit të jetës shoqërore dhe individuale nëpër kohë.

Kapitujt gjashtë, shtatë, tetë dhe nëntë,rishfaqin mesazhe shpirtërore, qoftë përmes një studimi rreth qytetit antik të Damastionit, vend ndodhja e të cilit supozohet të ketë qenë në këtë pjesë të Kosovës,pastaj eksponateve të shumta dhe të ndryshme, të gjetura në këto hapësira si dhe disa anekdotave të mbledhura e të shkruara ashtu siç i ka ruajtur ky popull i kësaj krahine.

Kapitujt dhjetë dhe njëmbëdhjetë, vënë në pah investimet e deritashme kapitale në këtë trashëgimi kulturore, sado simbolike qofshin ato si dhe ndërhyrjet emergjente në një pjesë të objekteve të mbrojtura, të cilat kanë ndodhur falë një menaxhimi të mirë të drejtorit të kësaj Qendreje, Arton Hoxhës si dhe mbështetjes së institucioneve qendrore e lokale po edhe të ChëB ( Trashëgimisë kulturore pa kufij), mbështetje që në të ardhmen do duhej shumëfishuar.

Pjesë e këtij libri është edhe lista e objekteve të kësaj krahine që përfshinë 12 komuna e që janë në mbrojtje të përkohshme të shtetit, pastaj fotografi të shumta e vizatime grafike të objekteve të cilat meritojnë një studim të mëtejmë nga arkeologë, arkitektë e njohës të kësaj fushe.

Nga fund java e parë e marsit, ky libër do prezantohet para publikut, duke filluar nga Gjilani dhe pastaj qytetet tjera të kësaj pjese të Kosovës, si një fushatë ndërgjegjësimi për ruajtjen e gjetjeve të deritashme të kësaj kulture që mbijetoi nëpër kohë, po, edhe si grishje për hulumtime në këto anë, të cilat deri më tash kanë munguar thuaja tërësisht, njësoj si dhe investimet për rimëkëmbjen, shpërfaqjen dhe përkujdesje ndaj kësaj trashëgimie që nuk është e pakët ka shkruar Sabit Rrustemi./rajonipress/