UBT

Legalizimi i rrugëve për në kurbet – skenar i RSFJ-së

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Nga Demir Krasniqi – Përpjekjet dhe elaboratet serbo – sllave , për ta realizuar spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike , nuk pushuan kurrë , por as nuk u realizuan kurrë në tërësi !

Ato filluan me shpërnguljet për në Turqi , pastaj vazhduan migrimet fshat – qytet , për të promovuar edhe një elaborat tjetër të shpërnguljeve , por tani në një drejtim tjetër “më modern” – për në vendet evropiane !

Ishte fundi i viteve të 60-ta , kur rinia shqiptare unanimisht ua kishte mësyrë shkollave dhe fakulteteve , për t’u arsimuar dhe për të dalë njëherë e përgjithmonë nga gëzhojat e prapambetjeve shekullore !

Viti 1968, ishte viti i demonstratave studentore gjithandej Kosovës , ku për herë të parë rinia shqiptare i kërkon të drejtat e veta legjitime : Kushtetutën, Republikën, Flamurin Kombëtarë , Universitetin …etj.

Disa prej këtyre kërkesave , pas shumë gjakderdhjesh e burgosjesh , u realizuan . Pra , u legalizua Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe më 15 Shkurt 1970 , u legalizua edhe Universiteti i Prishtinës .

Regjimi i egër pushtues serbo – jugosllav , duke i parë mirë këto tendenca të shqiptarëve të shkolluar , nuk rrinte duarkryq !

Ata e shfrytëzuan në mënyrë perfide varfërinë, papunësinë dhe kushtet shumë të rënda ekonomike , për ta “zbutur zemrën ndaj shqiptarëve “, për “t’ iu dalë në ndihmë humanitare” dhe për “të menduar për fatin e ardhmërisë së tyre më të ndritur”, duke ua hapur dyert e punësimit për në vendet evropiane !

Për këtë qëllim, qeveria serbo – jugosllave , kishte lidhur një marrëveshje me disa shtete evropiane , ndër të cilat printe Gjermania , për t’ua dërguar një numër të madh punëtorësh – krahu , të cilët përbëheshin kryesisht nga shqiptarët !

Kjo kategori e punëtorëve , përbëhej kryesisht prej njerëzve të varfër, të papunësuar, të pa shkolluar dhe shumica prej tyre edhe të pa martuar !

Ky vlug i madh për të shkuar në Gjermani e vende të tjera të Evropës, mori hov gjatë fundit të viteve të 60-ta dhe fillimi i viteve të 70-ta .

Me hapjen e kësaj “dere për në Evropë” , rinia dhe popullata e pa punë shqiptare , filloi të ëndërronte ditë e natë , se si ta merrte këtë rrugë të pa kthim ?!

Shtëpitë nisen të zbrazën . Familjet nisen të vetmohen . Malli dhe vetmia sa vinin e shtoheshin .

Pasojat nga kjo shkuarje e rinisë sonë në kurbet , ishin të pa parashikueshme si për ata personalisht, si për familjet e tyre, si për vendlindjen , ashtu edhe për atdheun dhe të ardhmen e tyre !

Dita – ditës , po zbrazej Kosova . Dita-ditës po mbeteshin vetëm prindërit e moshuar dhe të vetmuar nëpër shtëpitë e tyre, pa krahun e punës dhe pa ndihmën e askujt!

Prindërit e vetmuar dhe të moshuar , mbetën që të kujdesën për shtëpitë e tyre, arat, livadhet , bagëtinë , bujqësinë, tregtinë ,kopshtarinë, pemëtarinë, shkuarjen në mullinj për të siguruar kafshatën e gojës , e çka jo tjetër ?!

Kurbetçinjtë , të cilët i kishin lanë në shtëpi gruan dhe fëmijët e tyre, nën përkujdesjen e prindërve – pleq , filluan të përjetojnë probleme ndër më të ndryshmet , qoftë në shkollimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre , qoftë edhe me problemet martesore!

Kishte shumë të rinj të sapo martuar , të cilët i lenin gruan dhe fëmijët e tyre nën përkujdesjen e prindërve të tyre – pleq, por që ata po sa shkonin nëpër metropolet e Evropës, mashtroheshin pas rrugëve të gabuara dhe i harronin për gjithmonë gratë dhe fëmijët e tyre, të cilëve nuk iu ktheheshin ma kurrë ?!

