Fundamenti

Lëndohet Vullnet Basha

/ 2 minuta lexim

Duhej të bënte dje në mbrëmje debutimin me fanellën e Real Saragozës në miqësoren ndaj Numancias, por në mënyrë sa qesharake dhe aq të çuditshme, Vullnet Basha dëmtohet që në stërvitjen e parë të ekipit të tij të ri. Vetëm tri ditë më parë ai u zyrtarizua si afrimi më i ri i Saragozës, klub i cili e mori në formë huazimi për një sezon nga Sioni i Zvicrës, me të drejtë blerje të kartonit.

Shkues për mesfushorin e Kombëtares shqiptare u bë trajneri aktual i skuadërs spanjolle, Viktor Munjoz, i cili e pat drejtuar Bashën në kohën kur ky i fundit luante për Nojshatel Ksamak dhe më pas edhe te Sioni. Sakaq, me të mbërritur në Spanjë, ditën e martë, Basha doli në stërvitjen e parë me Saragozën, por pas vetëm pak minutash pësoi një dëmtim muskulor (tërheqje).

Uji Dea

Pas vizitës së bërë nga ana e mjekëve, është konfirmuar se lojtari do të mungojë të paktën 10 ditë. Madje thuhet se me shumë gjasa Vullnet Basha nuk do të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjen e javës së parë më 23 gusht, në transfertë ndaj Rekreativo Huelvas.