Less: Raportet SHBA -Kosovë në nivelin më të ulët historik – fatkeqësi strategjike për Kosovën
Ish-diplomati britanik, Timothy Less beson se në sytë e diplomatëve perëndimorë, Kosova shihet si pengesa kryesore për zgjidhjen e problemit me Serbinë në veri. Less i tha Gazetës Express se ndërkombëtarët e shohin si problem mospranimin e kompromisit nga të dyja palët, dhe zgjidhjen, thotë ai, e shohin në përdorimin e sanksioneve apo detyrimin ndaj Kosovës. Nëse Kosova vazhdon ta sfidojë SHBA-në për çështjen e veriut, sipas Less “rrezikon izolimin diplomatik”.
Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it thotë se kombinimi i qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë e solli këtë situatë në veri, por thekson se shpërthimi i dhunës pason një vit me tensione në rritje. “Perëndimi më pas i nervozoi të dyja palët – dhe veçanërisht Kosovën – duke propozuar një plan që i kalon vijat e kuqe përkatëse”, thotë Less. Rrjedhimisht, ai thotë se të dyja palët reaguan duke u përpjekur “të krijojnë fakte të reja në terren në veri”.
Qëndrimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe fakti që dy kryetarët e rinj të veriut nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i shkuan në takim ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, sipas ish-diplomatit tregon se “marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Prishtinës kanë rënë në nivelin më të ulët historik”, gjë që ai e përshkruan si një “fatkeqësi strategjike për Kosovën”.
Less thotë se për Qeverinë e Kurtit tani është në pyetje nëse përfundimisht do të ketë sukses në përpjekjet për ta integruar veriun në pjesën tjetër të Kosovës apo nëse do të tërhiqet për çështjen e kryetarëve të komunave, që ai thotë se do të ishte një pranim se nuk mund ta arrijë këtë qëllim.
INTERVISTA:
Gazeta Express: Si e komentoni këtë krizë të fundit në veri?
Timothy Less: Prapa çështjes së zyrave të kryetarëve të komunave e shoh çështjen kryesore – statusin e ardhshëm të veriut të Kosovës. Për qeverinë tani në pyetje është se a do të ketë sukses në përpjekjet e saj për ta integruar veriun në pjesën tjetër të Kosovës apo nëse ajo do të tërhiqet për çështjen e kryetarëve të komunave, që do të ishte një pranim se nuk mund ta arrijë këtë qëllim.
Gazeta Express: Cila mendoni se është arsyeja kryesore që tani e kemi këtë krizë?
Less: Arsyeja imediate është një kombinim i kundërshtimit serb ndaj kryekomunarëve të rinj dhe insistimi i qeverisë që ata t’i marrin plotësisht pozitat e tyre, që do të thotë të kenë qasje në zyrat e tyre komunale. Megjithatë, shpërthimi i dhunës pason një vit me tensione në rritje. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë e shtyu Kosovën që të pretendonte në veri dhe të nxiste anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Serbia ka reaguar duke nisur bojkotin e saj ndaj institucioneve. Perëndimi më pas i nervozoi të dyja palët – dhe veçanërisht Kosovën – duke propozuar një plan që i kalon vijat e kuqe përkatëse. Rrjedhimisht, të dyja palët kanë reaguar duke u përpjekur të krijojnë fakte të reja në terren në veri, gjë që i sjell gjërat atje ku janë tani.
Gazeta Express: Si e komentoni qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti në këtë dhe çfarë ju thotë juve fakti që dy kryetarët nga partia e tij nuk ishin në takimin me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier?
Less: Më thotë se marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Prishtinës kanë rënë në nivelin më të ulët historik, gjë që është një fatkeqësi strategjike për Kosovën. SHBA-ja është sponsori kryesor i jashtëm i vendit dhe Kosova ka nevojë për të për të arritur ndonjë nga synimet e saj kryesore, mbi të gjitha njohjen nga Serbia dhe pranimin në bashkësinë ndërkombëtare. Në të kundërtën, nëse Kosova vazhdon ta sfidojë SHBA-në për çështjen e veriut, atëherë rrezikon izolimin diplomatik dhe tërheqjen e mbështetjes amerikane siç e ka kërcënuar tashmë ambasadori. Kosova mund të mendojë se SHBA-ja e ka gabim në parim kur insiston në dorëzimin e veriut të Kosovës, dhe është e mundur që të ketë një debat për këtë. Megjithatë, në praktikë SHBA-ja po këmbëngul për këtë dhe, për mirë a për keq, SHBA-ja e ka fuqinë në këtë marrëdhënie.
Gazeta Express: Pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq e vuri ushtrinë në gatishmëri?
Less: Është e qartë se ishte një paralajmërim për Kosovën që të mos bëjë asgjë që mund t’i dëmtojë serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Unë gjithashtu e shoh atë si një sinjal nga Serbia se sa larg është e gatshme të shkojë për ta parandaluar integrimin e veriut të Kosovës në pjesën tjetër të vendit.
Gazeta Express: Çfarë ndikimi do të kenë këto tensione në dialog?
Less: Ato janë padyshim një pengesë e madhe. Është e vështirë tani të shihet se si të dy palët mund të arrijnë një marrëveshje bazuar në planin e BE-së, të cilin asnjëra nuk e kishte pranuar gjithsesi.
Gazeta Express: Cila mendoni se mund të jetë zgjidhja?
Less: Kjo varet se si përcaktohet problemi. Nga këndvështrimi i Kosovës, problemi është refuzimi i Serbisë për të pranuar se veriu i Kosovës është pjesë e një shteti të pavarur kosovar dhe zgjidhja është që të bëhet realitet në terren duke pohuar autoritetin e saj politik. Nga këndvështrimi i Serbisë, problemi është pretendimi i Kosovës për një territor të populluar me serbë, të cilën duan të mbeten pjesë e Serbisë, për të cilët zgjidhja është vazhdimi i bllokimit të integrimit të veriut të Kosovës. Ndërkaq, nga këndvështrimi i diplomatëve perëndimorë, problemi është mospranimi i kompromisit nga të dyja palët, për të cilët zgjidhja është përdorimi i sanksioneve dhe detyrimit, sidomos ndaj Kosovës e cila shihet si pengesa kryesore të progresit.