Libri i Islam Osmanit me vlera të mëdha dhe me interes shkencor, e i dobishëm për Gjilanin

/ 17 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Libri i autorit dinjitoz Islam H. Osmani: “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit”, nuk duhet kuptuar thjesht si një histori e një treve të veçuar, por ajo interferon dhe ndërthuret me historinë mbarëshqiptare të besimit islam. Ky libër përmban vlera dhe nxit interesimin e myslimanëve gjilanas por, edhe të gjithë myslimanëve shqiptarë të kudo ndodhur ka shkruar recensenti Ramiz Zekaj. Edhe recensenti tjetër Vedat Sahiti, ka thënë se nisma e autorit Islam Osmani për të dokumentuar xhamitë e komunës së Gjilanit është me vlerë të madhe dhe me interes shkencor të veçantë dhe tejet e dobishme për komunën e Gjilanit, Kosovën dhe trojet shqiptare në përgjithësi. Nisma e tillë lutemi të shërbej si nxitje e motivim edhe për studiuesit tjerë, nga lëmit e ndryshme, që t`i qasen fushës së monumenteve të arkitekturës islame në trojet shqiptare ka thënë Sahiti.

Islam Osmani krijues nga Gjilani tashmë është paraqitur edhe me librin e radhës të titulluar: “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit”.

Islam Osmani ka bredhur dhe hulumtuar në shumë arkiva në Turqi, Shqipëri, Kosovë e vendet tjera. Libri tij ofron shumë materiale studimore, arkivore e shkencore bazuar në të dhënat historike që lidhen me funksionimin e xhamive të Gjilanit.

Për sfidat rreth librit dhe për mënyrën e gjetjes së materialeve arkivore ka shkruar vet autori në hyrje të librit.

Fjala e autorit – hyrja

Një nga konceptet e pashmangshme që lidhet me fenomenin e besimit, është përgjithësisht nocioni i xhamisë. Domethënë, besimi në thelbin e tij është marrëdhënia midis Perëndisë dhe besimtarëve që e adhurojnë Atë. Kjo marrëdhënie gjithmonë lidhet, në një farë mënyre, me vendin ku shfaqet adhurimi ose ibadeti. Ky vend gjithmonë ka karakterin e dallueshmërisë dhe shenjtërisë, sepse kuptohet në mënyrë të pashmangshme dhe quhet “tempulli i Perëndisë” ose “shtëpia e Perëndisë”.

Pra, xhamia është vendi ku Zoti është i pranishëm dhe është më afër besimtarëve. Në këtë kuptim, besimtarët, në mënyrë specifike, shënjojnë dhe dekorojnë tempuj dhe i vizitojnë duke bërë ibadete dhe duke ofruar sakrifica.

Objekti fetar mysliman, xhamia (mesxhide), siç e quajmë ne, është një tempull (vend) i shenjtë, është shtëpi e Zotit ku besimtarët i përkulen Allahut, bëjnë lutje dhe kryejnë obligimet fetare islame. Xhamia është vendi ku Allahu zbret rahmet dhe bereqet për besimtarët, që në to të bëjnë ibadet dhe të kryejnë ritet fetare islame. Ibadeti është më i vlefshëm, kur bëhet në xhami, por ibadeti (lutjet) mund të bëhen edhe në shtëpi e vende të tjera, kryesisht të pastra.

Xhamia (mesxhidi) ishte dhe mbetet vend tubimi i myslimanëve (xhematit), pastaj vend i mësimit (mekteb apo mejtep – shkollë fetare) si dhe vend për shqyrtimin e çështjeve të ndryshme të jetës. Xhamia është vendi ku pesë herë në ditë, myslimanët mblidhen për adhurim dhe lutje.

Në historikun e saj xhamia daton që nga ekzistenca e njeriut. Xhamia e parë e ndërtuar në tokë është Qabja (Kaba), vend i shenjtë që vizitohet nga miliona besimtarë islamë në vit. Është vendi më i rëndësishëm i myslimanëve në botë. Xhami të tjera të shenjta e me rëndësi për myslimanët janë edhe Xhamia e Pejgamberit Muhamed (a.s.) në Medinë si dhe Xhamia Al Aksa në Jerusalem. Ndërtimi i objekteve fetare myslimane me shumëllojshmërinë e vet, te ne zënë vend të rëndësishëm në arkitekturën fetare të Mesjetës (prej shekullit të XV e deri në shekullin e XIX). Kjo arkitekturë, si e tillë, shtrihet gjithandej në trevat e banuara me shqiptarë. Një ndërtim i tillë i xhamive, ku më shumë e ku më pak, është bërë edhe në trevat e Kosovës si dhe në territorin e komunës së Gjilanit.

