Eko Higjiena

Liberalizimi i vizave – proces i pasigurt

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kosova vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, dhe qytetarët e saj mund të lëvizin drejt vendeve të Bashkimit Evropian vetëm pas kompletimit të shumë dokumenteve e pritjeve të gjata për marrje të vizës.

Komisioni Evropian në fillim të muajt maj 2016, në një raport të tij, propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën me kushtin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zyrtarët evropianë e thanë në shumë raste se Parlamenti duhet “ta miratojë sa më shpejt marrëveshjen për demarkacion”, me qëllim të hapjes së mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Ata thanë se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën pa u plotësuar edhe dy kriteret e fundit.

Institucionet e Kosovës, nuk arritën që as gjatë vitit 2016 t’i përmbushin kriteret e fundit të përcaktuara nga Komisioni Evropian, dhe thelluan edhe më shumë përplasjet në nivel politik në vend.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në fund të vitit sërish akuzoi një pjesë të opozitës për pengim të lëvizjes së lirë të qytetarëve të vendit dhe tha se “askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng procesin e liberalizimit të vizave dhe të pengojë shndërrimin e kufijve në kufij të njohur ndërkombëtarisht”. Ai tha, po ashtu, se “asnjë kauzë politike nuk e justifikon mbajtjen peng të qytetarëve të Kosovës”.

Eco Higjiena

Në anën tjetër, opozita ka qëndrim të kundërt. Ajo e akuzoi Qeverinë për ngecjen në procesin e liberalizmit të vizave dhe në përmbushjen e kritereve të mbetura. Për opozitën demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është kriter i papranueshëm.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Isa Mustafa në asnjë rast nuk ka prezantuar ndonjë nismë serioze për tejkalimin e krizës.

Kurse, Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, i tha Radios Evropa e Lirë, se viti 2016 ishte një rast i humbur për qytetarët e Kosovës në aspektin e liberalizimit të vizave, të cilët pavrësisht shumë pritjeve, institucionet nuk arritën t’iu sigurojnë lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Muharremi tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Mustafa, si edhe të gjitha qeveritë e deritashme, sipas tij, janë treguar të paefektshme, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, posaçërisht me Serbinë.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, tha se pos problemeve të brendshme që kanë të bëjnë me mos përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-ja, procesi i liberalizimit të vizave ka ngecje edhe për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Ai konsideron se për të shkuar Kosova përpara drejt liberalizimit dhe proceseve të tjera të BE-së, duhet një vullnet më i madh politik.

Derisa vazhdojnë akuzat mes Qeverisë dhe opozitës në Kosovë rreth fajtorit për humbjen e hapit për liberalizimin e vizave gjatë vitit 2016, njohësit e fushës mendojnë se po afrohet edhe afati i fundit kur heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të rrezikohet edhe për vitin 2017. /REL/