‘Letrat i dërgova në koordinim me ndërkombëtarët’

Presidenti Hashim Thaçi në Zona e Debatit të Baton Haxhiut ka thënë se ka qenë i vetëdijshëm për përmbajtjen e pllakave përkujtimore të serbëve të vrarë pasluftës, por që ata janë qytetarë të Kosovës dhe zbardhja e vrasjes së tyre është detyrim dhe një gur më shumë në kalanë europiane të Kosovës.
“Kam qenë i vetëdijshëm cka shkruan në pllakata. Por ata janë qytetarë të Kosovës. Ne e dimë kush ka kryer gjenocid në Kosovë. Por nëse kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat, atëherë nuk është mëkat të bëhet kjo gjë. I di vlerësimet në Prishtinë, në Beograd, por edhe në mediat ndërkombëtare për këtë veprim. Por unë do të punoj në të mirë të së ardhmes së të gjithë qytetaëve të Kosovës. Nëse dikush mendon që duhet të injorojmë faktin që ka ndodhur krim në Grackë, ky është gabim i madh. Apo nëse dikush mendon që është vlerë djegia e ndonjë kishe, ky është po ashtu gabim i madh. Të mos harrojmë që të gjitha vendet e rajonit janë multietnike. Ne nuk e kemi shpikur, por jemi produkt i një realiteti europian. Dikush mund të thotë që vizita te këto pllaka është fyerje për luftën, për dëshmorët, për të ardhmen e Kosovës. Por fyerje për luftën dhe UÇK-në është vrasja e atyre fëmijëve serb, si edhe dëmtimi i objekteve fetare serbe. Duhet të themi që asnjë monument fetar serb nuk është dëmtuar gjatë luftës. Ne duhet të jemi realistë dhe duke shprehur keqardhje për viktimat. Ne nuk i bëjmë nder të ardhmes tonë duke heshtur për këto gjëra. Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë duke rrënuar xhami, teqe, kisha katolike. Zbardhja e dëmtimit të të gjitha monumenteve fetare të kultit islam nga shteti serb, dëmtimi i kishave katolike në Kosovë, dëmtimi i disa teqeve, është shumë e rëndësishme”.
Ai ka komentuar ‘letrat’ që i ka dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke i cilësuar si detyrim të tijin qytetar, por edhe si president i vendit.
“Pushtetet janë të ndara. Por për letrat që i kam dërguar prokurorisë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli edhe kryeministri Isa Mustafa janë informuar nga unë dhe i kanë mirëpritur. Jo vetëm ata, por edhe spektri politik dhe shoqëria civile”.
“Është me rëndësi që ekziston një koncensus i plotë shoqëror dhe intelektual dhe është mirë që letrat i janë dërguar kryeprokurorit dhe Këshillit Prokurorial. Për 17 vjet sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ka qenë i udhëhequr nga kosovarët. Prandaj kur kam qenë kryeministër kam pasur mundësi që të jap deklarata, por jo t’u drejtohem institucioneve për këto gjëra. Nga qershori i këtij viti, me marrëveshjen e re mes institucioneve të vendit dhe BE-së, nënvizohet qartë që pjesa më e madhe e kompetencave ekzekutive nga ndërkombëtarët, barten tek vendorët. Për këtë arsye si president i vendit, kam marrë përgjegjësinë, por edhe guximin, për t’iu drejtuar kryeprokurorit për cështje që mendoj unë se duhet të trajtohen me seriozitet. Por jo në kuptim të ndikimit apo presionit. Duhet kuptuar që cdo qytetar mund t’i drejtohet drejtësisë, lëre më një president i vendit. Kjo është përgjegjësi qytetare dhe në mandatin e plotë të presidentit që të ngris cështje të ndryshme. Duhet të vlerësoj profesionalizmin dhe sukseset e sistemit të drejtësisë, ndërsa respektoj punën e tyre”.
Thaçi ka theksuar se ka qenë vullnet i tiji që këto cështje të trajtohen në mënyrë serioze dhe i gjithë procesi ka qenë në konsultim me faktorët relevant ndërkombëtar, njofton Klan Kosova.
“Unë kam kryer obligimin tim qytetar, por edhe si president. Askush nuk më ka nxitur. Ka qenë vullnet imi, por edhe guxim imi që këto cështje të trajtohen në mënyrë serioze, nga institucionet vendore. Nëse dikush ka për të rrëfyer dicka, duhet të shkojë në prokurori. Natyrisht unë takoj sistemin e drejtësisë dhe autoritetet relevante të rendit”.
“Këto letra janë konsultuar me partnerë relevant, sepse kemi një projekt të përbashkët që po e zhvillojmë. Për të qenë me vlerë dhe për të pasur transparencë të plotë me opinionin, unë kam ftuar një konferencë për media. Natyrisht që janë cështje të ndjeshme, ndaj edhe kam dashur që të jem transparent”.
