Legjislatura më e dobët deri më tani! POR PSE?
Nga Ardian Gjini – Në të kuptuarit Weberian, në demokracitë parlamentare populli i zgjedh përfaqësuesit në Parlament. Ndërsa Parlamenti, NGA RRADHËT E VETA, e zgjedh ekzekutivin. Të jesh deputet nuk është VEND PUNE. Të jesh ministër ËSHTË. Në Kushtetutën e Kosovës ka një provizion, kryeministri, ministrat dhe zv/ministrat nuk mund të jenë edhe deputetë. Kosova është vendi i vetëm që e ka një rregull të këtillë.
Në vendet tjera është goxha e pazakontë që ministri të mos jetë deputet. Pasoja e parë dhe e dukshme e kësaj rregulle është se nga radhët e partive në pushtet janë së paku njëzet deputetë që nuk janë zgjedhur nga populli. Ata janë bërë deputetë për shkak se së paku njëzet anëtarë të zgjedhur janë larguar nga parlamenti për të hyrë në qeveri. Pasoja e dytë është se anëtarët e qeverisë nuk ndjejnë nevojë të jenë prezentë në seancë plenare. Për këtë shkak dështojnë shpesh seancat! Ka shumë pasoja tjera por në kontekst tjetër.
Nga një kënd tjetër vështrimi, partitë ndikojnë në kualitetin e Kuvendit, por në Kosovë kjo punë është kapur për bishti disi. Partitë politike në demokraci kanë lindur natyralisht. Supozoni se në fillim kandidatët për deputetë kanë mundur të garojnë të gjithë të pavarur. Por pas një kohe ata fillojnë të tubohen rreth vete, të ndërtojnë platformë të përbashkët dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin që të zgjidhen. Në rastin e thjeshtëzuar, kështu lind partia. Edhe kandidatët tjerë pastaj do të bashkohen në bazë të bindjeve të tyre, sepse nëse nuk bashkohen nuk kanë gjasa të fitojnë.
Partitë pastaj evoluojnë në baza ideologjike. Ky proces merr kohë. Në demokraci, kandidati (e gjithsesi edhe deputeti) kanë nevojë për partinë më shumë se partia për deputetin. Partia e ndihmon deputetin që të zgjidhet ndërsa deputeti ia kthen favorin partisë me lojalitet në kuvend. Kjo karakteristikë vlen për të gjitha demokracitë, Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Mirëpo Kosova bën përjashtim për faktin se pak njerëz e kanë kuptuar se sa të rëndësishme janë partitë politike në demokraci. Të gjithë i godasin, tentojnë në njëfarë mënyre edhe t’i zhbëjnë. Kërkojnë që në vend të ekzistueseve të bëjnë të reja dhe shpejt konkludojnë se edhe të rejat bëhen si ato të “vjetrat” ( të vjetrat në thonjëza sepse të gjitha janë ende në lindje në kuptimin historik). Ndërsa, fatkeqësisht, ka deputetë që nuk sillen përgjegjshëm në Kuvend për shkak se nuk kanë nevojë të jenë lojalë as ndaj partisë e as ndaj votuesve. Vetëm ndaj komisionarëve që kanë vjedhur vota për ta!!!
Në shumë parlamente të vendeve me demokraci të qëndrueshme ekziston një person që e ka detyrën e kamxhikut (whip quhet). Kamxhiku e ka për detyrë që t’i detyrojë deputetët që të jenë prezentë nëpër seanca dhe jo vetëm aq. Ai i detyron që të votojnë në favor të qëndrimeve të partisë. Nominalisht deputeti është i pavarur të votojë si të dojë, por nëse shkon kundër partisë së vet, në zgjedhjet e radhës rrezikon ta humbasë mbështetjen e partisë. Kjo nuk shihet aspak jodemokratike në demokracitë e qëndrueshme. Kosova këtu bën përjashtim të disafishtë por po i përmend vetëm dy prej tyre. Së pari, asnjë parti nuk ka kamxhik zyrtarisht (Aleanca nuk ka fare). Dhe së dyti, kultura po bëhet edhe demagogjike dhe paradoksale.
Deputetët e partisë në pushtet e kanë kamxhik qeverinë, pikërisht si nuk duhet të jetë. E qeveria e ka kamxhik kryeministrin. Si rrjedhojë kryeministri është kamxhik i deputetëve të koalicionit. Në anën tjetër ka parti politike opozitare, e cila i thërret deputetët tjerë që të votojnë kundër partive të tyre dhe i quan të nënshtruar, përderisa vetë e ka disiplinën më të egër partiake. I lexon dhe aprovon paraprakisht fjalët e deputetëve, i obligon që të votojnë sipas urdhrave, madje bën edhe komision disiplinor. Paradoks apo demagogji?! Sa për debatin, krejt thjesht. Për shkak se KDI numëron sa herë deputeti e merr fjalën dhe i shpall më “aktivët”, të gjithë duan të flasin, pa pikë nevoje. Shumë syresh janë bërë si nxënësit. Luftojnë për notë!!!
(Javën tjetër tensioni në mes të së resë dhe përvojës).
(Autori është kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