Nga këto veprime të pa matura dhe lakmitare , lindeshin shumë probleme edhe në mes të familjeve dhe miqve , të cilat jo rrallë herë përfundonin me epilog tragjik !

Në mesin e të rinjve kurbetçinj , të cilët i kishin marrë këto rrugë të gabuara , kishte të atillë që e harronin gjuhën, prindërit dhe atdheun e tyre . Ata filluan të lidhin martesa për interesa të ndryshme me femra të përkatësive tjera etnike dhe të krijonin familje meleze , pa ndonjë përcaktim kombëtarë !

Për shumë të rinj shqiptarë – kurbetçinj , edhe koha e pushimeve verore , kur po ktheheshin nëpër shtëpitë dhe vendlindjet e tyre – rrugëtimet e tyre , jo rrallë, përfundonin me fatalitet e tragjedi të pa përshkueshme !

Ndër shumë fatalitete e tragjedi të llojeve të ndryshme, nuk do të harrohet kurrë tragjedia hekurudhore në Zagreb , më 30 Gusht 1974, kur humben jetën qindra kurbetçinj shqiptarë me gra e fëmijë, mu në ditën kur po ktheheshin nga pushimet nëpër familjet e tyre , për në Gjermani . Pastaj tragjedia fatale në aeroportin e Shkupit, shumë mbytje nëpër dete , lumenj e male të ndryshme, si që ishte tragjedia në lumin Tisa …etjetj.

Duke i parë këto pasoja , nga ky “kurbet i zi”, të cilat po e godisnin rënd popullatën shqiptare çdo ditë e më shumë , unë si krijues dhe rapsod popullor që po kërkoja odë me odë , nëpër fshatrat dhe krahinat e Kosovës, por edhe jashtë saj , nuk mundja të rrija indiferent ndaj këtyre plagëve të rënda popullore , e të mos ua kushtoj së pakut një këngë këtyre dukurive të dhimbshme shpirtërore !

FIDANISHTJA

Ishte viti 1974, kur unë i kisha vetëm 24 pranvera jete dhe një natë vendosa që ashtu siç dijë dhe si mundëm , ta thuri e këndoj një këngë për këtë problematikë!

Ndonëse isha relativisht i ri, kjo peshë e mallit shpirtëror e dija fare mirë se prej nga e ka burimin dhe qëllimin e vet ! E dija fare mirë se këto pasoja na i kishte sjellë vet regjimi serbo-jugosllav me elaboratet e veta afatgjate për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta etnike , në emër të “kujdesit” dhe “humanitetit”!

Ishte ky elaborat e një shteti të huaj – okupator, i një vendi , apo dheu të huaj , i cili kurrë nuk ia deshi të mirën popullit tim shqiptarë !

Andaj, vendosa që këngën e re , ta titulloj :”Dheu i huaj na ka dëmtua”, titull ky që në asnjë mënyrë nuk aludonte tek dherat dhe vendet evropiane, por ishte dheu – shteti serbo-sllavo-komunist , ai i cili e kishte sjellë popullatën shqiptare deri në atë gjendje të mjerueshme !

Për më tepër, po ju lëmë në shoqëri me tekstin integral të kësaj kënge rapsodike , në mënyrë që Ju lexues të nderuar , ta lexoni, ta kuptoni dhe ta analizoni më në detale , se për çfarë bëhej fjalë në këtë këngë!

Ju uroj çaste të këndshme dhe disponim të mirë !

DHEU I HUEJ NA KA DAMTUE
Teksti, muzika dhe interpretimi: Demir Krasniqi

Hej, m’ falni shokë nja dy dakik- e ,
Mos t’ ju lamë me u mërzit- e ,
S’ po knoj kangë për me u mahit-e ,
Por do t’ baj nji trohë kritik-e ,
Se qe besa jem habit-e !

Hej, s’ po kam qare pa kritikue
Për do djem që janë largue ,
N’ dhena t’ hueja na kanë shkue ,
Me lypë punë e me punue ,
Tue mos ditë se kanë gabue ,
Parja e huej na i ka mashtrue ,
Dheu i huej na i ka damtue !…

Hej, kemi mbetë të vetun krejt-e ,
Si po i bajnë djemtë 17 vjet-e ,
Drejt po shkojnë në hyqymet-e ,
Pasaportën e shtinë n’ xhep-e ,
Lamtumirë , për n’ tjetër shtet-e !

