RCCOLA

Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe heqja e vizës për Isën!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Beqë Cufaj – Konspiracionet, kumtet, paralajmërimet, përgëzimet e parakohshme, paradokset në plasime kryetitujsh… me një fjalë veshja në rolet e reporterëve dhe me këtë edhe kasandrave nga vet kryepolitikanët e Kosovës (Isa e Hashimi dhe mvartësit e tyre) për punën e liberaizimit të vizave për qytetarët e vendit më të korruptuar dhe kriminalizuar në në Europë nga politika(nët) e Kosovës tregon se ku është katandisur kjo copë nënqielli e cila është në duart e kriminelëve të cilët këtij vendi jo vetëm që i kanë marrë tokat publike e private por dalngadalë dhe sigurt po ia marrin edhe shpirtin dhe shpresën për jetë të mirë.

Që ta sqarojmë: s’u ka faj Europa, e më së paku Gjermania apo Franca qytetarëve të Kosovës që ua ka dhënë, po ua jep dhe do t’ua jep ndjenjën e të qenmit njerëz të kategorisë së dytë jo vetëm kundruall europianëve por edhe, prandaj sidomos vet vendeve fqinje në Ballkan. Sepse me asgjë, ama bash me asgjë nuk e dallon një shqiptar të Shqipërisë, boshnjak të Bosnjes apo malazez të Malit të Zi nga një shqiptar të Kosovës.

Pos me faktet:

që secili prej fqinjëve të sipërpërmendur udhëton pa vizë dhe i lirë në Europë…

dhe

politika e Kosovës është lehtësisht e shantazhueshme ngase është e korruptuar dhe shantazhuar deri në palcë.

Asnjë prej fuqive të mëdha në Evropë nuk ka interes që ta bllokojë dhe dëmtojë një popull të tërë në një vend ku po kjo Europë është e pranishme me misionet e saj dhe sidomos paratë që jep për këta misionarë plangëprishës. Për ta thënë shumë shkurt dhe shumë shqip: Kosovës s’po i hiqen vizat sepse çdo projeksion që bëhet për këtë vend rezulton korrupsion e krim në politikë, dëshpërim e zhgënjim… me këtë edhe gadishmëri për të shkelur rregullat e liberalizimit (90+90) nga vet qytetarët e Kosovës. Liberalizimi i vizave nuk është një dhuratë që i bëhet një kaste politike për hir të dëgjueshmërisë apo përmbushjes së kushteve që BE parashikon për vendet që i fut në atë sistem. Liberalizimi i vizave është në fakt hapi i parë i përafrimit të vlerave europiane me vendin që i jepet mundësia të shkrijë paksa kufinjtë me BE-në. Dhe evitimin, sidomos këtë, pas përvojave të pështira me Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjen kur sidomos më të varfërit e këtyre vendeve Europën dhe sidomos Gjermaninë e Francën i kanë parë si mundësi për “azil” ekonomik.

Projeksionet e BE-së për Kosovën? Rreth 300.000 qytetarë janë të gatshëm ta lëshojnë vendin brenda ca javësh përgjithmonë posa për këtë t’u jepet mundësia për të udhëtuar pa viza. E përsëris: ta lëshojnë për të mos u kthyer më në Kosovë!

Është ky ai rreziku dhe fjalët që njeriu i Kancelares Jean–Claude Juncke ua ka thënë në Bruksel edhe Isës edhe Çollakut. Ashtu siç edhe u ka premtuar se shumë shpejt do të marrin lajmin e mirë. Dhe këtë lajm si njëri ashtu edhe tjetri vazhdojnë ta tundojnë e trumpetojnë si një fitore të njërit apo tjetrit. Ose: njëri si Kryeministër e tjetri si “koordinator” i këtij procesi.

Po. Lajmi do të vie dhe lajmi do të jetë pozitiv. Por ajo që të dy këta bashkë me shefat tyre (Hashimin dhe Kadri Veselin) nuk e thonë është që edhe pasi të vie “lajmi” duhet të kalojnë muaj e muaj të tërë derisa tërë procesi të filtrohet. Tre etapat që mëpas vijojnë janë:

Fundamenti

1.Komisioni Europian jep Miratimin/Dritën e Gjelbërt.

2. Votimi dhe shumica e duhur në Parlamentin Europian (e ky nuk është Kuvend i Kosovës!)

3. Miratimi në Këshillin e BE-së me shumicën kualitative nga Ministrat e Brendshëm!

Tërë këto procese jo të lehta dhe jo pa rreziqe. Dhe para së gjithash duan kohë, muaj e muaj të tërë derisa të kryhen këto hapa.

Që dmth. se Kosova s’do të ketë liberalizim praktik të vizave këtë vit. Që Kosova, Qeveria e tashme do të duhet të festojë me muaj e muaj të tërë derisa të vie tek udhëtimi i qytetarëve pa viza.

Aq e gjatë do të jetë kjo festë saqë kur kjo Qeveri do të zgjohet nga gjumi do ta realizojë që do të jetë pasardhësja e saj, Qeveria e ardhshme ajo që do t’i përcjellë solemnisht qytetarët e parë në aeroportin Adem Jashari pa viza.

Thjesht e kam të pamundshme ta besoj që Hashimi në njërën anë dhe Kadri Veseli në anën tjetër do ta lejojnë Isën në njërën anë dhe LDK-në në anën tjetër ta celebrojnë udhëtimin pa viza të qytetarëve të Kosovës në Europë.
Prandaj edhe po presin. Sepse kanë kohë. Deri në fund apo fillim të vitit që vjen.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës edhe ashtu dmth. dhënia e vizës për Isën e LDK-në drejt përfundimit të misionit të tyre qeveritar.

/© GazetaBlic.com/