Letrat i kthehen bumerang Thaçit

Adresimi i letrave, respektivisht i kërkesave të presidentit Hashim Thaçi në Prokurorinë e Shtetit, për hetimin dhe gjykimin e shumë rasteve të krimeve të luftës e pasluftës, të patrajtuara deri më tani as nga institucionet vendore dhe as nga ato ndërkombëtare, nga njerëz të politikës dhe analistët politikë po cilësohen si çështje e ngritur pa shumë kompetencë, një temë shumë e vonuar dhe farsë, që bëhet tash e 17 vjet pas lufte
Askush nuk beson në qëllimin e mirë të tij.
“Nuk ka asnjë dyshim se Hashim Thaçi është pas të gjitha aferave të zbuluara e të pazbuluara, të publikuara e të papublikuara, sepse ai është kapoja politike i organizimit kryesor kriminal në Kosovë”, thotë deputeti i koalicionit, Adem Salihaj,raporton Gazeta Kosova Sot
Adresimi i letrave, respektivisht i kërkesave të presidentit Hashim Thaçi në Prokurorinë e Shtetit, për hetimin dhe gjykimin e shumë rasteve të krimeve të luftës e pasluftës, të patrajtuara deri më tani as nga institucionet vendore dhe as nga ato ndërkombëtare, nga njerëz të politikës dhe analistët politikë po cilësohen si çështje e ngritur pa shumë kompetencë, një temë shumë e vonuar dhe farsë, që bëhet tash e 17 vjet pas lufte. Madje, po fitohet përshtypja se kjo temë është ngritur nga ish-kryeministri, tanimë president i vendit, vetëm për t’i hedhur opinionit hi syve. Ky veprim vlerësohet si një lojë e radhës nga politika për t’i ngatërruar gjërat para fillimit të punës së Gjykatës Speciale për të mbuluar gjurmët e krimit që janë bërë nga parapolitika kriminale gjatë periudhës së pasluftës, derisa presidenti i tanishëm Hashim Thaçi nuk u kujtua sa ishte kryeministër në dy mandatet e kaluara që të bënte një kërkesë të tillë nga pozita e kryeministrit, kur nën autoritetin e Qeverisë vepronin Ministria e Drejtësisë, MPBja, të gjitha shtyllat e sistemit të drejtësisë dhe AKI-ja.
Deputeti i LDKsë, Adem Salihaj ka pohuar se me një farsë të tillë, ish-kreu i PDK-së, kryeministër në dy mandate, së fundi zëvendëskryeministër dhe tani president nuk mund ta amortizojë aspak përgjegjësinë që ka në shumë afera dhe krime të së kaluarës, qoftë me veprime direkte apo indirekte. “Nuk ka asnjë dyshim se Hashim Thaçi është pas të gjitha aferave të zbuluara e të pazbuluara,të publikuara e të publikuara, sepse ai është kapoja politike i organizimit kryesor kriminal në Kosovë. Ai ishte drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, ishte kryetar i PDK-së, nën ombrellën e së cilës ishte organizata kriminale SHIK, eskadronët e vrasjeve politike, klanet e uzurpuesve të dhunuesve e plaçkitësve të llojllojshëm”, ka thënë ai.
Ndërhyrje flagrante në drejtësi Edhe eksperti i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani konstaton se i pari i shtetit e bëri këtë veprim për shkak se PDK-ja gjendet e mbuluar me skandale nga më të ndryshmet, që nga punësimet e kundërligjshme e deri te skandale të tjera kriminale. “Tani, thirrja e tij është interesante dhe e çuditshme. Ai si lider ka bërë gabime të mëdha në qeverisje, sepse në kohën e tij janë instaluar rrjete kriminale me dijen apo pa dijen e tij, por nëse e ka ndërruar mendjen tash si president do të shihet në vazhdim. Me farsa e mashtrime nuk del gjë, sepse shumë shpejt del në sipërfaqe”, tha Burjani për “Kosova Sot|.
Sipas prof. Riza Smakës, zvarritja e pajustifikuar me asgjë të procedimeve penale kundër kryesve të akteve kriminale, veçanërisht nga viti 1999 e deri sot, për aq sa i adresohet Prokurorisë së Shtetit , po aq i bie barra edhe ish-kryeministrit, kryeministrit aktual, përkatësisht presidentit të vendit. “Gjithsesi edhe këta persona mbajnë përgjegjësi për heshtjen e çështjes së tillë, serioze e tepër të dëmshme për vendin e popullin e aq më parë kur kanë pasur dhe vijojnë të kenë autorizime politike për të sensibilizuar imperativin e persekutimeve penale kundër keqbërësve më se të ndryshëm”, tha prof. Smaka.
Ai thotë se tani është e pakuptimtë se si po hesht kryeministri Mustafa, veç- mas për vrasjet e pasluftës, të cilat i kishte falur në fushatën zgjedhore me premtimin për zbardhjen e tyre, kurse tani për atë angazhohet presidenti! Sipas tij, Prokuroria e Shtetit duhet ta ketë mbështetjen e sinqertë nga presidenti dhe kryeministri, tekefundit edhe pa suportime të tilla, Prokuroria e Shtetit ka instrumente e mekanizma si dhe baza juridike për të vepruar ashtu sikundër duhet, që e obligon ligji dhe Kushtetuta. Mirëpo, për prof. Muhamet Kelmendin këto letra të presidentit assesi nuk kanë më shumë efekt se një farsë e kohës për konsum të përkohshëm. “Natyrisht se çdokush, pavarësisht pozitës që ka si qytetar apo në institucionet shtetërore, mund të shkruajë një, dy, tre apo katër letra, dhe të drejtohet në institucione për problemet e veçanta që ka shoqëria jonë, sepse Kushtetuta këtë veprim nuk ia ndalon askujt, po qe se e marrim tani detyrën si president, natyrisht që në kuadër të Kushtetutës janë të përcaktuara kompetencat që i ka presidenti dhe natyrisht që e ka të drejtën t’u drejtohet zyrtarëve, mekanizmave të institucioneve të ndryshme, duke i udhëzuar dhe duke i mbështetur për problemet që kërkojnë për t’i zgjidhur, por nuk guxon, sikur në këtë rast, të ndërhyjë dhe të përzihet në punët e brendshme të institucioneve, sepse kjo është përzierje e kompetencave dhe thyerje e shtetit ligjor, në këtë rast edhe të pavarësisë së Prokurorisë dhe të gjykatave’, tha Kelmendi për “Kosova Sot””(Më gjersisht mund t’a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)
(Kosova Sot)