UBT

Librat që “ngacmojnë” lexuesit

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Të rinjtë vazhdojnë të lexojnë më pak se moshat e tjera, ndërsa librat e shkrimtarëve të huaj dominojnë karshi atyre shqiptarë. Lexuesit janë të interesuar si për vepra fiksionale, po ashtu dhe për ato jofiksionale. Sipas botuesve të librave, është e rëndësishme që lexuesve t’iu ofrohen libra që kanë vlera, pavarësisht se kush është autori dhe vendi nga vjen ai.

“Kandidati” nga Ben Blushi, është libri që po kërkohet shumë kohëve të fundit në librarinë “Toena”. Pastaj janë librat universitarë për studentë, romanet e klasikëve botërorë dhe romane nga autorët shqiptar si Ismail Kadare, dhe Albatros Rexhaj, të cilët po kërkohen më shumë. “Ka interesim nga mosha të ndryshme, por kohëve të fundit po ka interesim të madh nga fëmijët”, ka thënë Artin Ahmeti, derisa ka përmendur disa nga titujt më të kërkuar nga fëmijët. “Kryesisht po kërkojnë libra nga P.L. Travers si ‘Mary Poppins’, nga Mary Pope Osborne ‘Shtëpia magjike mbi pemë’ si dhe lektura të ndryshme”, ka treguar Ahemit, duke shtuar se mosha më e interesuar është mosha e tretë, pra kryesisht të moshuarit, ndërsa nga adoleshentët ka fare pak interesim. Ai ka thënë se muaji tetor dhe mars ka shitje më shumë sesa pjesa tjetër e vitit, ndërsa gjatë sezonit të verës shumë më pak.

Sabahete Çardarbasha nga shtëpia botuese “Dukagjini” thotë se shitja e librave varet nga sezoni, por momentalisht ka më shumë interesim për libra universitarë. Studentët janë të interesuar për larmi të ndryshme si fjalorë, publicistikë, letërsi dhe shkenca shoqërore.

Çardarbasha i veçon fëmijët prej moshave më të vogla të cilët janë shumë të interesuar në lexim. “Nga ta kemi më shumë kërkesa për libra parashkollorë dhe lektura për nxënës nga klasa e pestë deri në fund të shkollës së mesme”, tha Çardarbasha.

Ajo tregon se edhe librat psikologjikë dhe ata artistikë janë në kërkesë të madhe, ndërsa romanet që po shiten më shumë në anglisht dhe shqip janë romanet e John Green që kryesisht po blihen nga të rinjtë, dhe po kërkohen në shqip dhe anglisht.

“Tash vonë është përkthyer edhe një libër i tij, dhe po pritet të dalë në shitje”, ka thënë Çardarbasha.

I kërkuar është dhe libri për Bekim Fehmiun, një monografi që e shkroi dhe e përmblodhi gazetari Fahri Musliu. Për romane ka interesim për autorë të huaj, por dhe shqiptarë, këto ditë janë të kërkuar Fatos Kongoli, Brunilda Zllami, Elvira Dones, të huaj si Guillaume Musso e të tjetër.

ARKATANA

Xhemajl Avdyli thotë se Shtëpia Botuese OM, të cilën e drejton, bën botimin e veprave me vlera dhe cilësi të lartë, si të atyre fiksionale, por po ashtu edhe të veprave jofiksionale.

Ai tregon për “Zërin” se librat më të kërkuar fiksionalë janë “Ulërima e ujkut” dhe “Zazen” nga Ag Apolloni, pastaj “Një kosovar në jetën time” nga Marketa Hejkalova, dhe librat e rinj si “Shoku i kafkës” nga Miro Gavran dhe libri bestseller në botë “Letra dashurie të një murgeshe”. Kurse, sa i përket librave jofiksionalë Avdyli përmend librat si: “Poetika e postmodernizmit” nga Linda Hutcheon, “Koncept i postmodernes” nga Hans Bertens, që sapo është nxjerrë nga shtypi, si dhe “Letërsia dhe Miti” nga Osman Gashi.

“Ne jemi të profilizuar dhe botimet tona janë të përzgjedhura me shumë kujdes dhe me këtë në po punojmë që ta kthejmë besimin e lexuesve te libri, duke u sjellë vetëm vlerat”, ka thënë Xhemajl Avdyli, derisa ka shtuar se bindja e krijuar se vetëm autorët e huaj shkruajnë mirë po reflekton negativisht në shtëpitë botuese. “Kjo bindje po reflekton në blerjen dhe kërkesën e librave, mirëpo ne gradualisht, duke u kujdesur maksimalisht në përzgjedhjen e vlerave, po e thyejmë këtë tabu duke fituar vazhdimisht besimin e lexuesve”, ka treguar Avdyli.

Ai ka thënë se për dy vjet me radhë botojnë revistën kulturore dhe prestigjioze në gjuhën shqipe “Symbol”. “Lexuesit e kësaj reviste vazhdimisht po rriten dhe kërkesat janë bërë shumë të mëdha. Pra, kultura dhe librat shqip nuk kanë dhe aq shumë probleme me leximin, sa kanë probleme me cilësi dhe vlerat e botimeve. Lexuesi kërkon vlerat, jo prejardhjen e autorëve, andaj te botimet tona nuk ka aspak rëndësi se nga vjen autori, por a ka vlerë libri”, tha Avdyli.

Asdren Spahija është student i Arkitekturës. Krahas studimeve, ai një pjesë të madhe të kohës ia kushton edhe leximit. Spahija tregon se më shumë preferon librat fizikë, sesa leximin elektronik. “Është një ndjesi më e mirë kur e ke librin në dorë, por për arsye që shumë libra nuk i gjej në bibliotekë më duhet t’i lexoj online”, ka thënë Spahija.

Ai tregon se libri i tij i preferuar është “Harry Potter”, nga JK Rowling, për të cilin thotë se ende nuk ka gjetur ndonjë libër që t’i afrohet bagazhit të tij, në zhanrin aventurë dhe fantazi. Libri i fundit që ka lexuar është ai i Brunilda Zllamit “Lindur femër”. “Më ka pëlqyer ky roman shumë se solli një frymë të re në letërsi, sepse me letërsinë shqiptare kryesisht jemi mësuar me tema të luftës apo zakoneve shqiptare, ndërsa kjo ka temë bashkëkohore dhe mund të them që është roman me një pullë të verdhë, pra është një temë që pak autorë e kanë prekur deri më tash”, tha Spahija, duke shtuar se letërsia klasike e huaj është ajo që preferon më shumë, por edhe librat bashkëkohorë, sidomos zhanrin fantazi aventurë dhe shkrimtarë të preferuar i konsideron JK Rowling-un, Brunilda Zllamin e Paulo Coelho-n./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.