Studime të kësaj arkitekture të kultit fetar mysliman te ne, deri më tani, nuk janë bërë, por gjithçka që kemi, janë thjesht shënime apo gojëdhëna, ose fakte nga shprehjet e okularëve, të bartura brez pas brezi, për shumicën e objekteve fetare ekzistuese në territorin e komunës së Gjilanit. Janë gojëdhënat në të cilat bazohemi, edhe pse Gjilanin, si vendbanim me emrin Moravë, e përmend udhëpërshkruesi turk Evlia Çelebiu në shekullin e XVII, si Kadillëk në kuadër të Sanxhakut të Vuçiternës. Pos të tjerash, Evlia Çelebiu shkruan se ky qytet është larg shtatëmbëdhjetë ditë udhë nga Kostandinopoja, por kultet fetare islame, xhamitë, nuk i përmend fare.

Përkundër kësaj, për Xhaminë e Madhe (e Çarshisë), e dyta kah rëndësisë në Gjilan, shkruan edhe Sami Frashëri në veprën e tij “Kamus Turki”, të vitit 1898. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt, se për të gjitha këto objekte fetare që përmendëm më lart, të dhëna e dokumente të shumta historike për shqiptarët dhe trojet tona ekzistojnë në Arkivat e Turqisë, të cilat janë ende të pashfrytëzuara e të pastudiuara deri më sot.

Ndërtimi i xhamive në trojet shqiptare, në Kosovë e posaçërisht në territorin e Anamoravës filloi që nga fundi i shekullit të XIV, sidomos në fillim të shekullit të XV, me ardhjen e turqve në Kosovë, menjëherë pas Betejës së Kosovës, në vitin 1389. Kjo ndodhi pasi secili timar (udhëheqës) i vendbanimeve (fshatrave) kishte për detyrë të ndërtonte nga një objekt fetar (xhami) në fshatin që ai udhëhiqte. Kështu ndodhi. Filluan të ndërtoheshin xhamitë njëra pas tjetrës.

Në bazë të të dhënave apo gojëdhënave, ndër xhamitë e para në këtë trevë (Gjilan) është ajo e fshatit Dobërçan, që e dogjën dhe e shkatërruan deri në themel pushtuesit shekullorë të popullit shqiptar, regjimi serbo-sllav. Kjo xhami (e vjetër e Dobërçanit), sipas gojëdhënave, daton që nga viti 1422 (1526), por që tani nuk ekziston më. Përpos saj, xhami të vjetra qindravjeçare janë edhe xhamia ATIK në Gjilan (1606), xhamia e Pogragjës (1620), ajo e Pidiqit (1645), e Malishevës (1730), e Bresalcit (1735), e Përlepnicës (1750), e Stanqiqit (1750), e Sllakovcit (1770), e Verbicës së Zhegovcit (1782), e Muçibabës (1783) etj.

Ndërtimi i xhamive në Kosovë dhe në Gjilan bëhej sipas stilit oriental osman. Faktikisht, stili turk kishte për bazë shembullin: në çdo lagje (mëhallë) të ndërtohej nga një xhami, në mënyrë që besimtarët të ishin më afër faltores. Shumë xhami të Ballkanit, Kosovës dhe të Gjilanit, që thuhet se janë të ndërtuara në kohën e Perandorisë Osmane, ngjajnë me xhamitë simotra të vendeve të ndryshme. Ndërtimi i tyre dallon nga objektet e xhamive të reja, sepse karakteristikë e ndërtimit të tyre është se ato kanë muret e trasha nga 60 cm. e deri në një metër, të ndërtuara me gurë, por edhe me gurë të gdhendur dhe me fasada të qëndrueshme. Dallim tjetër nga xhamitë e reja është pamja e jashtme dhe e brendshme që e karakterizon më tepër stili apo modeli i shtëpive të rëndomta, që kryesisht janë ndërtuar nga mjeshtrit vendës shqiptarë. Po ashtu, karakteristikë tjetër dallimi është ajo e minberit që gjithherë është bërë në anën e djathtë të Mihrabit e jo i mbështetur në murin e djathtë, sikurse kanë bërë xhamitë e reja, të cilat jo rrallëherë minberin dhe vendin e hoxhës e kanë në ballë të xhamisë, në të dy anët e Mihrabit.

