Liberalizimi i vizave në rrezik edhe sivjet

Didier Chabert : Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Francës janë të shkëlqyeshme, në çdo pikëpamje. Pjesëmarrja e presidentit Hashim Thaçi në Samitin e Parisit të Ballkanit Perëndimor, më 4 korrik 2016, dhe vizitat në Francë, në dhjetor 2016, të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në janar 2017 janë dëshmi për këtë. Franca, e cila ishte vendi i dytë që njohu pavarësinë e Kosovës, u ka kushtuar gjithmonë rëndësi të veçantë marrëdhënieve të saj të ngushta, të ngrohta dhe të mirëbesimit me Prishtinën.
INTERVISTË EKSKLUZIVE ME AMBASADORIN E FRANCËS, DIDIER CHABERT
Demarkacioni, kusht i pashmangshëm
“Kosova Sot” : Si i vlerësoni raportet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Francës?
Didier Chabert : Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Francës janë të shkëlqyeshme, në çdo pikëpamje. Pjesëmarrja e presidentit Hashim Thaçi në Samitin e Parisit të Ballkanit Perëndimor, më 4 korrik 2016, dhe vizitat në Francë, në dhjetor 2016, të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në janar 2017 janë dëshmi për këtë. Franca, e cila ishte vendi i dytë që njohu pavarësinë e Kosovës, u ka kushtuar gjithmonë rëndësi të veçantë marrëdhënieve të saj të ngushta, të ngrohta dhe të mirëbesimit me Prishtinën
“Kosova Sot”: Ish-kryeministri Ramush Haradinaj po mbahet në Francë me një kërkesë të Serbisë për ekstradim. Çfarë të rejash keni në lidhje me këtë rast, z. ambasador?
Didier Chabert: Siç e dini, kjo është një çështje ekskluzivisht në kuadër të autoritetit gjyqësor, në lidhje me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli, ekzekutimi i të cilit kryhet automatikisht. Një seancë e re pritet më 2 mars.
“Kosova Sot”: Ju e dini se Haradinaj është gjykuar dhe rigjykuar për krime lufte në Hagë dhe ka dalë i pafajshëm në proceset që kanë zgjatur një dekadë. Si shpjegohet kjo tejzgjatje e mbajtjes së Haradinajt dhe a e përjashtoni ekstradimin e kërkuar nga Serbia të z. Haradinaj?
Didier Chabert : Duket se disa akuza në fletë-arrestin serb nuk figuronin në mesin e atyre që janë trajtuar në Hagë. Gjyqtari, megjithatë, do t’i ketë të gjitha informacionet në dispozicion e tij për të marrë vendimin, duke i njohur faktet juridike dhe kontekstin e veçantë në të cilin është lëshuar fletë- arresti serb. Të gjithë janë të vetëdijshëm për rolin e madh që z. Haradinaj ka pasur në luftë për pavarësinë e Kosovës.
Marrëveshjet e kontestuara.
“Kosova Sot”: Të flasim për disa zhvillime të tjera në Kosovë. Politika kosovare ka humbur gati dy vjet me dy marrëveshje, njëra për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e tjetra për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por ende nuk ka arritur t’i ratifikojë në Kuvend. Si e shihni epilogun e këtyre dy çështjeve?
Didier Chabert: Këto janë dy çështje shumë të ndryshme. Për të parën, bëhet fjalë për përfundimin e procesit të ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me një fqinj miqësor të Kosovës, i cili ka ditur të jetë me ju në kohët më të vështira. Marrëveshja u nënshkrua nga qeveritë e të dy vendeve dhe është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi. I tërë komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe mbështetësit më të fortë të Kosovës, duke përfshirë Francën, pret që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen, nënshkrimi i të cilit nuk ka të bëjë me Qeverinë, por me vendin. Sa i përket Ligjit për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, bëhet fjalë për një zotim të bërë në kuadër të dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Disa duan ta paraqesin këtë projekt si të imponuar nga Beogradi në Kosovë. Në fakt, bëhet fjalë për përgatitje të një ligji që do të miratohet në kuadër të Kushtetutës së Kosovës nga deputetët e Kosovës rezultati e parë i të cilit do të jetë lehtësimi i integrimit të të gjithë serbëve të Kosovës në vendin që është i tyre. Krijimi i këtij asociacioni të komunave, në qoftë se shoqërohet me shpërbërjen e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi në disa pjesë të Kosovës, do të forcojë sundimin e ligjit dhe do të konsolidojë autoritetin e Qeverisë në Prishtinë në tërë territorin nacional.
