Libri “Opinione II” referues autentik i shumë zhvillimeve
Gjilan – Në prani të shumë pjesëmarrësve të shtunën në Universitetin Publik të Gjilanit është promovuar libri “Opinione II” i autorëve Flamur Hyseni dhe Burim Haliti. Për librin u tha se është një referues i mirë dhe autentik i shumë zhvillimeve politike, ekonomike, juridike, social e akademike. Autorët nuk kanë bërë analiza të heshtura apo analiza pa krye, por kanë kritikuar, kanë shpjeguar dhe kanë vlerësuar më të mirën për një problem delikat që ka atakuar një pjesë të shoqërisë ka thënë recensenti i librit Musa Sabedini.
Libri më i ri i autorëve Flamur Hyseni dhe Burim Haliti i titulluar “Opinione II” ka mbledhur në Universitetin Publik të Gjilanit figura të njohura nga fusha akademike nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Libri u vlerësua pozitivisht edhe nga recenzentët, por edhe nga pjesëmarrësit e fushave juridike, politike e sociale.
Sadik Haxhiu recensent tha se libri përveç që paraqet një qasje ndryshe dhe një mendim analitik ndryshe për publicistikën tonë dhe trajtimi i çështjeve nga autorët e bënë që libri i natyrës së tillë të ketë një vlerë të veçantë në fushën e mendimit publik dhe kultivimit të publicistikës.
Musa Sabedini recensent tha se dy autorët gjilanas tashmë të njohur në fushën e opinioneve dhe vlerësimeve profesionale për çështjet e caktuara Flamur Hyseni e Byrim Haliti, nuk janë ndalur vetëm me Opinione I, ata tashmë kanë në duart e lexuesve edhe librin e dytë “Opinione II”, që i referohet shkrimeve, opsioneve, analizave të tyre për çështjet kryesore që e kanë preokupuar lexuesin e Anamoravës dhe të Kosovës.
“Me të drejtë mund të them se këta dy autor pos që kanë reflektuar pozitivitet për zhvillimet politike, ekonomike, sociale, akademike, ata kanë dhënë alternativat e tyre të domosdoshme. Pra autorët nuk kanë bërë analiza të heshtura apo analiza pa krye, por kanë kritikuar, kanë shpjeguar dhe kanë vlerësuar më të mirën për një problem delikat që ka atakuar një pjesë të shoqërisë” ka shtuar Sabedini.
Sabedini tha se edhe Flamur Hyseni edhe Burim Haliti si njohës të fushës juridike dhe ekonomike me opinionet e tyre profesionale, dhe me analizat e shumta që kanë bërë nëpër agjenci të lajmeve , portale, gazeta e revista, me intervistat nëpër mediet qendrore televizive kanë krijuar një opinion dosido të shëndoshë dhe dobiprurës.
“Në Kosovë fatkeqësisht gjuha e opinioneve është stërkequr sepse shpesh ato keqë personalizohen ose shkruhen për interesa të ngushta personale. Por autorët Flamur Hyseni e Burim Haliti e dëshmojnë të kundërtën. Ata përmes komenteve të tyre kanë treguar se dëshira e mirë dhe vullneti përkushtues del mbi interesat klanore e grupore. Flamuri dhe Burimi kanë treguar guxim, kanë treguar qasje shumë pozitive për qytetin e tyre, për rajonin e Anamoravës dhe mbi të gjitha kanë treguar dashuri e respekt edhe për skenën politike kosovare. Jo rastësisht në të gjitha opinionet e tyre hasim trajtime të natyrave politike, ekonomike, fetare e arsimore” tha Sabedini.
Sipas Sabedinit nga gjuha e profesionistit ata na mësojnë se si të trajtojmë drejtë Kushtetutën, na mësojnë dhe na porosisin qartë se si nuk duhet të keqpërdorim pozitën zyrtare apo institucionale, na mësojnë dhe na bëjnë më të afërt me trajtimin e fushave ekonomike, financiare, na mësojnë se si doganat e agjencitë tjera buxhetore janë shtylla të forta shtetërore nëse ato mirëmbahen dhe udhëhiqen profesionalisht.
“Unë e kam lexuar tërë literaturën e shtjelluar të dy autorëve dhe vërtet kam hasur në analiza tejet afirmative dhe kuptohet që ky element i kritikës profesionale dhe në kohë të duhur i duhet shoqërisë kosovare. Këta dy autor kanë dhënë fuqinë e tyre intelektuale edhe për Universitetin e Gjilanit dhe kanë ofruar projekte se si duhet trajtuar Kosova Lindore” ka thënë Sabedini.
Kurse Shemsedin Piraj kryetar i shoqatës së avokatëve të Anamoravës tha se libri duhet lexuar me kompetencë sikurse edhe duhet të komentohet me kompetencë e profesionalizëm. “Edhe Flamuri edhe Burimi janë dy figura shumë të shquara profesionale që po e vazhdojnë rrugën e njerëzve eminent të shkencës nga Anamorava” tha Piraj.
Nazmi Misini gazetar nga Prishtina tha se libri është shumë kompetent sepse flet për problemet reale dhe trajton probleme me të cilat ballafaqohet çdo qeveri dhe çdo shoqëri.
Ndue Dodaj intelektual nga Shqipëria tha se libri është një rrëfyes i mirë i shumë problemeve lokale e qendrore e të cilat me kompetencë janë trajtuar nga dy profesionistët e shquar të Anamoravës.
Demir Krasniqi krijues në shenjë respekti për punën e mirë që kanë bërë autorët, ka shkruar një poezi krijuese për të dy autorët.
Kurse autori Flamur Hyseni duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për librin tha se ky është një hap tjetër i tij dhe Burimit për të vazhduar edhe me rezultate e suksese tjera. “Ne jemi përpjekur që të sjellim para publikut gjilanas një trajtim ndryshe të fushës së opinioneve” tha Hyseni.
Burim Haliti gjithashtu tha se libri është me vlerë sepse ka vlerësime kryekëput profesionale nga të gjitha natyrat e problemeve shoqërore. “Shpresoj që libri të godet anën pozitive të atyre institucioneve e qeverive me të cilët jemi marrë në trajtesat tona” tha Haliti.
Ndryshe Libri “Opinione II” , përfshinë punimet dhe analizat e përbashkëta për çështje juridike, politike, financiare dhe sociale, dhe poashtu edhe analizat tona individuale po nga këto fusha.
Shkrimet e publikuara në gazetat ditore, revista javore, mujore dhe agjenci telegrafike brenda dhe jashtë Kosovës janë të kodifikuara në një tekst unik duke përfshirë periudhën kohore nga prilli 2012 – prill 2014.
Natyra e analizave profesionale – opinioneve ka të bëjë me trajtimin e proceseve juridike, ekonomike, politike dhe sociale në aspekt profesional dhe analitik.
Autorët kanë falënderuar ekipin e ISLD – Institutit për Studime Ligjore dhe Demokratike për mbështetjen dhe përkrahjen për botim si dhe Komunën e Gjilanit për ndihmën financiare për botimin e librit.
Autorët kanë falënderuar edhe recenzentët Sadik Haxhiu dhe gazetarin Musa Sabedini të cilët vlerësuan në mënyrë profesionale analizat – opinionet tona.
Veçanërisht autorët falënderuan edhe redaktorin e librit Liridon Dalipin./rajonipress/