Arkitektura islame në trojet shqiptare paraqet më së shumti elementin autokton, duke u komunikuar njerëzve mesazhin universal. Ato u ndërtuan në zemrat e lagjeve të qytetarëve dhe shpesh shërbyen për të formuar qendrat apo bërthamat urbane të qyteteve. Xhamitë i shërbejnë masës së gjerë, qytetarëve, ndaj edhe marrin zhvillim të hovshëm arkitektonik.

Me përshkrimin (studimin) e ndërtimit të xhamive në territorin e komunës së Gjilanit, kemi arritur të njohim më mirë kontributin e arkitektëve dhe ndërtuesve shqiptarë në trevat tona në Kosovë, Anamoravë e posaçërisht në territorin e Gjilanit.

Numri më i madh i xhamive të ndërtuara në territorin e komunës së Gjilanit, 21 sosh, janë të kohës së Perandorisë Osmane.

Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Karagjorgjeviç, nga viti 1913 e deri në vitin 1944, janë ndërtuar vetëm 4 xhami.

Gjatë periudhës së monizmit, nga viti 1945 e deri në vitin 1999, janë ndërtuar 6 xhami.

Pas çlirimit të vendit, nga viti 1999 e deri më sot, janë ndërtuar 14 xhami të reja dhe janë rindërtuar nga themeli edhe 24 të tjera në vendin e ish xhamive të vjetra, të shkatërruara nga lufta e vitit 1999.

Të gjitha xhamitë e vjetra, të ndërtuara deri në fund të shekullit të XX, për mbulesë nuk e kanë kupolën, por sipër saj kanë kulmin e rëndomtë, sikur shtëpitë e zakonshme.

Mirëpo numri më i madh i xhamive të vjetra nuk ekzistojnë më, meqë janë shkatërruar nga koha, apo edhe nga lufta e fundit në Kosovë, nga pushtuesi serb. Gjatë kohës së Luftës Çlirimtare, në territorin e komunës së Gjilanit janë shkatërruar e djegur tërësisht gjithsej 15 objekte fetare (xhami) islame. Më e keqja është se, nga të gjitha këto, asnjë nuk ekziston më, sepse që të gjitha janë riparuar e rindërtuar dhe, tani për tani, nuk mund të dëshmojmë (veç përmes fotografive) për të gjitha këto bëma të pushtuesit serb gjatë luftës çlirimtare të vitit 1999 në Kosovë.

Me çlirimin e vendit, si në tërë Kosovën, edhe në territorin e Gjilanit jo vetëm që i rindërtuan e u meremetuan xhamitë e shkatërruara por, falë kontributit vullnetar të besimtarëve shqiptarë, pastaj ndihmave të organizatave humanitare e donatorëve nga vendet arabe si dhe nga Turqia, u ndërtuan xhami të reja, por tashmë në stil modern, me projekte të një konstruksioni oriental e bashkëkohor.

Radhitja e xhamive në libër është bërë në bazë të vjetërsisë së objektit fetar.

Libri ndahet në disa kapituj, në bazë të periudhës kohore dhe regjimit aktual kur janë ndërtuar këto objekte fetare.

Në fillim të tekstit për çdo xhami, kemi paraqitur të dhënat elementare të objektit fetar për të cilin flitet më pas në tekstin e zgjeruar për të.

Në fund të çdo teksti përshkrues të xhamive, janë paraqitur emrat e imamëve. Këtë paraqitje e kam dhënë sipas shënimeve të KBI-së së Gjilanit, personave okularë dhe gjendjes faktike nëpër xhami, ku po ashtu, kam marrë për bazë emrin e imamit aktual që ishte duke kryer këtë detyrë, pa marrë parasysh a ka qenë i emëruar zyrtarisht. Krejt në fund të këtij shkrimi, shpresoj se tërë kjo që është trajtuar në këtë libër Historiko-monografik, të jetë si një mesazh për brezat që vijnë pas nesh dhe institucionet përkatëse, që këto monumente të lashta historike, si vlera të së kaluarës tonë, që i kemi trashëguar, të ruhen (edhe pse një numër i tyre më nuk ekzistojnë vetëm në foto) dhe si të tilla, t’u përcillen gjeneratave të ardhshme. Fundja kjo e tëra është detyrë e të gjithë neve, që të përkujdesemi për të kaluarën tonë historike dhe ajo të përcillet tek brezat e ardhshëm. Për këtë na obligojnë edhe një mori konventash të ndryshme ndërkombëtare për ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, historike ka shkruar në hyrje të librit autori Islam Osmani.