Hej, na i kanë lanë n’ shpi ka dy pleq-e ,
Ma t’ vjetër se 60 vjeç – e ,
Pleqtë e shkretë na u coptuen ,
A me dalë n’ arë me punue ,
A thue gjanë me shku’ me i rue ,
A n’ mulli me shku’ me blue ,
A n’ pazar me pazarue ,
Apo shpinë me u ndal me e rue ?!…

Hej, shumë i lanë , o, shpijat shkret-e ,
S’ dojnë katund, por dojnë qytet-e ,
Se n’ katund – thojnë – nuk ka jet-e ,
Ma mirë n’ shehër për lezet-e ,
Punë me dorë s’ kemi me prek-e !…

Hej, ta dimë vëllazën, se jem’ mashtrue
Dheut t’ huej që i kem lakmue !
I lamë tokat pa punue ,
I lamë shpijat me u shkatrrue ,
I lamë shtallat pa i trellue ,
I lamë bahçet pa i plehnue ,
I lamë pemët pa i shortue ,
Lamë livadhet me u shkretnue ,
I lamë fëmijët , o, pa i shkollue !…

Hej, na po bajmë shumë dame tjera
Prej të cilave po del potera …
Po i martojmë, o, djemtë e ri-e,
Po u bajmë dasma me “Çallgi-e”,
Por ata nuk po rrinë n’ shpi-e ,
Po i lanë nuset me dy-tre fëmij-e ,
Vet po ikin n’ terr të zi- e !…

Hej, kur po nisin fëmija me u rrit-e ,
Po dojnë pleqve me ua nxjerrë syt-e ,
Nuk guxon kush me i qortue ,
Nuk ka kush me i edukue ,
Kur të nisen n’ shkollë me shkue ,
Mësuesin , fare s’ donë me e ngue ,
Mësimet , fare s’ donë me i mësue ,
As në shkollë nuk donë me shkue ,
Rrugëve rrinë tuj u hajlazue ,
Kështu po mësohen fëmija keq-e ,
S’ bahet njeri , po bahet dreq- e !

Hej, çohet burri e del prej shpijes ,
I lëshon flokët der’ n’ gjysë të shpinës ,
I thotë vetit :”Jam Bitllis”-e ,
Thue se a le e rritë n’ Paris- e !
Harron prind e harron shpi-e,
Harron miq, harron vëllazni-e,
Harron nusen në gjini- e ,
Harron gjuhë, vendin e tij-e !…

Hej, harron krejt që asht shqiptar- e ,
Banë punë t’ mbrapshta e s’ punon mbar-e ,
Prej qytetit në qytet – e ,
Prej nji shteti në nji shtet-e ,
As pesë pare s’ i ka n’ xhep-e !…

Hej, thotë i mjeri :”Jam frajer-e “,
Merr hua e blen nji kerr- e ,
Del e i grahë dije e pa dije ,
Herë nën pije, herë pa pije ,
Kur ta merr rrugën në sy- e ,
Për me ardhë n’ vendlindje t’ tij –e ,
Me shitë lavd , me shitë trimni-e ,
Për “standard “, për “pasuni-e”,
Për “kulturë” që e ka mbërri – e…
Kryet përpjetë , nuk sheh me sy-e ,
Po bajnë ndeshje rrugëve tue pi-e ,
E po i lanë zorrë e mushkëri – e ,
Shkelin pleq e shkelin fëmij- e ,
Kur po ndiejnë prindët e tij- e ,
Po bien n’ dergjë me shumë mërzi-e ,
Tue pague damin e tij – e ,
O, u digjet zemra , o, gjithmonë n’ vetmi-e !

P. S.

Edhe në ditët e sotme , politikanët dhe udhëheqësit kosovarë , gjatë fjalimeve të tyre promovuese për fushata elektorale , në vend se të angazhohen për hapjen e fabrikave, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve për një jetë më të mirë të popullatës , ata flasin me plot gojë dhe krenari për të ashtuquajturin “Liberalizim të vizave”?!

Unë, personalisht nuk i gëzohem aspak “Liberalizimit të vizave për në Evropë” , nga se ia kam drojën se me atë “Liberalizim” , do të shpërthen edhe një valë e re e spastrimit të rinisë shqiptare nga trojet e veta etnike !

Gjilan, Qershor 2013.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.