Uji Dea

Lëvizjet shqiptare

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Afati kalimtar i verës përfundoi të hënën, i cili i “lëvizi” edhe shumë futbollistë shqiptarë në Evropë. Afro 30 futbollistë të njohur shqiptarë i ndërruan skuadrat.

Një pjesë e mirë e tyre, lirisht mund të thuhet se e bënë një hap prapa në karrierë, në ekipet që shkuan. Por, pati prej tyre që ia panë hairin kësaj vere, duke u bërë me skuadra më të mëdha.

Rënia

Valon Behrami
Valon Behrami e la përfundimisht Napolin, për t’iu bashkuar Hamburgut. Hamburgu nuk është nivel i Napolit, assesi. Madje, në edicionin e kaluar nëpërmjet barazhit e siguroi mbijetesën në Bundesligë.

Blerim Xhemaili
Blerim Xhemaili u largua nga Napoli dhe përfundoi në Galatasaray. Ai ndoshta do të luajë në Evropë edhe me klubin turk, por njërin prej kampionateve më të mëdha në Evropë nuk do ta shijojë më.

Loret Sadiku
Pritej se do t’i bashkohej ndonjë klubi të madh evropian, por Loret Sadiku vetëm se pati rënie. Qendërmbrojtësi kosovar e la Helsingborgun, me të cilin luante edhe në Evropë, për t’iu bashkuar klubit turk, Mersin.

Ardian Gashi
Edhe ai e la Helsingborgun, me të cilin pati eksperiencë të suksesshme, për t’u rikthyer në Norvegji, me ekipin Odd.

Erton Fejzullahu
Thonë se paraja nuk është gjithçka, por për Erton Fejzullahun ndodh e kundërta. Sulmuesi kosovar e la Djurgardenin, për t’iu bashkuar ekipit kinez, Beijing Guan.

Valmir Berisha
Supertalenti Valmir Berisha e la Romën dhe shkoi në Panathinaikos. Ai nuk arriti ta bindë ekipin italian, kështu që do ta kërkojë ngritjen në Greqi.

Agon Mehmeti
U konsiderua si Zlatan Ibrahimoviçi i ri, por në Itali ishte i zbehtë. Pas një aventure me Palermon, përfaqësuesi kosovar u rikthye në Suedi, tek Malmo.

FIDANISHTJA

Ardian Nikçi
Gjermania nuk bëri për të. Adrian Nikçi përfundoi në bankinë tek Hannover, ndërsa vendori të rikthehet në Zvicër, për t’iu bashkuar Young Boysit.

Shpëtim Hasani
Futbollisti kosovar i dha fund eksperiencës në futbollin suedez, ku luajti me Orebron, ndërsa do ta provojë veten në Kampionatin polak, me ekipin e Gornikut.

Ngritja

Shkodran Mustafi
Pas eksperiencës së shkëlqyeshme me Sampdorian, Shkodran Mustafi iu bashkua Valencias. Ai i kushtoi klubit spanjoll 8 milionë euro.

Pajtim Kasami
Pajtim Kasami u largua përfundimisht nga Fulhami ku nuk po gjente hapësira. Mesfushori shqiptar iu bashkua Olympiakosit në Greqi, me të cilin do të mundë të luajë në garat evropiane.

Valdet Rama
Eksperienca spanjolle nuk i shkoi si duhet. Për këtë, Valdet Rama u la i lirë nga Valladolidi dhe iu desh ta bënte një hap prapa, duke u rikthyer në futbollin gjerman, me ekipin Munchen 1860, që garon në Bundesliga 2.

Albert Bunjaku
Albert Bunjaku iu kthye futbollit zviceran pas një kohe të gjatë. Pasi Kaiserslauterni nuk arriti të rikthehet në Bundesligë, përfaqësuesi kosovar u rikthye në “atdhe”, tek St. Gallen.

Mërgim Mavraj
Mërgim Mavraj e bëri një hap përpara, duke e lënë Greuther Furthin, për t’iu bashkuar Kolnit.

Të tjerët
Enis Alushi nga Kaiserslauternin në St. Pauli; Admir Mehmedi nga Dynamo Kiev në Freiburg; Shkëlzen Gashi nga Grasshopers në Basel; Besart Berisha nga Brisbane Roar në Melbourne Victory; Vullnet Basha nga Sion në Real Zaragoza; Mensur Kurtishi nga Shkëndija në Brisbane Roar; Bashkim Kadrii nga Odense në Kopenhagen.