Leci: Këshilli Drejtues i AAK-së ishte pro koalicionit me PDK

Gjilan – Lulzim Leci kryetar i AAK-së në Kamenicë thotë për rajonipress se koalicioni mes PDK dhe AAK-së në Kamenicë u mundësua falë vullnetit të Këshillit Drejtues që përbëhet nga 63 anëtar të saj të cilët kishin vullnet që të hyhet në koalicion me PDK.
Koalicioni mes PDK-së dhe AAK-së në Kamenicë ka befasuar të gjithë për faktin se AAK kishte qeverisur mbi katër vite me LDK.
Lulzim Leci kryetar i degës së AAK-së tha se ekzistojnë shumë faktor se pse AAK është orientuar me PDK për ta mbështetur këtë të fundit në balotazh.
Leci tha se megjithatë për këtë vendim të rëndësishëm të AAK-së në Kamenicë ka vendosur Këshilli Drejtues i cili ka 63 anëtarë. “Ishte një vullnet i Këshillit Drejtues që të hyhet në koalicion me PDK. Kemi debatuar e diskutuar gjatë dhe në fund është arritur pajtimi që megjithatë oferta e PDK-së është më serioze për ne “ tha Leci.
Leci tha se fillimisht ka takuar edhe Shaip Surdullin edhe Begzad Sinanin nga të cilët edhe ka marrë ofertat për koalicion. “Ne diskutuam me Këshillin Drejtues dhe pasi analizuam edhe qeverisjen me LDK për katër vite, ku në fakt ka munguar deri diku delegimi i kompetencave nga ana e Shaip Surdullit për drejtorët, pastaj shkarkimi i drejtorit Ilir Kastrati, ishin disa nga arsyet që potencuan vet delegatët e Këshillit Drejtues” sqaroj Leci.
Leci tha se me Begzad Sinanin nuk ka biseduar për postet dhe vendet që pritet të marrë AAK në të ardhmen. Gjithashtu Leci tha se AAK nuk ka kushtëzuar PDK edhe për partnerët e tjerë të mundshëm në koalicion./rajonipress/