Presidenti Thaçi ka folur për atentatin e vitit 2005 ndaj presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, duke sqaruar momentin historik në të cilin ka ndodhur dhe shtruar pyetje lidhur me këtë rast, njofton Klan Kosova.
“Në mars të vitit 2005 me faktorët relevant ndërkombëtar jemi takuar, kemi biseduar dhe jemi dakorduar për një koalicion të ri. Pak minuta para kësaj ka ndodhur atentatit ndaj presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Shtrohet pyetja: kë e ka penguar ky koalicion? Kush nuk deshi që ai të vijë në këtë takim? Kush ishte i shqetësuar për atë marrëveshje? Këto gjëra duhet të dihen”.
“Tash i kam dërguar ato letra sepse jam president i vendit. Por edhe kam guximin ta bëj këtë gjë. Mos të harrojmë që as nuk jam i pari president, por as nuk kam qenë kryeministër i parë i vendit”.
Thaçi: Ndërkombëtarët patën heshtje aprovuese për Trepçën
Presidenti i Kosovës ka folur në Zona e Debatit në Klan Kosova për Ligjin e ri për Trepçën.
Hashim Thaçi deklaroi se është bërë mirë që është aprovuar Ligji, dhe po ashtu tha se ndërkombëtarët kishin “një heshtje aprovuese për Trepçën”.
“Kam diskutuar edhe me Mustafën edhe me Veselin për ligjin dhe mendoj se është bërë mirë që është zgjedhur ky ligj”.
“Pa dashur ta ndërlidhë me raporte ndërpartiake, partnerët kanë bërë një punë të mirë dhe mendoj se ligji është i konsultuar nga ekspertët vendorë dhe është një ligj që i përshtatet aktualitetit, por nuk do të thotë që nuk duhet të avancohet, në mënyrë që të kemi një funksionalizim real”.
“Më mirë tash se sa hiç”, tha Thaçi.
Megjithatë Presidenti pohoi se është mirë të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, pasi që Lista Serbe e ka dërguar Ligjin për Trepçën në Kushtetuese.
“Si President i vendit jam i obliguar të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
———————————————-
‘Arrestimi i Nehat Thaçit s’duhet të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi’
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se arrestimi i nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, nga forcat policore serbe, është një “burgosje e shëmtuar dhe e padrejtë”.
Por, sipas Thaçit, ky arrestim nuk duhet të ndikojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjithashtu, nga informatat që kemi (Nehat) Thaçi ka lëvizur vazhdimisht, por tani është arrestuar si pasojë e politikave të njëjta si të sistemit të Millosheviqit”, deklaroi Thaçi në Zona e Debatit.
“Arrestimi nuk është i bazuar juridikisht, e as mbajtja në burg, por ne po punojmë me faktorin ndërkombëtar, ndërsa kjo çështje nuk duhet të ndikojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe siguroi të gjithë se do të lirohet Thaçi. Pasi ai është arrestuar në një mënyrë arbitrare”.
Thaçi ka treguar edhe për informacionet që ka Presidenca rreth arsyes së vizitës të Nehat Thaçi në Serbi, ditën kur u kap.
“Informata tona tregojnë se ai është kapur në kufi me Serbinë, ndërsa arsyeja e kalimit të tij në Serbi është e panjohur për të gjithë, por nuk ka qenë me mision zyrtar”.
——————————————-
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë: Thaçi komenton deklaratat e Trump-it
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar deklaratat e Donald Trump, i cili tha për një agjenci serbe të lajmeve se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e gabuar.
Madje Trump, që është kandidat i Republikanëve për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe u ka kërkuar serbëve falje për këtë ndërhyrje.
Por, Presidenti i Kosovës në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se kushdo që është kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovës është kundër lirisë së një populli.
“Unë nuk njihem personalisht me Donald Trump, por ajo që dua të konstatoj si një President i një Republike që e ka të ardhmen lidhur ngushtë me SHBA-të dhe që përcjellë nga afër gjithë hapat e tyre, është se të jesh kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovës është të jesh kundër lirisë së një vendi”, ka thënë Thaçë në Zona e Debatit.
Por, “ajo që është mirë është se opinioni demokratike është në favor të zgjedhjes për Presidente të ish-sekretares Hillary Clinton”, shtoi Presidenti.
“Madje Trump nuk është më as kandidat i Republikanëve – ajo që dua të them është se elita Republikane është distancuar nga Trump”.
Dëshirën e shqiptarëve për të fituar ish-sekretarja e shtetit amerikan Thaçi ka cilësuar jo si ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA, por diçka që vjen natyrshëm.
“Nuk përzihem dhe as nuk e kemi atë mundësi, të përzihemi në zgjedhjet në SHBA, por shqiptarët i gëzohen zgjedhjes së Hillary Clinton Presidente të SHBA-ve. Prandaj ndjehem mirë se shqiptarët janë në favor të Clinton. Sepse dikush paraqet progres, dikush regres për të ardhmen”.