LIBE voton raportin, kërkon demarkacionin

Vetëm një votë më shumë i ka mjaftuar eurodeputetes Tanja Fajon që ta kalojë raportin e saj për liberalizim të vizave për Kosovën në Komitetin për të Drejtat Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian. Sipas saj, tani topi mbetet te Prishtina, nga e cila kërkohet të ratifikojë Demarkacionin me Malin e Zi dhe ta luftojë korrupsionin. Votimi “gjysmak” në LIBE shihet pozitiv nga lidershipi kosovar.
Komiteti për të drejtat civile, drejtësinë dhe çështjet e brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian dje edhe zyrtarisht ka votuar raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave me Kosovën. 25 vota pro këtij raporti kanë mjaftuar që ai raport të kalojë duke bërë një hap para në procesin e liberalizimit të vizave.
Megjithatë procesi aktualisht është “ngrirë” derisa Kosova të reflektojë me dy kriteret e kërkuara, shkruan sot gazeta “Zëri”.
LIBE megjithatë nuk i ka dhënë mandat Tanja Fajonit që të nisë negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizim, pa u ratifikuar Marrëveshja për Shënjimin e kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.
Sidoqoftë Fajon ka thënë se ky është një fillim i mirë, derisa Ulrike Lunaçek tani ka thënë se topi është te Prishtina. Vetë ministri i Integrimit, Bekim Çollaku, ka përshëndetur votimin e raportit.
Ai tani i ka bërë thirrje lidershipit kosovar dhe Kuvendit të Kosovës që të ratifikojë sa më parë Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi në mënyrë që të kemi një vendim pozitiv deri në fund të këtij viti sa i përket liberalizimit të vizave./zeri/