Lenjani: Punkti policor në Karaqevë i domosdoshëm, por se zgjidhë problemin e sigurisë
Gjilan – Selver Lenjani thotë se punkti policor që pritet të vendoset në Karaqevë në zonën kufitare është shumë i domosdoshëm, por nuk e zgjidhë problemin e sigurisë.
Sipas Selver Lenjanit përfaqësues i fshatit Karaqevë aty ku do të vendoset punkti policor kushtet janë minimalisht të kufizuara. “Pos që ka teren të papërshtatshëm, aty policët janë edhe më të rrezikuar dhe lëvizjet e tyre mund të përcillen nga pala tjetër. Unë mendoj se punkti policor ka një rëndësi të madhe për banorët e brezit kufitare sepse krijon siguri e stabilitet, por nuk i zgjidhë problemet tjera” shprehet Lenjani.
Lenjani thotë se edhe po të vendosej policia aty, të gjitha takimet dhe kontaktet me xhandarmërinë serbe sërish i zhvillon KFOR-i. “Xhandarmëria serbe nuk e besoj se pranon të flas me policët shqiptar dhe ky është problem serioz. Neve na duhen kontaktet e hapura sepse kemi fshatra shqiptare përgjatë vijës kufitare”.
Lenjani mendon se institucionet qendrore të sigurisë duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komanda e vijës së gjelbër duhet të kërkojnë nga KFOR-i kompetenca shtesë dhe ekstra për punktin policor. “Punkti policor duhet të jetë funksional dhe aktiv në vijën kufitare, përndryshe nëse ata vendosen vetëm sa për të qetësuar “gjakrat” tona, realisht do të ishte një mision i kufizuar dhe i padobishëm” shprehet Lenjani./rajonipress/