Pak fjalë rreth librit xhamitë në territorin e Gjilanit, për ty lexues

‘’Kjo dritë në xhamitë që Allahu ka urdhëruar

të ngrihen dhe të përmendet emri Ty.

Uji Dea

Atë e lavdërojmë në mëngjes dhe në mbrëmje’’.

Kuran 24:37

Ky libër hap një dritare nga ku lexuesi sodit një peisazh magjepsës shqiptar, i pikturuar me mjeshtëri të përsosur në territorin e Gjilanit. Në këtë peisazh, vështrimin e rrëmbejnë xhami të shumta të ndërtuara në rrjedhë të viteve, të vendosura si perla në një mozaik gjigant. Autori i librit Islam H. Osmani ka eksploruar dhe hulumtuar në çdo detaje të këtij mozaiku. Ka shfletuar faqe të tëra librash dhe revistash, ka gërmuar në arkiva e biblioteka, si një bletë punëtore që fluturon në mijëra lule për të mbledhur nektarin. Fillimisht, autori kënaq kureshtjen e lexuesit me një informacion koinciz dhe interesant mbi historikun e xhamive nëpër botë, përshkruan elementët kryesorë të tyre dhe vlerat që mbartin këto shtëpi të Allahut xh.sh. Ky informacion ndihmon në pasurimin e fondit kulturor të mendjeve njerëzore. Objektet e kultit islam janë kujtesë e historisë, janë mesazhe që na vijnë nga e shkuara dhe që na ftojnë në një botë transcendentale e sublime.

Më në hollësi, autori mëton në historinë e xhamive në territorin e Gjilanit, si kolanë me gurë të çmuar dhe sjell informacion të ri e të dhëna të sakta rreth historikut dhe vlerave të tyre arkitektonike, artistike, stileve dhe teknikave të ndërtimeve. Autori insiston në misionin shpirtëror të këtyre objekteve ku gjilanasit, në hapësira të gjëra kohore, kanë pasuruar mëndjet dhe zemrat e tyre me fjalët e Zotit xh.sh dhe me mësimet islame, të cilat kanë luajtur rol deçiziv në formimin e moralit, të virtyteve dhe karakterin e njeriut, familjes dhe shoqërisë gjilanase.

Nëpërmjet shpalosjes me vërtetësi të panoramës historike të xhamive të Gjilanit, argumentohet e vërteta mbi hershmërinë dhe përqafimin vullnetarisht të besimit islam prej shqiptarëve; kaq shumë xhami të ndërtuara vetëm në territorin gjilanas, kaq shumë sakrifica dhe përkushtim, janë provë e shtysave në rrugëtimin e lirë të shqiptarëve drejt besimit islam.

Si shprehje e identitetit islam të popullit gjilanas, xhamitë në atë trevë u përballën më vandalizma e sulme të hordhive antishqiptare. Në vitet e shkulmes disa prej tyre u shkatërruan dhe u dogjën barbarisht. Si shprehje e qëndresës heroike, gjilanasit i rindërtuan ato për herë të dytë e të tretë dhe asnjëherë që prej shekullit të XV, territoret e Gjilanit nuk kanë mbetur pa xhami. Ky realitet na sjell ndër mend vargjet e poetit Hafiz Shiraziut:

Ky livadh nuk do të mbetet

pa një lule një selvi.

Vyshket njëri edhe ikën

vjen tjetra, ç’bukuri.

Si shprehje e dimensionit kulturor, xhamitë e territorit të Gjilanit ndër vite kanë shërbyer si shkolla e mejtepe, ku u arsimuan me dije fetare dhe shkencore plejada gjilanase. Si shprehje e tiparit social të Islamit, xhamitë gjilanase shërbyen si vatra vëllazërimi dhe harmonie, si qendra tubimesh dhe kuvendesh të rëndësishme të aspektit patriotik.

Libri i autorit dinjitoz Islam H. Osmani nuk duhet kuptuar thjesht si një histori e një treve të veçuar, por ajo interferon dhe ndërthuret me historinë mbarëshqiptare të besimit islam. Ky libër përmban vlera dhe nxit interesimin e myslimanëve gjilanas por, edhe të gjithë myslimanëve shqiptarë të kudo ndodhur.

Lexim të këndshëm të këtij libri!

Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj

“Duke konsideruar se zvetënimi ose zhdukja e ndonjë objekti të trashëgimisë kulturore dhe natyrore përbën një varfërim të dëmshëm ndaj trashëgimisë të të gjitha kombeve të botës…”

KONVENTA LIDHUR ME MBROJTJEN E TRASHËGIMISË KULTURORE DHE NATYRORE BOTËRORE. Paris, 1972

RECENSË për monografinë “HISTORIKU DHE PEIZAZHI MAGJEPSËS I XHAMIVE TË GJILANIT”, me autor Islam OSMANI

DR. Vedat Sahiti, Prishtinë

Nisma e autorit z. Osmani për të dokumentuar xhamitë e komunës së Gjilanit është me vlerë te madhe dhe me interes shkencor të veçantë dhe tejet e dobishme për komunën e Gjilanit, Kosovën dhe trojet shqiptare në përgjithësi.

Nisma e tillë lutemi të shërbej si nxitje e motivim edhe për studiuesit tjerë, nga lëmit e ndryshme, që t`i qasen fushës së monumenteve të arkitekturës islame në trojet shqiptare.

Monografia ““HISTORIKU DHE PEIZAZHI MAGJEPSËS I XHAMIVE TË GJILANIT”

”fillon me dy kapituj hyrës të lëndës, për ta kyçur lexuesin në subjektin e lëndës: “XHAMIA, OBJEKT FIZIK I KOMUNIKIMIT”{Arkitektura, gjuha dhe kuptimet; Mihrabi; Minberi, llojet e komunikimit; Komunikimi përmes minareve; Roli shpirtëror i Xhamive; Roli social dhe shoqëror i fesë dhe i objektit (Xhamisë)} dhe “XHAMIA DHE ELEMENTET E SAJ PËRCJELLËSE NDIKUES NË RUAJTJEN DHE KULTIVIMIN E FESË ISLAME”.

Më pas autori ndjek vijën kronologjike të prezantimit të xhamive, nga xhamia më e vjetër e komunës së sotme të Gjilanit apo Anamoravës së shekullit XVI, Xhamia e Dobërqanit (1526) dhe për të vazhduar deri te xhamitë e sotme që janë në ndërtim e sipër.

Në total janë trajtuar 45 xhami, nga të cilat, 21 sosh janë trashëguar nga periudha osmane (1389-1912), 10 sosh nga periudha post-osmane (1912-1999) dhe ndërtimet e pas luftës së fundit (1998-1999), 14 sosh të reja dhe të rindërtuara 24 tjera që u djegën apo u shkatërruan nga forcat serbe në vitin 1999.

Studimi i xhamive përbëhet nga një gamë e gjerë e informacionit, si:

– Viti i ndërtimit argumentohet për aq sa është e mundur në bazë të dokumenteve historike dhe duke përfshi edhe gojëdhënat që janë ruajtura nga brezi në brez në popull, çfarë e pasuron këtë monografi me një dimension shumë të rëndësishëm, ngase të dhënat e tilla nga dita në ditë janë duke u venitur, për të mos thënë harruar fare;

– Ofrohen sipërfaqet e parcelave të xhamive dhe dimensionet e tyre;

– Kronologjia e shërbimit të imamëve;

– Përshkrim i enterierit dhe eksterierit të xhamive ekzistuese edhe informacionin për gjendjen e mëparshme që kishin xhamitë e vjetra;

– Fotografi të shumta dhe me vlerë të xhamive të vjetra etj.

Ndërsa krejt në fund është ofruar në formë tabelare një regjistër shumë i dobishëm i të gjitha xhamive me informacionin e shkurtër, emri i xhamisë, viti i ndërtimit dhe emri/mbiemri i imamit aktual dhe harta e vendndodhjes së xhamive të Komunës së Gjilanit.
“Ngarkuar me një mesazh nga e kaluara, monumentet historike të brezave të popujve vazhdojnë në ditët e sotme të jetojnë si dëshmitarë të traditave të tyre shekullore. Njerëzit po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për unitetin e vlerave njerëzore dhe t’i konsiderojnë monumentet e lashta, si një trashëgimi e përbashkët. Është pranuar përgjegjësi e përbashkët për të ruajtur ato për gjeneratat e ardhshme. Është detyra jonë t’i dorëzojmë ato në plotëni të autenticitetit të tyre.”

KARTA NDËRKOMBËTARE PËR KONSERVIMIN DHE RESTAURIMIN E MONUMENTEVE DHE LOKALITETEVE – KARTA E VENECIAS, 1964./rajonipress/