“Kosova Sot”: Shtypi gjerman ka komentuar për situatën në Kosovë, me theks Asociacionin, të cilin e quan si njëfarë bosnjëzimi të Kosovës. Cila është e vërteta e Asociacionit të komunave serbe dhe a bëhet fjalë për bosnjëzim të Kosovës?
Didier Chabert : Nuk mund të komentoj shtypin gjerman. Kosova ka modelin e vet institucional që është i bazuar në një Kushtetutë që nuk ofron asnjë model federal, shumë i ndryshëm nga ai i Bosnjës. Ligji për Asociacionin e komunave serbe do të jetë në përputhje të plotë me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe unë nuk kam asnjë dyshim se Gjykata Kushtetuese, në qoftë do t’i kërkohej mendimi i saj, do të dijë të kujdeset për kushtetueshmërinë e vendit edhe në këtë rast.
“Kosova Sot”: Ka spekulime të ndryshme për kushtëzimin e liberalizimit. Me aq sa jeni ju i informuar, a është Demarkacioni me Malin e Zi kushti i vetëm? A u hiqen vizat kosovarëve nëse ta zëmë nesër Kuvendi e ratifikon marrëveshjen?
Didier Chabert : Vendimi për heqjen e vizave duhet të merret nga Këshilli Evropian, që do të thotë nga shtetet anëtare në bazë të propozimit të përgatitur nga Komisioni. Ka pak takime të Këshillit Evropian gjatë vitit dhe Komisionit i duhet kohë për të përgatitur tekstin e një vendimi të tillë të mbështetur në argumente që marrin parasysh në njërën anë ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe, në anën tjetër, përpjekjet e bëra nga vendi në dy fusha që cilësohen si prioritare nga Brukseli, por edhe nga ana e qytetarëve të Kosovës: luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Sa më shpejt që të përfundojë ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, aq më shpejt Komisioni do të mund të fillojë punën për të paraqitur një propozim për heqjen e vizave. Kosova ka të gjitha atutë në dorën e saj, në mënyrë që kjo çështje shtyhet shpejt përpara, por nuk duhet që klasa politike kosovare të humbasë sërish kohë duke shtyrë për më vonë, nëse dëshiron që Këshillin Evropian të vendosë para përfundimit të vitit, ndërsa mundësia e një vendimi në vitin 2016 ishte humbur.
“Brezovica”, një rast i humbur
“Kosova Sot”: Kosova mbetet një vend i varfër, me resurse, por që nuk po mundet t’i shfrytëzojë nga pikëpamja ekonomike. Çfarë vlerësimi keni për qeverisjen aktuale?
Didier Chabert : Kosova është një vend me plot mundësi, me një popullsi dinamike, të rinj dhe të trajnuar mirë, që janë përparësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar të ardhmen e saj. Por, për t’i valorizuar, Qeveria duhet të ecë përpara në rrugën e trasuar nga Agjenda e Reformave Evropiane (ERA), që do të thotë të veprojë në tri fusha: forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e mjedisit të biznesit të ndërmarrjeve dhe përshtatja adekuate e drejtimeve dhe degëve arsimore me nevojat e ekonomisë. Kjo nënkupton një përpjekje të madhe dhe të qëndrueshme nga ana e Qeverisë, por edhe nga ana e të gjitha institucioneve e Kosovës. Bashkimi Evropian mund të ofrojë një ndihmë të konsiderueshme nga fondet e paraanëtarësimit (IPA), por edhe nëpërmjet krijimit të binjakëzimit që ndihmon administratat për të zbatuar reformat e kërkuara nga populli dhe të domosdoshme për fillimin e asaj që njihet si “acquis communautaire”, gurthemelit të drejtave dhe obligimeve dhe për progresin e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Kosova Sot”: Në rastin e “Brezovicës” kishim një kompani franceze, por procesi dështoi. Investitorët francezë si e shohin Kosovën?
