Lenjani kërkon më shumë angazhim politik për problemin e vijës kufitare me Serbinë

/ 2 minuta lexim

Kamenicë – Selver Lenjani thotë se Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti duhet ta shfrytëzojnë çdo tavolinë të bisedimeve me ndërkombëtarët, për ta përmendur zgjidhjen e vijës kufitare në Karaçevë. Kurti derisa nuk erdhi në pushtet e vizitonte shpesh brezin kufitar, tash pasi mori votat me grusht, e ka injoruar totalisht këtë popullatë e cila jeton me ankth e frikë.

Selver Lenjani zëri më artikulues dhe më senzibilizues i vijës kufitare me Serbinë, vazhdon të jetë i pakënaqur me drejtuesit e institucioneve qendrore.

“Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti e kanë për obligim që në të gjitha takimet e nivelit ndërkombëtar të flasin për problemin e vijës kufitare në Karaçevë. Kjo treshe duhet të angazhohet më shumë politikisht sepse është interes shtetëror që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet ky problem” thotë Lenjani për rajonipress.

UBT

Lenjani thotë se pos që s`ka siguri të mjaftueshme në brezin kufitar Qeveria Kurti nuk ka investuar asnjë cent në këto zona.

“Të rinjtë po na ikin në mungesë të kushteve, ndërsa ndërkohë po ikin edhe ata që kanë krijuar familje dhe nuk kanë ku të punësohen. Shpërngulja në heshtje po vazhdon e kjo do të ishte dëmi më i madh për këtë territor të Kosovës” thotë Lenjani.

Lenjani edhe njëherë apelon tek të gjitha strukturat shtetërore që të ndërmarrin hapa konkret edhe në investime kapitale, edhe në punësim e infrastrukturë sepse investimi në brezin kufitar është investim në mbrojtjen e territorit të Kosovës./rajonipress/