Lenjani: Kur heshtim ne, heshtin të gjithë – Karaqeva nuk është çështje lokale, por kombëtare
Gjilan – Heshtja institucionale ndaj kontestit kufitar me Serbinë nuk është thjesht neglizhencë administrative, ajo është një barrë e rëndë që rëndon mbi sovranitetin e Kosovës dhe mbi jetën e banorëve të brezit kufitar. Kështu shprehet Selver Lenjani, një nga zërat më këmbëngulës dhe më të qëndrueshëm në mbrojtje të Karaqevës dhe territorit shtetëror.
Sipas Lenjanit, institucionet e Kosovës ndodhen përballë shansit të fundit historik për ta riparuar një padrejtësi të rëndë, e cila po zvarritet prej vitesh në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Letra pa përgjigje dhe heshtja që dëmton shtetin
Selver Lenjani vazhdon, edhe sot, të komunikojë përmes shkresave zyrtare me institucionet qendrore, por pa asnjë përgjigje konkrete e serioze. Kjo heshtje, sipas tij, është alarmante.
“Kur ne heshtim, heshtin të gjithë. Dhe kjo nuk po më pëlqen aspak. Problemi kufitar i Karaqevës është problem nacional, jo lokal. Ai u takon të gjithëve dhe duhet trajtuar me seriozitet shtetëror,” thekson Lenjani.
Ai paralajmëron se çdo ditë vonesë vetëm sa e komplikon më tej çështjen dhe e forcon pozitën e palës serbe.
Karaqeva – vija ku mbrohet Kosova
Lenjani është ndër të parët që ka kundërshtuar publikisht dhe fuqishëm vendosjen e tabelës kufitare nga ana e KFOR-it, një tabelë që, sipas tij, i ka marrë Kosovës qindra hektarë tokë.
“Karaqeva nuk është dashur të neglizhohet asnjëherë. Aty mbrohet Kosova, aty mbrohet toka shqiptare,” thotë ai me vendosmëri.
Ai thekson se pala kosovare ka dështuar që në takimet e para ta artikulojë qartë këtë problem në tryezat ndërkombëtare.
Nga Karaqeva në Bruksel – një betejë e vetmuar
Në përpjekje për të mbrojtur të drejtën dhe tokën, Lenjani ka shkuar përtej kufijve të Kosovës, duke e ngritur çështjen deri në Bruksel dhe në selinë e NATO-s.
“Ne i kemi hartat kadastrale, i kemi pronarët dhe titullarët e tokave stërgjyshore. Kemi argumente të forta dhe të dokumentuara,” thekson ai.
Megjithatë, zhgënjimi i tij rritet për faktin se institucionet e Kosovës nuk e kanë ndjekur këtë betejë me seriozitet të barabartë.
Qeveritë jetëshkurtra dhe mungesa e strategjisë kombëtare
Sipas Lenjanit, zvarritja e problemit lidhet drejtpërdrejt me paqëndrueshmërinë politike dhe qeveritë jetëshkurtra.
“As kur Albin Kurti ishte kryeministër për tre muaj nuk u takuam asnjëherë, pavarësisht kërkesave të mia. Qeveria e re duhet urgjentisht të ketë një strategji kombëtare për Karaqevën,” thotë Lenjani.
Ai paralajmëron se pa një qasje serioze dhe afatgjatë, Karaqeva nuk do të gjejë qetësi.
Akuzë e drejtpërdrejtë: Serbia falsifikoi hartat
Lenjani thotë se janë siguruar harta kadastrale origjinale, të cilat dëshmojnë qartë se Serbia ka falsifikuar dokumente para faktorëve ndërkombëtarë.
“Hartat origjinale nga vet Serbia e dëshmojnë se territori i Kosovës është cenuar. Parcelat me numra janë të Serbisë, ndërsa ato pa numra janë të Kosovës. Kjo është provë e qartë e mashtrimit,” thekson Lenjani.
Ai kërkon që këto harta të ruhen dhe të përdoren si dokument kyç në mbrojtje të territorit të Kosovës.
“Institucionet nuk po e mbrojnë brezin kufitar”
Lenjani nuk kursen kritikat ndaj lidershipit aktual shtetëror, duke thënë se çështja e Karaqevës është injoruar në mënyrë të pafalshme.
“Nga Novosella deri në Karaqevë është tokë e Kosovës, por askush nuk po merr guximin ta mbrojë. Karaqeva nuk do ta harrojë këtë heshtje,” thotë ai.
Sipas tij, shpresa e vetme ka mbetur faktori ndërkombëtar, NATO-ja, Brukseli zyrtar dhe mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Populli i lodhur nga zgjedhjet, kërkon zhvillim
Lenjani thekson se qytetarët e brezit kufitar janë të lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe premtimet boshe.
“Ata nuk duan më zgjedhje. Duan punë, projekte, zhvillim dhe kushte dinjitoze për jetesë,” shprehet ai.
Sipas Lenjanit, mungesa e perspektivës po e zbraz brezin kufitar dhe po e thellon zhgënjimin qytetar.
“Nuk do të heshtim”
Pavarësisht gjithçkaje, Selver Lenjani mbetet i palëkundur.
“Nuk jam ndalur kurrë dhe nuk do të heshti kurrë. Karaqeva është plagë e hapur e Kosovës dhe një ditë kjo padrejtësi duhet të marrë fund,” përfundon ai./rajonipress/