Didier Chabert : Franca numëron më shumë se 200 qendra skijimi, që ndodhen kryesisht në Alpe dhe Pirinej. Aty ndodhen hapësirat më të mëdha të skijimit në botë, të tilla si zona 3 luginat e skive me mbi 600 kilometra pista alpine. Kjo është një pasuri ekonomike dhe një burim i rëndësishëm i punësimit për vendin tonë dhe shumë kompani franceze janë ndër liderët botërore në këtë sektor në aspektin e ekspertizës dhe qarkullimit financiar. Një kompani e tillë, MDP, ka pasur besim në potencialin e ‘Brezovicës’, e cila ka një sipërfaqe të jashtëzakonshme të skijimit, por kërkon investime të mëdha për të qenë në nivelin çfarë presin turistët perëndimor në aspektin e qasjes, argëtimit dhe sigurisë. Konteksti politik rajonal dhe lokal nuk ka mundësuar mbështetjen e projektit të zhvilluar nga kompania franceze për një investitor të gatshëm për të marrë rrezikun e nevojshëm financiar. Është për të ardhur keq, sepse puna e kryer nga MDP ishte e një cilësie shumë të lartë dhe e kam vërejtur se prej atëherë asnjë alternativë tjetër nuk është propozuar. Në përgjithësi, kompanitë franceze e shohin Kosovën me interesim të madh, por dëshirojnë që të ketë garanci në stabilitetin e mjedisit biznesor. Konkretisht, ata duan procedura të thjeshtuara, siguri se ata nuk do të jenë viktima të korrupsionit që do t’u merrte atyre pa të drejtë shuma nga të ardhurat e biznesit të tyre, si dhe standarde vendore të harmonizuara në mënyrë të përkryer me standardet evropiane, në mënyrë që të eksportojnë në tregjet e tjera produktet që do të prodhoheshin në Kosovë.
Drejtësia dhe korrupsioni
“Kosova Sot”: Drejtësia është një pikë e dobët në vendin tonë. Kohët e fundit janë shtuar zërat për një reformë -VETTING, si në Shqipëri, por nuk ka vullnet për një gjë të tillë. Në vlerësimin tuaj, a ka nevojë për reformë rrënjësore?
Didier Chabert: Më 21 korrik 2016, Parlamenti shqiptar miratoi njëzëri një reformë të plotë të drejtësisë, hap vendimtar drejt përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Situata është shumë ndryshe në Kosovë, ku sistemi gjyqësor është ndërtuar nga fillimi mbi bazën e ofruar nga komuniteti ndërkombëtar. Këtu bëhet fjalë më pak për ndryshimin e tërësishëm të sistemit e më tepër për të arritur një funksionim efikas, të drejtë dhe transparent, të sistemit gjyqësor. Megjithatë, duhet shmangur zëvendësimin e së keqes me më të keqen dhe nën pretekstin e luftës kundër joefikasitetit dhe korrupsionit të gjyqtarëve, për të miratuar masa që vënë në pikëpyetje themelet e shtetit të së drejtës. Pavarësia e Gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv duhet të ruhet absolutisht dhe preferohet që reformat e parapara në sferën e drejtësisë të jenë plotësisht në përputhje me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Kjo nuk është pengesë në punën për transparencën e punës së gjyqtarëve, publiciteti i vendimeve të tyre dhe trajnimin e tyre, të gjitha këto pika janë thelbësore për funksionimin e duhur të sistemit gjyqësor dhe për të zvogëluar rrezikun e korrupsionit. Për shembull, është krejtësisht e çuditshme që gjyqtarët së pari emërohen e pastaj trajnohen. Në Francë, përfundimi i një shkolle të specializuar siguron aftësinë dhe cilësinë e gjyqtarëve para emërimit të tyre të parë në post.
“Kosova Sot”: Politikanët këtu, te ne, që nga paslufta janë njerëzit më të kamur dhe pavarësisht se pasuria e tyre është e pajustifikueshme ata nuk i prek drejtësia asnjëherë. Si mund të luftohet korrupsioni, duke amnistuar ata që dyshohet se janë autorët e tij?
Didier Chabert : Viktimat e para të korrupsionit janë banorët e Kosovës, të cilët janë edhe votues, sepse korrupsioni do të thotë se qytetarët e pësojnë nga ai, marrin më pak përkujdesje shëndetësore, më pak arsim, më pak siguri, më pak të ardhura dhe më pak shërbime publike. Kjo është arsyeja pse ajo është e rëndësishme, që shoqëria civile është në ballë të luftës kundër korrupsionit. Në një demokraci, fleta e votimit është ndër armët e para në dispozicion të të gjithëve për të denoncuar dhe për të ndëshkuar politikanët e korruptuar. Është gjithashtu e rëndësishme që drejtësia mund të bëjë punën e saj në mënyrë efektive dhe që pushteti të mos ketë mundësi për vetamnistim. Kjo është sfida e reformave që Bashkimi Evropian dëshiron ta mbështesë në Kosovë.
(Kosova Sot)