ARKATANA

Liberalizimi i vizave, mësimet nga procesi

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Burim Ramadani – Një proces koxha i zgjatur rreth liberalizimit të vizave më së shumti duhet të ketë pasur një ndikim: atë që është mësuar gjatë procesit, më shumë sesa rezultati. Sidoqoftë, një periudhë sfiduese ka mbetur deri në hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave. Do të mund të shohim zhvillime domethënëse deri atëherë!
Liberalizimi i vizave do të duhej të na kishte dhënë mësime më shumë si proces sesa si rezultat. Institucionet e të gjitha niveleve, qendrore e lokale, për kohë relativisht të gjatë as që kanë arritur të kuptojnë domethënien e procesit.

Nuk do të tingëlloja shumë pesimist nëse hezitoj të vlerësoj se zyrtarët dhe institucionet e kanë kuptuar tash ndërlikueshmërinë e procesit, madje edhe tash pas rekomandimit pozitiv.

Njëjtë, nuk do të tingëlloja shumë optimist nëse nuk hezitoj të vlerësoj se ekipi teknik, kryesisht nën ombrellën e përgjegjësve ekzekutiv për integrimet evropiane, gjatë kësaj periudhe dhe periudhës së kaluar, kanë prezantuar një qasje evropiane, profesionale dhe pasqyrim të kapaciteteve të një elite të re në Kosovë.

Për më tutje, nuk do të tingëlloja as paradoksal nëse nuk hezitoj ta vlerësoj lartë një konsensus të përgjithshëm në skenën politike për të kontribuar në liberalizimin e vizave. Madje, edhe atëherë kur ky proces pothuajse fare nuk është kuptuar nga shumica në skenën politike, të paktën kjo skenë politike nuk ka vendosur “veto” negative për procesin në tërësi. Dorën në zemër, krej çka mund të presim nga ky nivel i skenës politike është që të mos shkatërrojnë diçka që mund të jetë krejt elementare. Edhe nëse e pengojnë, të paktën mos ta bëjnë me qëllim politik. Edhe nëse e vonojnë, sikurse ka ndodhur në këtë proces për shkak të nivelit të qeverisjes në tërësi, të paktën të mos orientojnë Kosovën kundër këtyre proceseve.

Sidoqoftë, cilësimet e menjëhershme pas rekomandimit pozitiv për heqjen e vizave kryesisht u ndërlidhën në katër aspekte:

Përfundimi i izolimit, vërtetim i përkatësisë evropiane, arritje e përmbushjes së kritereve apo një fije shpresë për qytetarët e Kosovës?

Të katër këto cilësime që po bëhet gjatë këtyre orëve mbi rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën meritojnë të analizohen me saktësi dhe jo me eufori. Sepse, mund të jenë që të katërtat, por jo domosdoshmërisht tregojnë për të vërtetën e plotë.

FIDANISHTJA

Besoj se një proces koxha i zgjatur rreth liberalizimit të vizave më së shumti ka pasur një ndikim: atë që është mësuar gjatë procesit, më shumë sesa rezultati.

Së pari, ky nuk është përfundim i izolimit, por një hap drejt hapjes së Kosovës në “tregun” evropian. “Përfundimi i izolimit” është një koncept i ndjenjës së brendshme, më shumë sesa të vërtetës së jashtme.

Së dyti, vërtetimi i përkatësisë evropiane nuk bëhet përmes procesit të liberalizimit të vizave. Kjo përkatësi evropiane nuk matet në këtë mënyrë, por qartësisht matet me sjelljen dhe moralin shoqëror të popullit të Kosovës, sikurse edhe me rrugën e konsolidimit të demokracisë në Kosovë. Pra, ne jemi evropianë dhe për këtë nuk matemi me viza!

Së treti, përmbushje e kritereve për këtë proces. Ky është aspekti që ne më së shumti duhet të kishim mësuar. Prej vetvetes dhe prej procesit. Kritere, kryesisht teknike, që ne nuk do të duhej t’i vendosmin në piedestal të arritjeve shoqërore, politike dhe institucionale.

Së katërti, një fije shprese për qytetarët e Kosovës! Kjo besoj se mund të jetë një vlerësim kuazi-euforik, por mjaft i përafërt me ndjenjën e qytetarëve. E besoj se kjo paraqet një shpresë për njerëzit në Kosovë.

Sidoqoftë, një periudhë sfiduese ka mbetur deri në hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave. Do të mund të shohim zhvillime domethënëse deri atëherë!